Komuna e Prishtinës

Komuna e Prishtinës shpenzoi 43 milionë euro deri në korrik nga buxheti prej 121 milionësh

Buxheti i komunës së Prishtinës për këtë vit ka qenë afër 86 milionë euro, ndërsa me mjetet dhe projektet e bartura nga vitet paraprake, buxheti ka kapur shifrën e mbi 121 milionë eurove.

Të hyrat vetanake të pashpenzuara nga vitet e mëhershme, në shumë prej 34,347,176.33 euro, ishin bartur në vitin 2021.

Këto mjete paraqiten si suficite buxhetore, por janë obligime të kontraktuara ndaj projekteve të papërfunduara, në shumë prej 27,623,176.33 euro dhe subvencione dhe transfere, në shumë prej 6,724,000.00 euro.

Gjatë periudhës janar – qershor 2021, komuna ka shpenzuar gjithsej 36,371,367.00 euro.

Në bazë të raporteve të Drejtorisë së Financave në komunë, në tremujorin e parë (janar, shkurt, mars) të këtij viti janë shpenzuar 14,528,224.96 euro, apo 18.62 për qind e buxhetit të planifikuar për vitin 2021.

Prej tyre, për paga janë shpenzuar 8,463,806.00 euro ose 27.30 %, për mallra dhe shërbime janë shpenzuar 3,704,211.76 euro ose 18.43 %, për shpenzime komunale janë shpenzuar 477,990.67 euro ose 22.76%, për subvencione janë shpenzuar 945,945.15 euro ose 23.65%, për shpenzime kapitale janë shpenzuar 936,271.38 euro ose 3.56% e buxhetit të planifikuar për kategorinë e investimeve kapitale.

Në krahasim me vitin e kaluar, shpenzimet janë në rritje për 18.62 %.

Në muajin janar, komuna ka shpenzuar, 2,583,016.05 euro, në muajin shkurt 5,505,378.78 euro dhe në muajin mars 4,557,613.60 euro.

Në vitin 2020, në tremujorin e parë të vitit ishin shpenzuar 12 milionë euro.

Kurse në tremujorin e dytë të këtij viti (prill, maj, qershor), shpenzimet buxhetore kanë arritur në 21,843,142.04, apo 24.73% më shumë krahasuar me shpenzimet e realizuara gjatë së njëjtës periudhë të vitit paraprak.

Ndikim në rritjen e shpenzimeve ka pasur përkrahja për biznese pakoja ekonomike emergjente “Prishtina 2” e datës 11.06.2020 që ka filluar të realizohet gjatë këtij viti, e cila kryesisht është nxitur nga ekzekutimi më i lartë i shpenzimeve.

Prej tyre, për paga janë shpenzuar 7,954,154.54 euro ose 24.85%, për mallra dhe shërbime janë shpenzuar 5,345,964.39 euro ose 25.58%, për shpenzime komunale janë shpenzuar 458,060.88 euro ose 21.81%, për subvencione janë shpenzuar 5,352,671.37 euro ose 49.91%, për shpenzime kapitale janë shpenzuar 2,732,290.86 euro ose 4.86%, e buxhetit për vitin 2021, shpenzimet janë në rritje për 24.73 %.

Në muajin prill janë shpenzuar 5,467,091.84 euro, në muajin maj 9,206,533.45 euro dhe në muajin qershor  7,169,516.75 euro.

Ndërsa, në muajin korrik, komuna ka shpenzuar afër 7 milionë euro.

Komuna ka edhe shumë projekte të mëdha në procedura të prokurimit të cilat do ndikojnë në shpenzimet buxhetore deri në fund të këtij viti.

Ndërsa, në shqyrtimet e para për buxhetin e vitit 2022, komuna parasheh të ketë buxhet deri në 90 milionë euro, cili më pas mund të shënojë rritje me mjete që barten nga vitet paraprake.

 

Prishtina bart mbi 34 milionë euro të pashpenzuara nga viti 2020 në 2021