Vetëm 19 % të pronës në Kosovë është e regjistruar në emër të dy bashkëshortëve

Në Kosovë 19% e pronave zotërohen nga gratë. Duke i regjistruar pronat në emër të tyre, gratë kanë më shumë mundësi për të marrë fonde nga qeveria, për të marrë kredi, e për t’i mundësuar vetes një jetesë më të lehtë.

Kriteret e dhënies së granteve në bujqësi krijojnë mundësi që nëse gratë aplikojnë, ato do marrin më lehtë subvencione. Në projekte të tjera gratë që kanë prona mund të hapin biznese duke marrë kredi apo duke aplikuar në fonde të cilat i mbështesin gratë për të hapur biznese të reja.

Njëjtë siç është rasti i dy grave që kanë biznes të vetin, Behije Berisha nga Komuna e Pejës dhe Selvije Gashi nga Lipjani.

Behije Berisha që nga paslufta ka punuar si rrobaqepëse. Ajo tash ka arritur ta zgjeroj biznesin e saj sepse më përpara ajo punonte vetëm në shtëpi.

Berisha ka në pronësi një banesë në rajonin e Pejës dhe lënia e banesës hipotekë i ka krijuar asaj mundësinë e marrjes së kredisë. Berisha ka thënë se planifikon ta zgjeroj shitjen e produkteve të saj edhe në zona të tjera të vendit.

“Që 24 vite që punoj. Unë qepi fustana krejt veshjet do të thotë i bëj. Fustanat dhe të përditshmet, për fëmijë dhe për të rritur. Çka është për mu vesh e punojmë. Mua më ka ndihmu për me jetu, me i shkollu fëmijët dhe për me jetu”, ka thënë Berisha.

Ndërsa Selvije Gashi zotëron një pronë prej 2 hektarësh në afërsi të Lipjanit.

Gashi është në mesin e grave të suksesshme të kësaj komune.

Ëndërr e Gashit ishte gjithmonë që të merrej me lule, andaj ajo sot ka në pronësi një lulishte.

“Biznesi dhe prona janë në emër timin. Unë kur kam qenë shumë e re, kam pasur njëlloj pasioni për lulet dhe gjithmonë kam menduar se në të ardhmen do të krijoj një biznes të luleve. Deshti fati dhe në vitin 2005 unë e krijova këtë biznes”, ka thënë Gashi.

Pikërisht për këtë temë u diskutua në emisionin #KallxoPernime’.

Plator Gërdovci, drejtor i Bujqësisë në Komunën e Prishtinës, tha se shifra prej 19% është shumë e vogël dhe se këtu ndikon edhe mentaliteti i kosovarëve, pse kaq pak prona janë të regjistruara në emër të grave.

“Mendojë që prej rrethanave të cilave kemi ardh si shoqëri, paragjykimet dhe historisë prej nga vijmë, ndikojnë në këtë përqindje. Ky numër kaq i vogël i grave që kanë prona në emër të tyre shkakton edhe probleme të tjera, si psh grantet në bujqësi”, ka thënë Gërdovci.

Ai ka renditur edhe tri arsye të tjera të cilat sipas tij po shkaktojnë një pabarazi në qasjen e fondeve publike.

“Mungesa e informimit, mos pasja e pronës në emër të tyre, ndikon që gratë të mos aplikojnë për grante publike, edukimi është një gjë tjetër e rëndësishme që po ndikon në këtë pabarazi”, ka thënë më tej Gërdovci.

Komuna e Ferizajt renditet e dyta pas kryeqytetit, për sa i përket statistikave për regjistrimin e pronësisë së përbashkët.

Balton Dërguti, Drejtor i Zhvillimit Ekonomik në këtë komunë ka thënë se pavarësisht kësaj nuk janë të kënaqur pasi që nuk është numër i mjaftueshëm për ta barazuar çështjen pronësore.

“Ka shumë faktorë që kanë ndikuar në këtë përqindje, faktori i parë mendoj që është mentaliteti, edukata dhe duke pas parasysh që jetojmë në një vend me një zhvillim ekonomik të ulët dhe në një vend të tillë nuk ka as ngritje të vetëdijes, në të kaluarën prindërit kanë menduar që trashëgimia ju takon vetëm djemve”, ka thënë Dërguti.

