Ilustrim

Prej sot bashkë me pronësinë e automjetit bartet edhe regjistrimi i mbetur

Në Komisionin për Zhvillim Ekonomik sot është votuar plotësim ndryshimi i Ligjit për Automjete. Ky ligj mundëson që bashkë me bartjen e pronësisë së automjetit të bartet edhe regjistrimi i mbetur.

Votimin e këtij ligji e ka bërë të ditur, deputeti nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku tha se me votimin e këtij ligji, u votua për liberalizimin e tregut të kontrolleve teknike.

“Në Komisionit për Zhvillim Ekonomik, sot është votuar që bashkë me bartjen e pronësisë së automjetit të bartet edhe regjistrimi i mbetur. Është votuar për liberalizimin e tregut të kontrolleve teknike. Kjo nënkupton që qytetarët mund ta bëjnë kontrollin teknik të automjetit në gjithë territorin e Kosovës e jo veç në komunë e caktuar, siç ka qenë deri me tani.  Poashtu është hequr kufizimi për certifikimin e kontrolleve të reja teknike.  Dhe së fundi është votuar që kufiri i vjetërsisë së automjeteve të importuara të rritet nga 10 në 15 vjet!  Jam i bindur se këto amandamente do ta marrin mbështetjen edhe në Seancë Plenare.  Si Kryetar i Grupit Punues për plotësim ndryshimin e Ligjit për Automjete, e falënderoj deputetin Mërgim Lushtaku si dhe gjithë anëtarët e Grupit për punën e bërë!  Votimi i sotëm korrigjon disa padrejtësi që u janë bërë qytetarëve!”, ka shkruar Nitaj në llogarinë e tij të Facebook-ut.

Nitaj u shpreh se ky ligj korrigjon disa padrejtësi që u janë bërë qytetarëve. Në muajin qershor pati hyrë në fuqi, ligji për automjete i cili nxiti pakënaqësi te qytetarët.

Ky ligj kishte pasur shumë ndryshime në regjistrimin e automjeteve, kushte mbi pronësinë e automjeteve, kushte rreth importit të automjeteve të përdoruar e deri tek ndërrimi i targave.

Qytetarët ankoheshin për humbjen e regjistrimit të automjeteve në momentin e blerjes, edhe përkundër faktit që tek blerësi automjeti ka me muaj të tërë.