Vajza e asamblistit të LDK-së punësohet në Ndërmarrjen Publike në Prishtinë
Edona Vitija, vajza e asamblistit të Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e LDK-së, Milazim Vitija, është përzgjedhur si kandidatja më e suksesshme për një pozitë brenda Ndërmarrjes Publike Lokale “Kuzhina Qendrore”.
Vitija është zgjedhur kandidatja më e suksesshme me 76 pikë në pozitën si zyrtare për marrëdhënie me publikun.
Njoftimi për kandidatët e përzgjedhur është bërë publike me datën 23 dhjetor 2022 përmes faqes zyrtare të kësaj ndërmarrje. Konkursi është shpallur më 20 tetor 2022 për dhjetëra pozita brenda “Kuzhinës Qendrore”.
Por babai i Edonës, Milazim Vitija e ka mohuar që të ketë pasur ndikim në këtë përzgjedhje.
Asamblisti i LDK-së është arsyetuar me faktin se e njëjta iu ka nënshtruar procedurave të rekrutimit dhe se procesi ka qenë transparent.
“Po e vërtetë është. U çel konkursi, iu është nënshtru konkursit, është në master të shkencave politike, ka qenë gjithçka transparente ajo punë. Tash fëmijët tonë nuk mundemi me i çu në Gjakovë me u punësu, po në Prishtinë. Çka ka të keqe këtu?! Nuk u kanë as jashtë konkursit, po u pranu me konkurs, u kanë ma e mira në poentim. Ka apliku edhe në shumë vende tjera, s’ka pas fat, qetu e ka pas fatin” – u shpreh ai.
KALLXO.com ka provuar që të marrë një prononcim edhe nga Edona Vitija, por e njëjta nuk ka qenë e qasshme deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.
Ndërkaq, kryeshefi i Ndërmarrjes Publike Lokale “Kuzhina Qendrore”, Asdren Osaj ka thënë se konkursi është në fazën finale, dhe se Vitija është vlerësuar me më së shumti pikë në këtë proces.
Osaj është shprehur i bindur se Edona Vitija është vlerësuar korrekt dhe sipas meritës.
Sipas tij, në asnjë rast për pozitën në fjalë, asnjë prej aplikanteve nuk ju është e shkelur e drejta e punësimit dhe nuk janë diskriminuar.
“Parimi i punës tonë është ndalimi i diskriminimit të drejtpërdrejt apo të tërthortë gjatë punësimit, avancimit në punë dhe avancimit profesional, nëse për atë vend pune, ai apo ajo është i/e aftë të kryej punën duke i plotësuar kushtet e përgjithshme në mënyrë adekuate”
“Do ishim jashtëzakonisht të lumtur nëse, jo vetëm për këtë pozitë, por edhe pozita të tjera të kishim një numër shumë të madh të aplikanteve, pasi vetëm kështu forcohet gara, rritet konkurrueshmeria dhe si rezultat sigurohet profesionalizmi” – u shpreh ai.
Kryeshefi Asdren Osaj shtoi se në bazë të marrëveshjes së mirëkuptimit më Komunën e Prishtinës, ndërmarrja nga kjo e fundit është asistuar në zhvillimin e procedurave të rekrutimit.
KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Komunën e Prishtinës por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Por edhe e kaluara e vetë kryeshefit është e lidhur me partinë në pushtet në Prishtinë, Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Asdren Osaj ka qenë këshilltar politik i Isa Musatafës në kohën kur ky ishte kryetar i Komunës së Prishtinës nga viti 2008 deri 2013. Mustafa deri në shkurt të vitit 2021 ka qenë kryetar i Lidhjes Demokratike e Kosovës.
Po ashtu, Osaj nga viti 2014 ka qenë shef i kabinetit të Avdullah Hoti dhe këshilltar politik i tij gjatë kohës sa ky ishte ministër i Financave. Hoti është aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së.
Osaj nuk është personi i vetëm në Ndërmarrjen Publike Lokale që e kaluara e tij politike ka kaluar nga zyret e LDK-së.
Edhe tre prej anëtarëve të bordit të Drejtorëve, bord ky i përkohshëm të “Kuzhina Qendrore”, në të kaluarën kanë qenë pjesë e LDK-së.
Bordi i përkohshëm i drejtorëve të ndërmarrjes “Kuzhina Qendrore” është i përbërë nga Petrit Abdullahu, Mimoza Xhaka Bllacaku, Ergin Janovali dhe Naime Beqiraj.
KALLXO.com ka zbuluar se Petrit Abdullahu është kryetar i Forumit të Rinisë së degës së IV- Prishtinë dhe ish-Shef i Kabinetit në Ministrin e Bujqësisë të udhëhequr nga në vitin 2020 nga Besian Mustafa, tash deputet i LDK-së.
