Nis ndërtimi i Qendrës për trajtimin e qenve endacakë në Hajvali

Komuna e Prishtinës ka nisur procesin e ndërtimit të Qendrës për trajtimin e qenve endacakë në fshatin Hajvali.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama së bashku më drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu dhe zyrtarë tjerë gjatë ditës vizituan nisjen e punimeve për këtë projekt.

Rama u shpreh se zgjidhja e çështjes së problemit me qentë endacakë kërkon bashkëpunim mes komunave e nivelit qendror.

“Për herë të parë në Kosovë ndërtohet një qendër e tillë, e cila kryesisht fokusin do ta ketë në trajtimin e qenve endacakë. Kryeqyteti është zotuar të zgjidhë këtë çështje, e cila kërkon bashkëpunim të ngushtë mes të gjitha komunave dhe veçanërisht me institucionet qendrore. Siguria e qytetarëve tanë është prioritet”- u shpreh Rama.

Qendra për trajtimin e qenve endacakë është duke u ndërtuar në zonën e Hajvalisë në rrugën “Dëshmorët e Gollakut”, afër lagjes “Marigona Hill” .

Kjo qendër do të dedikohet për trajtimin e qenve endacakë dhe do të jetë në funksion gjatë gjithë kohës për kastrim/sterilizim dhe vaksinim të tyre nga një staf i rregullt i cili do të angazhohet pas përfundimit të ndërtimit të qendrës.