array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Tentimi për të ulur numrin e shkeljeve nëpër tenderë

Deklarata

“Në raportin e vitit 2018 e kemi vetëm një gjetje në aspektin e prokurimit edhe kjo ka qenë shkurtimi i kohës së publikimit të tenderit nga 40 ditë në 20 ditë”

Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka

Vlerësimi

Rrenë

Raporti i auditimit i vitit 2018, nuk e thotë të njëjtën shifër me nënkryetarin Mujka. Sipas këtij raporti, Komuna e Mitrovicës së Jugut ka marrë 16 rekomandime, prej të cilave 4 kanë pasur të bëjnë me fushën e prokurimit. Rekomandimi për kontratat jashtë planit të prokurimit, ndarja jo e duhur e detyrave, tejkalimin e shumës së planifikuar dhe ndërrimi i projektit si dhe rekomandimi për shkurtimin e afateve në procedurat e prokurimit

Artikulli

Në debatin për gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit, nënkryetari Faruk Mujka, ka thënë se në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Auditori ka vetëm një gjetje sa i përket fushës së prokurimit në vitin 2018.

“Këto gjetje janë të nxjerra nga raportet e mëhershme përndryshe në raportin e vitit 2018 e kemi vetëm një gjetje në aspektin e prokurimit edhe kjo ka qenë shkurtimi i kohës së publikimit të tenderit nga 40 ditë në 20 ditë, e cila është e lejueshme me ligj dhe të cilën ne e kemi kërkuar nga KRPP, përndryshe nuk kishte pasur mundësi të publikohet në faqen e KRPP-së”, ka deklaruar Mujka.

Raporti i auditimit i vitit 2018, nuk e thotë të njëjtën shifër me nënkryetarin Mujka. Sipas këtij raporti, Komuna e Mitrovicës së Jugut ka marrë 16 rekomandime, prej të cilave 4 kanë pasur të bëjnë me fushën e prokurimit. Rekomandimi për kontratat jashtë planit të prokurimit, ndarja jo e duhur e detyrave, tejkalimin e shumës së planifikuar dhe ndërrimi i projektit si dhe rekomandimi për shkurtimin e afateve në procedurat e prokurimit.

Më poshtë gjeni 4 gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit për Komunën e Mitrovicës së Jugut në fushën e prokurimit për vitin 2018.

Rekomandimi për kontratat jashtë planit të prokurimit

Në raportin e auditimit për vitin 2018, thuhet se dy kontrata janë nënshkruar gjatë vitit 2018 në vlerë 108,477 euro të cilat nuk ishin parashikuar në planin e prokurimit. Zhvillimi i procedurave të prokurimit ishte bërë pa marrë aprovim në AQP siç parashihet me Ligjin e Prokurimit Publik (neni 8 dhe 9).

“Planifikimi jo adekuat ishte shkaktar i lidhjes së kontratës jashtë planit të prokurimit”, thuhet në raportin e auditimit.

Sipas Auditorit, lidhja e kontratave jashtë planit të prokurimit, rrezikon realizimin e kontratave që janë planifikuar dhe ndryshimin në prioritete, apo edhe hyrjen në obligime pa mbështetje buxhetore.

“Kryetari, duhet të sigurojë se plani i prokurimit është hartuar pas një analize të hollësishme te të gjitha njësive kërkuese dhe ka përfshirë sipas prioriteteve të gjitha projektet, për të cilat janë siguruar fondet e duhura buxhetore”, potencohet në rekomandimin e Auditorit për Komunën e Mitrovicës së Jugut.

Rekomandimi për ndarjen jo të duhur të detyrave

Në udhëzuesin operativ të prokurimit publik, për parimet e ndarjes së detyrave, thuhet se zyrtarët të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të vlerësimit nuk mund të caktohen menaxherë të projekteve.

Në 6  prej 9 rasteve të marra si mostër, njëri nga tre anëtaret e Komisionit të vlerësimit të ofertave, ishte caktuar edhe si menaxherë i kontratës. Kjo kishte ndodhur, si pasojë e mos zbatimit të udhëzuesit operativ të prokurimit publik për ndarjen e detyrave.

“Sipas zyrtarëve, ndarja jo e duhur e detyrave ishte bërë për shkak të mungesës së stafit”, ka potencuar ZKA në raportin e auditimit.

Sipas Auditorit, mos zbatimi i rregullave dhe udhëzimeve të prokurimit publik, rrit rrezikun e shkeljes së parimeve të ndarjes së duhur të detyrave për shmangien e çfarëdo konfliktit të mundshëm.

“Kryetari duhet të siguroj se aplikohen të gjitha procedurat dhe rregullat e prokurimit publik, sa i përket ndarjes së drejtë të detyrave gjatë procesit të prokurimit, për shmangien e çfarëdo konfliktit të mundshëm”, është rekomanduar Komuna e Mitrovicës së Jugut.

Rekomandimi për tejkalimin e shumës së planifikuar dhe ndërrimin e projektit

Sipas Ligjit të buxhetit 2018, “Ndryshimet në shumat e alokuara për projektet ekzistuese”, duhet të aprovohen paraprakisht nga Kuvendi Komunal.

Për rregullimin e rrugëve në fshatrat Melenicë, Maxherë, dhe Dedi, me buxhetin e vitit 2018 ishin paraparë të shpenzohen 50 mijë euro, ndërsa vetëm për fshatin Maxherë për rregullimin e rrugëve, “Voce Gimaj” dhe “Ilmi Cimili”, ishin paguar 135,741 euro duke tejkaluar vlerën e planifikuar.

