Asamblisti i LDK-së zgjidhet kundërligjshëm kryeshef i "Termokos"-it

Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fisnik Osmani, është zgjedhur kryeshef i ndërmarrjes publike “Termokos”, në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Ai ka konkurruar për pozitën e kryeshefit në ndërmarrjen publike lokale të Komunës së Prishtinës, Termokos, gjatë kohës kur ka qenë edhe asamblist në të njëjtën Komunë.

Konkursi për kryeshef të “Termokos”-it është zhvilluar me asistencë të BDO-së, kompanisë së angazhuar nga Ambasada britanike për t’u ofruar insitucioneve të Kosovës ndihmë në rekrutim të pozitave të larta drejtuese. 

Zgjedhja e Osmanit në krye të “Termokos”-it është bërë në kundërshtim më praktikën e instaluar nga bordi i Koroporatës Energjetike të Kosovës me rastin e eliminimit të Blerand Stavilecit nga gara për kryeshef të kësaj kompanie për shkak të së kaluarës së tij. Edhe në rastin e Blerand Stavilecit, konkursi ishte asistuar nga BDO-ja. 

Në atë kohë ishte kërkuar një interpretim i ligjit për Ndërmarrjet Publike nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria për Zhvillim Ekonomik nëse në krye të ndërmarrjeve lejohen të zgjidhen personat me të kaluar politike.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik përmes Zyrës së Kryeministrit kishte thënë se kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjeve publike të Kosovës duhet të jetë i pavarur, ashtu siç kërkohet edhe për anëtarët e tjerë të bordit të drejtorëve të ndërmarrjeve publike. 

Pra, asnjë person që në 36 muajt e fundit ka pasur poste politike në institucione apo në parti politike nuk mund të zgjidhet në krye të menaxhmentit të një ndërmarrje je publike.

“Në përmbledhje dhe në bazë të dispozitave të legjiscalionit në fuqi për ndërrmarje publike, konsiderojmë se bordi i drejtorëve të KEK-ut, me rastin e përzgjedhejs së kryeshefit ekzkeutiv, duhet të veprojë bazuar në neni 21 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, i cili ekzluzivisht ka të bëjë më zgjedhjen dhe emërimin e zyrtarëve të NP-së i cili sqaron se personi që është ose në çfarëdo kohe, gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartësi i një posti udhëheqës ose vendimarrës në një parti politike, nuk mund të zgjidhet kryeshef ekzekutiv i ndërmarjes publike”- thuhet në interpretimin e MZHE-së të lëshuar përmes Zyrës së Kryeministrit.

Pra, në këtë opinion ligjor është theksuar se në nenin 21 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike thuhet që me zgjedhjen dhe emërimin e zyrtarëve të lartë të ndërmarrjes publike, personi që është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36-muajshe para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike, nuk mund të zgjidhet kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes publike.

“Në Ligjin për Ndërmarrjet Publike definohet qartë se një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse “është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”- potencohet në opinionin ligjor.

Sipas këtij opinioni, përkufizimi i termit “i emëruar politik” nënkupton personin i cili është emëruar ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga BDO-ja nëse e kanë pasur parasysh interpretimin që e kanë dhënë MZHE dhe Zyra e Kryeministrit në rastin e Blerand Stavilecit para se të intervistonin Osmanin për postin e kryeshefit të ndërmarrjes “Termokos”.

“Nuk e kam parë interpretimin ligjor për Blerand Stavilecin si drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës”- ka thënë Gordon Ryan.

Tutje ai ka thënë se nuk kanë qenë në dijeni se Osmani është edhe asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

“Sa i përket emërimit të Fisnik Osmanit si kryeshef ekzekutiv i ‘Termokos’, ne nuk ishim në dijeni për përfshirjen e Fisnikut si asamblist”- ka thënë ai duke shtuar se do të ngrejë këtë çështje me bordin e kësaj ndërmarrjeje.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në ndërmarrjen “Termokos” por nga zyrtarë për media të këtij institucioni u tha se pyetjet duhet drejtuar bordit drejtues të “Termokos”-it “pasi përzgjedhja e Kryeshefit është kompetencë e tyre”.

Bordi i përkohshëm i drejtorëve të “Termokos”-it ka këtë përbërje: Ariana Pireva, kryesuese, Shuajb Mehmeti, Mirëlinda Zhushi dhe Mentor Maliqi. 

KALLXO.com ka provuar që personalisht t’i kontaktojë disa nga anëtarët e bordit drejtues. Kryesuesja e bordit, Ariana Pireva nuk është përgjigjur ende në pyetjet e KALLXO.com lidhur më këtë çështje. 

Gjithashtu anëtarja Mirëlindë Zhushi nuk ka pranuar që të deklarohet. Zhushi ka qenë edhe kandidate për asambliste të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, thotë se është zgjedhur kandidati më i mirë, i cili është vlerësuar edhe nga ekspertët britanikë.

“Bordi i përkohshëm i drejtoreve të NP “Termokos”, në bashkëpunim me projektin e Ambasadës Britanike për asistim/bashkëpunim për rekrutimin e pozitave të larta drejtuese, ka zgjedhur kandidatin me rezultatin më të mirë poentues, në konkursin e hapur për kryeshef te NP “Termokos”. Të gjithë kandidatet i janë nënshtruar procedurave të njëjta të përzgjedhjes dhe janë vlerësuar veçmas si nga bordi i drejtoreve poashtu nga ekipi i Ambasadës Britanike”- ka thënë Rama për KALLXO.com.

Bordi i “Termokos”-it më 9 shtator 2022 ka zgjedhur Fisnik Osmanin në pozitën e kryeshefit.  

Për këtë pozitë kanë aplikuar gjithsej 12 kandidatë. 

“Pas realizimit të procedurave të përzgjedhjes (vlerësimit të dokumentacionit dhe intervistimit/poentimit), bazuar në vlerësimin e realizuar veçmas dhe të pavarur si nga Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve, ashtu edhe nga ekipi i Ambasadës Britanike, kandidati Fisnik Osmani ka arritur rezultatin më të mirë poentues nga të gjithë kandidatët” – thuhet në vendimin e bordit drejtues të ‘Termokos”-it që është publikuar në faqen zyrtare të kësaj ndërmarjeje. 

Fisnik Osmani ishte i vetmi kandidat i emërueshëm sipas vlerësimit të BDO-së. Ai kishte marrë 24 pikë nga ekspertët britanikë. 

Osmani është deklaruar për KALLXO.com lidhur me përzgjedhjen e tij. 

Ai thotë se para se t’i hynte garës për kryeshef të ‘Termokos”-it është konsultuar me juristë. Sipas tij, nga juristët nuk është parë ndonjë pengesë ligjore që t’ia ndalojë garën. Dhe shton se për rastin e interpretimit ligjor të Ministrisë së Ekonomisë nuk ka informacione. 

“Në detaje nuk kam informacione, për shkak se nuk është domen i jemi, ka qenë konkursi publik, kam konkurru, i kam plotësu kriteret dhe jam zgjedhur”- ka thënë Osmani.

Osmani tregon se dorëheqjen nga posti i asamblistit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e ka ofruar tek administrata e Kuvendit të Prishtinës, javën e kaluar. 

“Dorëheqjen e kam ofruar sipas rregullave, javën e kaluar në administratën e Kuvendit. Në momentin kur kam vendosur me apliku, jam konsultu me juristë, sepse unë me profesion jam inxhinier, por nga konsultimet me juristë nuk është parë ndonjë pengesë ligjore. Të gjitha procedurat janë monitoruar edhe nga Ambasada britanike, janë rezultate publike. Raportet tregojnë se kam dalë kandidati më i përgjegjshëm për një pozitë të tillë, i vetmi nga 12 kandidatë” – thotë Osmani. 

Termokosi është ndërmarrje publike lokale, aksionar i së cilës është Komuna e Prishtinës. Menaxhimi i saj bëhet bazuar në Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Fillimisht, Komuna i cakton aksionarët e kësaj ndërmarrjeje të cilët janë përgjegjës për zgjedhjen e bordit. Më pas është bordi që hap konkurs dhe zgjedh kryeshefin dhe zyrtarët e tjerë të lartë të ndërmarrjes.

“Termokos” ofron ngrohje qendrore për qytetin e Prishtinës, për objektet që janë të lidhura në sistemin e ngrohjes.

Interpretimi ligjor që eliminoi Blerand Stavilecin nga gara për drejtor të KEK-ut