Gjykata Themelore e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Tentimvrasja për rrugën e arës, dështon seanca ndaj dy të akuzuarve

Në Gjykatën e Mitrovicës ka dështuar të mbahet seanca e gjykimit ndaj të akuzuarve Gani dhe Getoar Gërxhaliu.

Të lartcekurit nga Prokuroria akuzohen për tentim vrasjen e tani të dëmtuarit Lavdim Sherifi.

Seanca e sotme nuk është mbajtur për shkak të mungesës së kushteve ligjore për mbajtjen e saj.

Kryetari i turpit gjykues, gjyqtari Bekim Veliqi ka njoftuar se nga Prokuroria e Mitrovicës me parashtresë janë njoftuar se prokurori i rastit, Naim Beka për shkaqe shëndetësore nuk mund të prezantoj në seancë.

Andaj në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seance e njëjta është shtyrë, për datën 16 shkurt.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Gani Gërxhaliu, në tetor të vitit 2011, në Mitrovicë, në rrugën “Arif Lisica”, te ish-tregu i bagëtive, me dashje kishte tentuar që të privoj nga jeta të dëmtuarin Lavdim Sherifi.

Por  të njëjtën nuk e kishte përfunduar pasi në mes tyre kishte ndërhyrë djali i Ganiut i pandehuri Getoar Gërxhaliu.

Në akuzën e Prokurorisë përshkruhet se si kishte ndodhur ngjarja.

Aty thuhet se derisa i dëmtuari Lavdim Sherifi kishte shkuar me disa punëtorë të tjerë në arën e tij, për të nxjerrë patatet dhe kishte filluar të bie shi, ai së bashku me punëtorët ishte nisur me kamionin e tij që të kthehen në shtëpi, i pandehuri i kishte dal përpara me automjetin e markës “BMW-X5”.

Ndërsa i dëmtuari Sherifi zbret nga kamioni dhe tani i pandehuri Gani Gërxhaliu i shoqëruar nga djali i tij, i kishte thënë të dëmtuarit “sot ke hy në arë dhe punove më nuk ke rrugë për në arë”, dhe i dëmtuari ia kthen “duhet kadastri me vendos nëse thotë se unë nuk kam rrugë unë nuk hyj”, i pandehuri kishte filluar të shaj dhe me pas i thotë “kush je ti që ma bjen kadastin”, dhe kishte nxjerr revolen e kishte gjuajtur me armë në drejtim të dëmtuarit Lavdim Sherifi të cilin e kishte goditur në këmbë, por vepra ka mbetur në tentativë ngase mes tyre kishte ndërhyrë i pandehuri Getoar Gërxhaliu.

Me këtë, i pandehuri Gani Gërxhaliu akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë”.

Dy të pandehurit Gani dhe Getoar Gërxhaliu, akuzohen se me datë, kohë dhe vend të njëjtë kishin poseduar edhe armë, ku me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.