Shefi i asamblistëve të LVV në Prishtinë, Gëzim Sveçla në konferencë për media | Foto: Kallxo.com

LVV e quan fillim i fundit të koalicionit, shkarkimin që kryetari Rama i bëri drejtorit të PDK-së

Shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal në Prishtinë, Gëzim Sveçla e ka quajtur shkarkimin e sotëm të drejtorit të PDK-së, Ilirk Musliu, nga ana e kryetarit Përparim Rama, si fillim të fundit të koalicionit qeverisës.

Sipas tij, ky ka qenë koalicion interesi dhe në momentin që këto interesa nuk u përputhën, ndodhën thyerje mes tyre.

“Me shumë gjasë ky është fillimi i fundit të një koalicioni që ishte i ndërtuar nga interesa partiake e personale, e jo nga parime e programe. Qytetarët nuk kanë nevojë fare të brengosen për epilogun e këtij koalicioni, sepse gjendja në Prishtinë më keq se sa është sot, s`ka si të bëhet”- u shpreh Sveçla.

Ai tutje shtoi se ky koalicion qeverisës LDK – PDK, nuk i ka dhënë asgjë të veçantë qytetit, përpos degradimit.

“Tradicionalisht saherë janë bërë bashkë LDK e PDK asgjë mirë nuk i ka ndodhur as Prishtinës e as Kosovës në përgjithësi”- shtoi tutje Sveçla.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se për shkak të “gjendjes alarmante” me menaxhimin e mbeturinave, ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu.

Lidhur me këtë, nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu ka deklaruar se shkarkimi i drejtorit të shërbimeve publike, Ilirk Musliu nuk ka të bëjë asgjë me mbeturinat, por qëndrimin e PDK-së lidhur me këmbimin e pronave në Badovc.

Ajo përmes një shkrimi në rrjetin Facebook këtë veprim të kryetarit e ka cilësuar si revansh për qëndrimin e tyre lidhur me këtë çështje.

PDK në kryeqytet përmes një konference më 31 janar deklaruan se bojkotuan tre senaca të Kuvendit Komunal pasi ky i fundit, sipas tyre, shndërruar në fushë betejë pronash.

Më 25 janar 2024, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një konferencë për media tha se ishin cak i sulmeve sa i përket çështjes së këmbimit të pronave në zonën e mbrojtur të Badovcit me prona në lagjen ‘Prishtina e Re’, proces ky i nisur para se të vinte në pushtet.

Shkarkimi i drejtorit të PDK-së nga kryetari Rama, Sahatçiu e quan revansh ndaj qëndrimit të tyre për Badovcin