Përparim Rama shpalos projektin e fizibilitetit për Spitalin e Prishtinës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama së bashku me ministrin e Shëndetësisë Rifat Latifi dhe përfaqësues tjerë kanë shpalosur projektin për Spitalin e Përgjithshëm të kryeqytetit.

Rama në një tryezë ku pati edhe përfaqësues të organizatave të huaja tha se Prishtina ka nevojë për spitalin e vet.

Kryetari tha se me ministrin e Shëndetësisë Rifat Latifi kanë diskutuar  nëse Prishtina duhet të ketë spital me shërbime sekondare në qendër apo një me shërbim terciar në ndonjë fshat të Gollakut.

“Siç e dini çdo qytet tjetër ka spitalet e veta, kryeqytetit ende i mungon.  E kemi QKUK-në që ofron  shërbime sekondare dhe terciare. Kemi bashkëpunim shumë të mirë me ministrin e shëndetësisë Latifi, ku kemi diskutuar nëse duhet të kemi një spital me shërbim sekondar në qendër apo një me shërbim terciar diku në fshatra të Gollakut, ndërsa QKUK të bëhet sekondar”, ka thënë Rama.

Derisa, ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi tha se QKUK ka qenë spital i Prishtinës dhe çështja është nëse duhet të ndërtohet një tjetër i ri apo t’i kthehet spitali që kishte.

“Unë kam përshtypjen se QKUK ka qenë spital i Prishtinës, është quajtur spitali i Prishtinës, tani çështja është nëse do ndërtojmë spital të ri apo t’ia kthejmë spitalin Prishtinës”, ka thënë Latifi.

Latifi përmendi edhe prioritet e tij për shëndetësinë në Kosovë.

“Prioritet e shëndetësisë së Kosovës dua t’i bashkojë në tri elemente kryesore; legjislacioni, infrastruktura spitalore me kapacitete njerëzore dhe standardet e kujdesit ndaj pacientit sipas trupave akreditues ndërkombëtare”, shtoi më tej Latifi.

Pjesë e kësaj tryeze ishin edhe Ambasadorja jorezidente e Emirateve të Bashkuara Arabe në Kosovë, Nabila AlShamsi, Koordinatori i TIKA-s Turke në Kosovë, Cihan Dinçer dhe partnerë të tjerë ku u shpalos ‘Projekti i Fizibilitetit për Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës’, të realizuar nga Kompania ICME.

Komuna e Prishtinës me anë të Ligjit për Kryeqytetin i miratuar në vitin 2018, ka të drejtë të ketë Spitalin e qytetit si dhe Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit.

Më herët për spitalin e qytetit është përmendur ish-kazerma e ushtrisë në fshatin Llukar të Prishtinës.