Kthehet në Fillim Gjykimi i “Tezes së Kokainës”

E pagëzuar nga media me emërtimin “Tezja e Kokainës”, Valentina Tufina, pas leximit të aktakuzës nga prokurori  prapë është deklaruar e pafajshme, ndërsa kur ajo është dashur të japë deklaratën tha se do të mbrohet në heshtje.

Të pafajshëm janë deklaruar edhe vëllezërit Veim e Vebi Berisha si dhe Alban Zena.

Pas leximit të aktakuzës dhe deklarimit të akuzuarve lidhur me fajësinë prokurori special propozoi që të lexohen edhe shkresat e lëndës dhe të konsiderohen si të administruara edhe dëshmitë e dëshmitarëve. Me këtë propozim u pajtuan edhe avokatët mbrojtës.

Në heshtje përveç Valentina Tufinës është mbrojtur edhe Veim Berisha, kurse vëllai i tij Vebi Berisha ka dhënë sot mbrojtjen e tij para gjykatës.

Berisha tregoi se Valentina Tufinën për herë të parë e ka takuar te i vëlla në shtëpinë e tij dhe se ka menduar se është shoqe e gruas së vëllai të tij, ai po ashtu tha se ka qenë edhe në fejesën e djalit të Tufinës në Shqipëri.

I akuzuari tha se Valentina Tufinën e ka parë një ditë para arrestimit.

“Në shtëpinë tonë kemi hëngër bukë bashkë. Unë atë e kam njohur si teze të babës, Valentina ka bujtur në katin e dytë të shtëpisë, ndërsa të nesërmen na ka kapur policia,” tha Vebi Berisha.

Pastaj radha për të dhënë mbrojtjen ishte e Alban Zenës, por avokati Hamit Gashi që kishte ardhur si zëvendësim i avokatit Selman Bogiqi dhe se nuk është i përgatitur t’i parashtrojë pyetje të mbrojturit të tij dhe kërkoi që të shtyhet seanca për një datë tjetër.

Trupi gjykues mori vendim që seanca  të shtyhet për datën 16 qershor 2016.

Prokuroria Speciale akuzon Veim e Vebi Berishën, Alban Zenën e Valentina Tufinën se gjatë muajit qershor të vitit 2014, në bashkëpunim me të pandehurit Reald Hysolli dhe Gëzim Çela nga Shqipëria, kanë blerë dhe poseduar kokainë për ta shitur.

Sipas aktakuzës kokaina në sasi prej 7 kilogramësh ka ardhur në Kosovë nga Shqipëria, ndërsa është përpunuar nga Valentina Tufina në shtëpinë e Veim dhe Vebi Berishës nga fshati Rosuj i Komunës së Pejës.

Kjo sasi kokaine pastaj e ndarë në 14 pako është transportuar përsëri në Shqipëri nëpërmjet Reald Hysollit.

Për këtë drogë të përpunuar në Pejë, “Drejtësia në Kosovë” shfaqi emision në korrik të vitit 2014.