Në 2022, mbi 4 mijë qifte e kanë regjistruar pronën në emër të dy bashkëshortëve në Kosovë

Edi Gusia, nga Agjencia për Barazi Gjinore, në emisionin #KallxoPernime’, ku sonte po diskutohet për qasjen e grave në prona, ka thënë se numri i grave që trashëgojnë pronën është shumë i vogël.

Ajo thotë se vendi çalon si në trashëgiminë e pronës nga gratë po ashtu edhe në regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve.

“Shifra e trashëgimisë, numri është edhe më i vogël sesa te prona e regjistruar në emër të dy bashkëshortëve. Agjencia për Barazi Gjinorë në 2016 i pat propozuar Qeverisë një masë afirmative për regjistrimin e pronës së përbashkët në emër të dy bashkëshortëve pa pagesë. Në vitin 2016 kemi pasur vetëm 105 qifte që e kanë regjistruar pronën e përbashkët në tërë Kosovën e në 2022 janë 4 mijë 375 qifte që e kanë bërë këtë”, ka thënë Gusia.

Suzana Gashi, nga zyra e Avokatit të Popullit, ka thënë se udhëzimi administrativ si masë afirmative për regjistrimin e pronës së përbashkët është shumë inkurajuese, por nuk mjafton.

“Ne kemi një sistem të trashëguar që pa marr parasysh nëse gruaja për pronën e fituar gjatë periudhës sa ka qenë e martuar, qoftë e regjistruar apo jo, ajo është pronare e gjysmës së pronës dhe kjo nuk është dashur as të diskutohet. Korniza ligjore në përgjithësi është mirë por tash problemi është tek zbatimi në praktikë. Nuk do të thotë që vetëm me divorc ki me kërku pjesën tënde, në çdo kohë ki të drejt me e veçu pjesën tënde”, ka thënë Gashi.

Gashi ka shtuar se dekurajuese është fakti që institucioni i Avokatit të Popullit merr shumë pak ankesa sa i përket çështjeve pronësore.

“Na kemi lansuar platforma të ndryshme qoftë online ne kemi zyre në gjithë Kosovën edhe në pjesën veriore për me qenë më afër popullit, por ka shumë pak ankesa që vijnë në drejtim tonin”, tha Gashi.

Edi Gusia, nga Agjencia për Barazi Gjinore, ka thënë se gratë dhe vajzat duhet të jenë në dijeni kur atyre u shkelet e drejta në pronë dhe të lajmërojnë rastet e diskriminimit.

Një prej faktorëve pengues sipas Gusisë është edhe lëshimi i aktit të vdekjes e i cili nuk lëshohet gjithmonë në mënyrën më adekuate.

Lëshimi i aktit të vdekjes do të lehtësonte shumë në përcjelljen e gjithë linjës së trashëgimisë familjare.

“Ndodh që në aktin e vdekjes të mos figurojnë trashëgimtaret vajza ndonjëherë ndodh në mënyrë të qëllimshme, ku familja fshehurazi don ta largoj nga trashëgimia por ndonjëherë edhe vet vajzat heqin dorë nga trashëgimia”, ka thënë Gusia.

Lëshimi i aktit të vdekjes nëse do të ishte bërë në mënyrën e duhur, sipas Gusisë do ta lehtësonte përcjelljen e të gjithë linjave të trashëgimisë.

“Këtu ka hapësirë për tu punu edhe tek Agjencia e regjistrit civil sepse është e zorshme të kemi trungun familjar dhe të dimë se trashëgimlënësit në momentin e vdekjes, sa trashëgimtar kanë lënë, sa djem sa vajza, por kjo është çështje që duhet të ngritët”, ka thënë Gusia.

Plator Gërdovci, Drejtor i Bujqësisë në Komunën e Prishtinës, thotë se këto probleme si ai me lëshimin e aktit të vdekjes, janë të evidentuara moti kohë, duke shtuar që në secilin akt duhet të jenë të gjithë trashëgimtarët.

“Shumë herë vajzat lihen jashtë dhe kjo pastaj po shkakton telashe të ndryshme”, ka shtuar Gërdovci.

Komuna e Prishtinës mbështet gratë në bujqësi

Plator Gërdovci, Drejtor i Bujqësisë në Komunën e Prishtinës ka thënë se mungesa e pronës e penalizon shumë një grua që të merret me agrobiznes.

Ai ka shtuar se Komuna e Prishtinës ka mundësuar të gjitha grave që të aplikojnë për grante vetëm me një certifikatë familjare.

