Buxheti i Prishtinës për vitin 2024 pritet të jetë 123 milionë euro

Komuna e Prishtinës do ketë buxhet në shumë prej 123 milionë e 700 mijë euro për vitin 2024, ky buxhet u miratua në asamblenë komunale përmes një seance të jashtëzakonshme.

Kryetari Përparim Rama e quajti këtë buxhet si më të lartin që kryeqyeti ka pas deri tani dhe potencoi se do jetë buxhet për transformim të Prishtinës.

“Buxheti do jetë 123 milionë e 700 mijë euro, rreth 20 milionë euro më i lartë se ai i vitit të kaluar. Buxheti është bërë në bazë të matjes së popullësisë në vitin 2011 ku thuhet se janë rreth 200 mijë banorë e që ne fakt janë më shumë se kaq”- ka thënë Rama.

I pari i kryeqyteti tutje shtoi se hartimi i buxhetit është një nga punët më sfiduese.

“Jemi përpjekur që të gjitha kërkesat të harmonizohen e bashkërendohen mirë, buxheti adreson kërkesat e qytetarëve dhe është në përputhje me platformën që kemi prezanuar”- shtoi ai.

Rama përmendi edhe disa prej projekteve më të mëdha që parashihen në këtë buxhet.

“Mbi 40 milionë për investime kapitale, 6 milionë për transportin publik, 5 milionë për menaxhim të mbeturinave, mbi 4 milionë për nënkalimin në rrugën ‘Agim Ramadani’, mbi 7 milionë për rrugën A, mbi 2 milionë për revitalizim të Tulltores në një vend arti, 2 milionë për ndërtim të Sallës Koncertale dhe Muzeut të arteve, 4 milionë euro për Qendrën Olimpike në Bërnicë, 5 milionë euro për subvencione në fusha të ndryshme etj”- ka thënë Rama.

Drejtoresha e Financave, Valbona Makolli tha se në rritje të buxhetit në krahasim me vitet paraprake ka ndikuar edhe ligji për paga që përfshinë kategorinë paga dhe mëditje.

Seanca edhe kësaj radhe është bojkotuar nga partitë opozitare LVV dhe AAK të cilët po konsiderojnë se Kryetari i komunës është duke shkelur ligjin më vendimet e marra në asamblenë komunale.