Bëhet prezantimi i dizajnit konceptual për Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës

Komuna e Prishtinës ka prezantuar dizajnin konceptual për Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës.

Në një tryezë të organizuar për këtë qëllim u fol për rëndësinë që kryeqyteti të ketë një spital. Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, theksoi se Prishtina vitin e kaluar i ka pasur mbi 1 milionë vizita shëndetësore për një vit.

“Kjo tregon domosdoshmërinë e një spitali të qytetit duke pasur parasysh se vitin e kaluar në analizën që kemi bartur në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë rreth 400 mijë qytetarë kanë marrë vizita në ndërrimin e pasdites dhe të natës” – tha drejtori Sadiku.

“Ju e dini që koncepti i mjekësisë familjare është koncept që duhet të zhvillohet prej orës tetë deri në ora katër por duke pasur parasysh mungesën e Spitalit që ka Prishtina kjo i ka obliguar Qendrat e Mjeksisë Familjare në Prishtinë që me punu edhe në ndërrimin e pas natës, m`i thy konceptin e mjekësisë familjare dhe punu edhe ndërrimin e pasdites. Kjo e bën të domosdoshme që sa më shpejtë ta kemi Spitalin e Prishtinës” – shtoi ai.

Një rëndësi të tillë e pohoi edhe i pari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Ai tha se qytetet tjera të Kosovës kanë qasje më të lehtë në spitale sekondare.

“Të gjitha viset tjera, qytetet tjera të Kosovës kanë qasje shumë më të mirë dhe më të lehtë në spitale sekondare kurse Prishtina jo për shkak se spitalet janë të përziera. Pra, oferta sekondare dhe terciare janë si pjesë e QKUK-së dhe në një farë mënyre neglizhohen më së pari qytetarët e kryeqytetit. Për këtë arsye nevoja është shumë e madhe që spitali i kryeqytetit të vazhdojë të ndërtohet dhe këtë jemi duke e bërë” – tha Rama.

Drejtori Izet Sadiku dhe kryetari Përparim Rama gjatë prezantimit të dizajnit konceptual për Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës. FOTO: KALLXO.com

Gjatë kësaj tryeze të pranishmit diksutuan dhe dhanë sugjerimet e tyre rreth kushteve dhe planit të Spitalit të Përgjithshëm të Prishtinës.

Sabine Toma nga kompania ICME bëri të ditur se Spitali i Përgjithshëm i Prishtinës është planifikuar në periferi të kryeqytetit.

Ajo u shpreh se kjo gjë do të jetë një projekt shumë i rëndësishëm dhe i merituar për qytetin.

“Është planifikuar si një spital i përgjithshëm që ofron kujdes dytësor për pacientët e tij, kështu që qendra e kujdesit parësor do të jetë qendra e kujdesit atje, do t’i referojë pacientët atje dhe më pas do të ofrojnë shërbime shumë të mira dhe të përgjithshme për pacientët me disa specializime…” – tha Toma.

Sabine Toma nga ICME. FOTO: KALLXO.com

Ajo përmendi disa prej specifikave që pritet t’i ketë ky spital.

“Spitali aktualisht është planifikuar me rreth dyqind shtretër për pacientë, i mbështetur nga një departament urgjence i cili do të punonjë 24 orë çdo ditë, dhe një departament i fortë ambulator i ndarë në shërbime kirurgjikale, shërbime mjekësore për gra dhe pediatri, dhoma e lindjes. Ky është planifikimi aktual” – shtoi ajo.

E pyetur për çmimin Tome nuk dha një përgjigje me arsyetimin se ende janë duke llogaritur se sa do të kushtojë ky projekt.

“Ne jemi duke llogaritur se sa do të kushtojë, duhet të marrim parasysh parcelën e cila është në periferi dhe është një parcelë mjaft kodrinore, kështu që ne duhet të rregullojmë arkitekturën për të përmbushur kërkesën e parcelës dhe të gjitha madhësitë dhe më pas do llogaritni shumën se sa do të kushtojë për ta ndërtuar atë” – përfundoi ajo.

Në gusht të vitit të kaluar ishte thënë se ndërtimi i Spitalit të Prishtinës pritet të fillojë gjatë vitit 2023. Kështu ishte paralajmëruar në takimin e mbajtur nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama; ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Rifat Latifi dhe drejtori komunal i Shëndetësisë, Izet Sadiku.

 

Rama: Spitali i Prishtinës pritet të fillojë gjatë vitit 2023