Pas BQK-së, Sokol Havolli në krye të ndërmarrjes 'Prishtina Parking'

Sokol Havolli është kryeshefi i ri që është zgjedhur për të parin e ndërmarrjes publike lokale “Prishtina Parking”.

Havolli i prin listës me 38.75 pikë. Lista me rezultatet finale nga konkursi e publikuar “Prishtina Parking” sot, 25 tetor.

“Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve, sipas rezultatit të treguar gjatë procedurave rekrutuese dhe në bazë të dokumentacionit, që posedon, si kandidat potencial dhe me mundësi zgjedhje për këtë vend pune, cakton kandidatin me më së shumti pikë”- thuhet në njoftim.

Pas Havollit janë renditur katër kandidatë tjerë.

Ndaj këtij vendimi, kandidatët kanë afat tetë ditë që të parashtrojnë ankesë në NPL “Prishtina Parking”.

Zgjedhjen e Sokol Havollit në këtë pozitë e kishte”parashikuar” partia opozitare në Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje.

“Para një jave asamblisti i LDK-së Fisnik Osmani është emëruar kryeshef i ‘Termokos’-it. Nuk po flas për anën profesioniste të tij. A t’i kallxoj edhe dy emra të tjerë që kanë me u zgjedh, në konkursin e ‘Prishtina Parking’, Sokol Havolli pritet të zgjidhet…”- ka thënë ndër të tjera asamblisti Sveçla në emisionin ‘Prime’ të RTK-së.

Deri të shpallja e konkursit të ri më datën 16 shtator 2022, ka ardhur pas një shkarkimi ose dorëheqje të ish-kryeshefit Liridon Restelica.

Në mbrëmjen e së hënës, 22 gusht, kryetari Përparim Rama njoftoi për një vendim të bordit të drejtorëve të NPL “Prishtina”.

Ai tha se u morë vendimi që të shkarkohet kryeshefi Liridon Restelica pasi kanë “konstatuar se veprimet e kryeshefit ekzekutiv, Liridon Restelica, duke përfshirë këtu keqpërdorimin e pozitës, mosinformimin e bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri te mospërfillja e dordit të drejtorëve kanë shkaktuar keqmenaxhim të përgjithshëm të ndërmarrjes dhe kanë cenuar imazhin e NPL “Prishtina Parking””.

Madje në komunikatën për media, Komuna e Prishtinës ka publikuar edhe vendimin që mbanë datën 22 gusht 2022.

Por, në anën tjetër reagoi Liridon Restelica, kryeshefi i deridjeshëm duke thënë se ka dhënë dorëheqje me datën 19 gusht, e premte. Edhe Restelica publikoi një vendim të datës 19 gusht 2022.

Por, kush është Sokol Havolli? 

E kaluara e Sokol Havollit ka lidhje me njerëzit e partisë që udhëheq me Prishtinën – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Nga 11 dhjetori i vitit 2014 deri më 12 shtator 2017 ka qenë këshilltar për politika ekonomike të Isa Mustafës.

Atë periudhë, Isa Mustafa, ish-kryetari i LDK-së, ka qenë kryeministri i Qeverisë së Kosovës.

Më pas, Sokol Havolli është emëruar zëvendësguvernator për Mbikëqyrje Financiare në Bankën Qendrore të Kosovës më datën 1 korrik 2018 nga Bordi i BQK-së.

Sokol Havolli ka qenë zëvendësguvernator në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), deri më 30 gusht të këtij viti ku dha dorëheqje nga kjo pozitë.

Në këtë letër drejtuar kryetarit të bordit dhe guvernatorit të BQK-së, Sokol Havolli, ka thënë se ndër arsyet e dorëheqjes janë presionet e pakuptimta politike që nga dhjetori i vitit të kaluar dhe sulmet ndaj menaxhmentit e anëtarëve të bordeve të kaluara.

Sokol Havolli tash e katër vite ka mbajtur pozitën e zv.guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, ndërsa zgjedhja e tij në këtë pozitë ishte përcjellë me polemika.

Në një intervistë për KALLXO Pernime, Havolli kishte thënë se është i bindur se zgjedhja e tij në këtë pozitë është në përputhje me Ligjin.

Në anën tjetër KALLXO.com më datën 19 shtator 2022 ka publikuar hulumtimin për asamblistin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fisnik Osmani, i cili u zgjodh kryeshef i ndërmarrjes publike “Termokos”, në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Ai ka konkuruar për pozitën e kryeshefit në ndërmarrjen publike lokale të Komunës së Prishtinës, Termokos, gjatë kohës kur ka qenë edhe asamblist në të njëjtën Komunë.

Asamblisti i LDK-së zgjidhet kundërligjshëm kryeshef i “Termokos”-it