Rama për emërimet politike në ndërmarrjet publike: Nuk i shikoj të cilës parti janë, por CV-në

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është përballur në “Kallxo Përnime”, me një deklaratë të tij që e kishte dhënë një vit më parë lidhur me punësimet në baza politike që do të mund të përballej gjatë qeverisjes së tij.

Rama, vitin e kaluar, si i posaemëruar kryetar, thoshte se do t’ia “shikonte kandidatëve CV-në dhe jo partinë”.

Tash, një vit pas, kryetari Përparim Rama i arsyeton njerëzit e LDK-së që u emëruan në krye të ndërmarrjeve publike lokale, me faktin se “janë profesionistë”.

KALLXO.com ka raportuar për tri emërime të njerëzve të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës që janë vendosur në krye të tri ndërmarrjeve të kryqytetit.

Rama, i cili po ashtu vjen nga radhët e LDK-së, insiston se nuk i shikon të cilës parti i takojnë kandidatët – por CV-të.

“Le partinë anash – veç shikoji figurat dhe proceset e përzgjedhjes. Mua nuk më intereson ku ka qenë, kam thanë edhe atëherë – nuk më intereson a ka qenë në Këshill të Përgjithshëm të LDK-së a të VV-së a të PDK-së, por a ka kapacitet me menaxhu një ndërmarrje. Të gjitha procedurat janë transparente dhe veprimet që merren janë në baza profesionale menaxheriale” – ka thënë kryetari Rama në emisionin “Kallxo Përnime”.

“Unë nuk i shikoj të cilës parti janë – shikoja CV-të. Shikoja secilit prej tyre CV-të, rezymetë. Unë nuk e shikoj ligjin, është zyra ligjore dhe nuk e kanë pa këtë si shkelje. Nëse kishte pasur shkelje normalisht që nuk do të ishin aty. Të gjitha procedurat kanë qenë të hapura dhe transparente dhe i sheh nëse bënë hulumtim se kush ka apliku, kush ka qenë ma i mirë dhe resymenë e tyre” – ka deklaruar kryetari Përparim Rama.

Kryetari Përparim Rama shton se nuk beson që as LDK-ja i ka përzgjedhur. Ai thotë se as të tjerëve që nuk janë nga LDK-ja nuk ia ndalon marrjen e pozitave të rëndësishme.

“Procesi i menaxhimit, a ke aftësi menaxhuese, a ke menaxhu procese të ndryshme, a ke kriju planifikime për zhvillim – këto janë aspekte që shikohen. Ka edhe njerëz që nuk janë në LDK edhe po menaxhojnë ndërmarrje” – thotë Rama.

“Nuk besoj që as LDK-ja i ka përzgjedh. Nëse ata kanë qenë të LDK-së,   nuk janë aty sepse kanë qenë të LDK-së, janë aty sepse kanë qenë më të mirët – në aspektin profesional menaxherial. Nuk mundem me ia ndalë unë, pse është i LDK-së me qenë aty. Sikur nuk ia ndal as të tjerëve që nuk janë të LDK-së” – shtoi ai.

KALLXO.com më datën 19 shtator 2022 ka publikuar hulumtimin për asamblistin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fisnik Osmani, i cili u zgjodh kryeshef i ndërmarrjes publike “Termokos”, në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Ai ka konkuruar për pozitën e kryeshefit në ndërmarrjen publike lokale të Komunës së Prishtinës, Termokos, gjatë kohës kur ka qenë edhe asamblist në të njëjtën Komunë.

Më 25 tetor 2022, KALLXO.com raportoi se Sokol Havolli është kryeshefi i ri që është zgjedhur për të parin e ndërmarrjes publike lokale “Prishtina Parking”.

E kaluara e Sokol Havollit ka lidhje me njerëzit e partisë që udhëheq me Prishtinën – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Nga 11 dhjetori i vitit 2014 deri më 12 shtator 2017 ka qenë këshilltar për politika ekonomike të Isa Mustafës.

Më 1 nëntor 2022, KALLXO.com raportoi se Bardh Krasniqi, ish-këshilltar i Përparim Ramës dhe ish-kandidat për asamble në Komunën e Prishtinës nga radhët e LDK-së, është zgjedhur kryeshef i ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing”.

Aksionar i kësaj ndërmarrje publike është Komuna e Prishtinës që udhëhiqet nga Përparim Rama i LDK-së.

Krasniqi aktualisht është pjesë e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

 

Pas BQK-së, Sokol Havolli në krye të ndërmarrjes ‘Prishtina Parking’