Këto mjete janë ndarë me vendim të kryetarit pa aprovim të Kuvendi Komunal. 85,741 euro janë ndarë nga projekti për ndërtimin e rrugëve në fshatin Kçiq dhe 50 mijë euro nga projekti për ndërtimin e rrugëve në fshatin Bajgorë. Në këtë mënyrë janë ndërprerë punimet në këto dy projekte me arsyetim se kontrata është tre vjeçare dhe punimet do të vazhdojnë në vitin 2019, pavarësisht ndarjes buxhetore për vitin 2018.

Shkak i kësaj ishte se ekzekutivi nuk e ka iniciuar kërkesën në Kuvendin Komunal për ndryshimin e shumave të alokuara për projektet ekzistuese, po ashtu njësia kërkuese nuk kishte bërë një planifikimin të duhur për projektin në fjale.

“Kryetari duhet siguroj që ndryshimet/ridestinimet në projektet kapitale të komunës të prezantuara në tabelën 4.2, të aprovohen paraprakisht në Kuvendin Komunal. Po ashtu të sigurojë që njësit kërkuese të kenë një planifikim real të projekteve, ashtu që mos të hyjnë në obligime pa pasur mjete buxhetore të mjaftueshme”, thuhet në rekomandimin e ZKA-së për Komunën e Mitrovicës së Jugut.

Rekomandimi për shkurtimin e afateve në procedurat e prokurimit

Sipas Ligjit të prokurimit publik, kur kontrata përkatëse është kontratë publike me vlerë të madhe, afati për pranimin tenderëve duhet të jetë jo më pak se 40 ditë.

Për “Ndërtimin e rrugës në fshatin Kovaqicë Loti i I-rë”, projekt në vlerë 948,393 euro, ishin zhvilluar procedurat e prokurimit për kontratë publike me vlerë të madhe, mirëpo nuk ishte zbatuar rregulla e përgjithshme për caktimin e afateve kohore për pranimin e tenderëve. Afati kohor për pranimin e tenderëve i dhënë nga komuna ishte 18 ditë.

“Kjo kishte ndodhur si pasojë e kontrollit të dobët në menaxhimin e procesit të prokurimit, duke neglizhuar kërkesat ligjore të prokurimit”, thuhet në raportin e auditimit.

Sipas Auditorit, shkurtimi i afateve kohore për pranimin e tenderëve mund të jetë kohë e pamjaftueshme për të përgatitur dhe ofertuar, gjë që mund të ndikojë në diskriminimin e operatorëve tjerë për të ofertuar.

“Kryetari duhet të sigurojë kontrolle efektive në zbatimin e procesit të prokurimit, ashtu që afatet kohore të parapara për dorëzimin e tenderëve të jenë sipas ligjit të prokurimit publik, në mënyrë që t’i jap kohë të mjaftueshme, të gjithë operatorëve ekonomikë për të ofertuar”, potencohet në rekomandimin e Auditorit për Komunën e Mitrovicës së Jugut.

Mujka në debatit që është mbajtur në me asamblistët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut, ka thënë se Komuna e Mitrovicës së Jugut ka qenë e para për transparencë në fushën e prokurimit në vitin 2018.

“Dua ta potencoj se Komuna e Mitrovicës është fituese e çmimit të parë për transparencë në prokurim nga KDI-ja dhe mendoj se së paku në këtë fushë kemi bërë përparim në raport me vitet e kaluara”, ka potencuar Mujka.

Në raportin e KDI-së për vitin 2018, “Indeksi i transparencës në prokurimin publik 2018 për komunat e Kosovës”, Komuna e Mitrovicës së Jugut është radhitur e treta, me 92.43 pikë, pas Komunës së Prishtinës e cila është listuar e para, me 100 pikë, dhe Vushtrisë me 93.64 pikë.

Në këto pikë të grumbulluara nga komunat janë llogaritur 6 shtylla, prokurimi publik, transparenca buxhetore, qasja në dokumente publike, informimi dhe pjesëmarrja e publikut, grantet dhe financimi dhe shtylla e etikës profesionale dhe konfliktet e interesit.

Te shtylla e prokurimit publik, Komuna e Mitrovicës së Jugut është radhitur treta me 26.18 pikë, duke u listuar pas Komunës së Prishtinës që ka grumbulluar 30 pikë, Komunës së Vushtrisë dhe Lipjanit që janë vlerësuar me pikë të barabarta, me 28.64 pikë.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka realizuar një analizë duke u bazuar në raportet e auditimit të Komunës së Mitrovicës së Jugut në katër vitet e fundit. Gjetjet kryesore të BIRN janë prezantuar nga Visar Prebreza, redaktor i BIRN, në një debat të organizuar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Jugut para asamblistëve, drejtorëve komunalë dhe shoqërisë civile.

KALLXO.com vazhdimisht ka publikuar analiza sa i përket raporteve të auditimit të institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës. Në këto analiza kanë shpërfaqur mangësitë, shkeljet dhe çështjet që janë identifikuar ndër vite nga ZKA.

Debati në Komunën e Mitrovicës së Jugut është organizuar nga BIRN me mbështetjen e Ambasadës britanike.

Analizën për Komunën e Mitrovicës së Jugut mund ta lexoni KËTU

Debati në Komunën e Mitrovicës së Jugut është transmetuar live në platformën e KALLXO.com në Facebook.

Live: Debat për gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit në Komunën e Mitrovicës së Jugut

Publiée par Kallxo.com sur Mardi 10 décembre 2019