Lidhur me konkursin në të cilën është punësuar vajza e bashkëpartiakut të tij, Abdullahu në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se nuk merr pjesë në rekrutim dhe për këtë çështje ka orientuar që të kontaktohet kryeshefi Asdren Osaj.
“Çdo konkurs publik i shpallur në NPL Kuzhina Qendrore është proceduar në bazë të Ligjit mbi Ndërrmarjet Publike, bordi tanimë me mandat 6 mujor i përkohshëm pjesë e të cilit jam, nuk merr pjesë në rekrutim. Për çdo çështje që kanë të bëjnë në nivel menaxherial, ju lutem ta kontaktoni Kryeshefin e Ndërmarrjes Publike “Kuzhina Qendrore”z.Asdren Osaj” – ka thënë ai.
Në anën tjetër, Mimoza Xhaka Bllacaku ka qenë anëtare e forumit të gruas në LDK-së.
Ajo në prononcim për KALLXO.com nuk ka pranuar të deklarohet nëse vazhdon të jetë aktive në këtë parti dhe as për të kaluarën e saj politike duke u arsyetuar me faktin se “pikëpamja politike është e drejtë themelore e çdo individi në Republikën e Kosovës”.
Madje pyetjet e adresuar i ka konsideruar “tendencioze dhe të pakuptimtë”.
“Nuk po e di arsyen se çka ka të bëjë me mua dhe pse po ju nevojiten këto informata se a jam apo nuk jam anëtare e ndonjë partie politike. Besoj se pikëpamja politike është e drejtë themelore e çdo individi në Repulbik të Kosovës dhe se kjo pyetje për mua është tendencioze dhe e pakuptimtë!” – tha ajo.
“Sa i përket informatave të ngritura nga ju në lidhje me bordin e përkohshëm të Kuzhinës Qendrore, po shihet se e paskeni informatën se kush është zyrtare për marrëdhënie me publikun, i cili numër është poashtu i publikuar në faqe zyrtare, dhe lirisht mund t’i shkruani zyrtarisht për përgjigjen e kërkuar” – ka thënë ajo.
Ndërkaq, anëtari tjetër – Ergin Janovali ka qenë kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për Kuvendin Komunal të Prishtinës në zgjedhjet e vitit 2017.
Asokohe, në kryeqytet Lidhja Demokratike e Kosovës ishte pozicionuar e dyta pas Lëvizjes Vetëvendosje me kandidat Shpend Ahmetin. Por më 226 vota, Janovali nuk arriti të sigurojë ulëse në kuvendin komunal kryeqytetas.
Pavarësisht insistimit të KALLXO.com, Ergyn Janovali nuk ka pranuar gjatë bisedës telefonike që të përgjigjet lidhur më këtë çështje. Madje nuk ka kthyer përgjigje as në pyetjet me shkrim.
“Konsultohu atje me Kuzhinën Qendrore, fol bisedo me ta, ata t’i japin. Të lutem mundesh me bisedu me Kuzhinën Qendrore ata të tregojnë, janë transparentë shumë.”- tha Janovali.
Komuna e Prishtinës që nga zgjedhjet e vitit 2021 udhëhiqet nga Përparim Rama, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për punësimet që janë kryer me baza politike në Ndërmarrjet Publike Lokale në kryeqytet.
Në shtator 2022, një asamblist i LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Fisnik Osmani është emëruar kryeshef në ndërmarrjen publike lokale “Termokos”.
Në tetor 2022, në krye të ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking” është zgjedhur Sokol Havolli, ish-këshilltar politik i ish-kryeministrit Isa Mustafa dhe së fundmi zv/guvernator i Republikës së Kosovës.
Më 1 nëntor 2022, KALLXO.com raportoi se Bardh Krasniqi, ish-këshilltar i Përparim Ramës dhe ish-kandidat për asamble në Komunën e Prishtinës nga radhët e LDK-së, është zgjedhur kryeshef i ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing”.
Më 27 dhjetor 2022, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është përballur në “Kallxo Përnime”, me një deklaratë të tij që e kishte dhënë një vit më parë lidhur me punësimet në baza politike që do të mund të përballej gjatë qeverisjes së tij.
Rama, vitin e kaluar, si i posaemëruar kryetar, thoshte se do t’ia “shikonte kandidatëve CV-në dhe jo partinë”.
Tash, një vit pas, kryetari Përparim Rama i arsyeton njerëzit e LDK-së që u emëruan në krye të ndërmarrjeve publike lokale, me faktin se “janë profesionistë”.
Rama, i cili po ashtu vjen nga radhët e LDK-së, insiston se nuk i shikon të cilës parti i takojnë kandidatët – por CV-të.