Projekti për Spitalin e Prishtinës
Rama: Spitali i Prishtinës pritet të fillojë gjatë vitit 2023
Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës pritet të fillojë gjatë vitit 2023. Kështu u paralajmërua në takimin e mbajtur nga kryetari i Prishtinës, Perparim Rama; ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi dhe drejtori komunal i Shëndetësisë, Izet Sadiku.
Në këtë takim u tha se punët për ndërtimin e këtij spitali janë duke ecur sipas planit.
“Bashkë me ministrin u dakorduam që të kemi një bashkëpunim të ngushtë në krijimin e një institucioni dhe sistemi të mirëfilltë shëndetësor, i cili do të ofrojë shërbime sa më cilësore për qytetarët e Prishtinës” – ka shkruar Rama.
Në muajin qershor, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi dhe përfaqësues të tjerë kanë shpalosur projektin për Spitalin e Përgjithshëm të kryeqytetit.
Rama kishte deklaruar se mundësia e ndërtimit të spitalit do të ishte në ndonjërin nga fshatrat e Gollakut.
“Siç e dini çdo qytet tjetër ka spitalet e veta, kryeqytetit ende i mungon. E kemi QKUK-në që ofron shërbime sekondare dhe terciare. Kemi bashkëpunim shumë të mirë me ministrin e shëndetësisë Latifi, ku kemi diskutuar nëse duhet të kemi një spital me shërbim sekondar në qendër apo një me shërbim terciar diku në fshatra të Gollakut, ndërsa QKUK të bëhet sekondar” – kishte thënë Rama në muajin qershor.
Më herët për spitalin e qytetit është përmendur ish-kazerma e ushtrisë në fshatin Llukar të Prishtinës.
Komuna e Prishtinës me anë të Ligjit për Kryeqytetin i miratuar në vitin 2018, ka të drejtë të ketë Spitalin e qytetit si dhe Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit.