Goran Rakiq duke nënshkruar tekstin e dorëheqjes. Foto: Kallxo.com

Kryetari i asamblesë së Mitrovicës së Veriut: Institucionet e Prishtinës nuk vlejnë më në veri

Kryesuesi i kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut, Dejan Gurishiq, ka thënë para mediave se “organet shqiptare të Prishtinës nuk vlejnë më për serbët e veriut”.

Ai këto komente i bëri pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme të asamblesë së kësaj komune në të cilën kryetari i komunës Goran Rakiq dha dorëheqje.

Gurishiq e ka konfirmuar se edhe tre kryetarët e komunave të veriut kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre.

Dejan Gurishiq, kryetar i asamblesë komunale të Mitrovicës së Veriut. Foto: Kallxo.com

“Në Mitrovicën e Veriut organet e qeverisjes dhe shërbimet komunale nuk do të funksionojnë dhe asambleja komunale nuk do të mblidhet. Ky vendim është përfundimtar dhe do të mbesë në fuqi deri në tërheqjen e të gjitha masave diskriminuese të Prishtinës”, tha Gurishiq në një deklaratë për media.

Më herët Rakiq dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të komunës.

https://kallxo.com/goran-rakiq-jep-doreheqje/

Vendimin për dorëheqje Rakiq e arsyetoi me atë që e quajti “politika diskriminuese të qeverisë së Kosovës ndaj serbëve të Kosovës”.

Lajmin për dorëheqje ai e kumtoi në një seancë të jashtëzakonshme të asamblesë së komunës së Mitrovicës së Veriut.

Këshilltarët e asamblesë komunale të Mitrovicës se Veriut janë mbledhur në ndërtesën e komuns për të mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme të asamblesë, pak orë para se të dalin në protestë kundër taksës doganore të vendosur javën e kaluar nga Qeveria e Kosovës ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Protesta do të mbahet në ditën e shtatë të vendosjes së kësaj takse e cila erdhi si reagim ndaj fushatës së Serbisë kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare por që ngjalli reagime të ashpra nga Serbia dhe serbët në Kosovë dhe u kundërshtua nga bashkimi Europian dhe SHBA-të.

RTS raporton se në protestë do të marrin pjesë edhe studentë të Universitetit të Mitrovicës së Veriut.

Para protestës, asambletë e komunave të veriut të Kosovës (Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi e Zubin Potoku) do të mbajnë mbledhje.