“E kemi vërejtur që është një problematikë shumë e madhe dhe mund të lërë komplet një fuqi punëtore apo kreative që të mos merret me agrobiznes”, ka thënë Gërdovci.

Gërdovci ka shtuar se në Komunën e Prishtinës vetëm 10% të përfitueseve të granteve janë gra ndërsa në Ministrinë e Bujqësisë është vetëm 5%.

“Janë 60 fermere gra që merren me bimë mjekuese aromatike interesi ynë ka qenë që t`i ndihmojmë ato gra dhe t`i subvencionojmë, e kemi hapur thirrjen për grante dhe kanë aplikuar vetëm 3 dhe e shohim që këtu është një problem dhe e kemi hapur prapë thirrjen e dytë dhe i kemi ftu pikat grumbulluese që janë dhe në konsulta me to e kemi vërejt që çështja problematike është ajo e pronës”, ka thënë Gërdovci.

Sipas Gërdovcit çështja e pronës dhe e informimit kanë qenë kryesoret që këto gra fermere nuk kanë aplikuar për grante.

“Shumica prej grave në zonat rurale e kanë konsideruar proces të ndërlikuar ardhjen deri në komunë dhe plotësimin e një formulari e disa dokumenteve për me pas qasje në ato fonde”, ka thënë më tej ai.

E këtë vit, Komuna e Prishtinës ka vendosur krejt ndryshe.

“Paraprakisht do ti mbledhim të gjitha gratë e këtyre pikave grumbulluese dhe tu sqarojmë që kjo procedurë e thjeshtë dhe e lehtë për të pasur qasje në këto fonde. Pasi që është edhe e nevojshme për to. Fillimisht do ti ftojmë ti njoftojmë më pas do të shpallim aplikimin për subvencione”, ka thënë Gërdovci.

100 mijë euro grante për biznes u ndahen grave në Komunën e Ferizajt

Balton Dërguti, Drejtor i Zhvillimit Ekonomik nga Komuna e Ferizajt, në emisionin #KallxoPernime,  ka thënë se në këtë drejtori ka më pak pengesa për të fituar grante për biznes.

Dërguti ka shtuar se për aplikimin për grante në këtë drejtori nuk kërkohet posedimi i pronës apo lokal biznesi.

“Ne këtë vit i kemi ndarë 100 mijë euro për grante për biznese, në të kaluarën ka pasur edhe kritere që përparësi kanë pasur gratë por s`ka pasur përqindje të caktuar, tash duke e parë nevojën përmbështetje ndaj grave, kemi vendosur që këtë vit grantin për

biznes ta japim 100% për gratë”, ka thënë Dërguti.

Ai ka shtuar se nga ky subvencionim do të përfitojnë 40 gra që merren me biznes në Komunën e Ferizajt.

“Ato gra që do të përfitojnë nga ky subvencionim kanë kërkuar pajisje prodhuese e përpunuese në vlerë prej 2500 euro, që do të jetë një ndihmesë shumë e mirë për to që të munden të zhvillojnë biznesin e tyre”, ka thënë Dërguti.

Rrëfimi i Remzijes, gruas e cila hapi biznes e vetme

Remzije Berisha, nga Shoqata e Grave Fermere në Kosovë, në emisionin #KallxoPernime ka rrëfyer sfidat e saj si nënë e vetme e cila ka arritur të hap biznesin e saj privat.

Berisha ka thënë se ka qenë vetë nënë, vetë baba për fëmijët e saj.

Me ndihmën e një organizate ajo filloi rrugëtimin e saj në biznes, ku sot ajo ka fabrikën që bën përpunimin dhe konservimin e pemëve dhe perimeve.

“Organizata Women for Women, më ka ndihmuar me trajnimet e saj më ka ndihmuar që të aftësohem duke e përfunduar shkollën profesionale, ndërsa në vitin 2010 e kemi regjistruar shoqatën e grave fermere “Alba”, që vepron në Prugovc të Prishtinës”, ka thënë Berisha.

Ajo ka treguar edhe për çështjen e pronës ku sot e ka biznesin e saj.

“Prona e bashkëshortit nuk ka qenë në emër të tij hiç por në të dikujt krejt tjetër e axha i bashkëshortit e ka marr përsipër këtë që jam shumë falënderuese sepse pronën e ka qit në emër të tij”, ka thënë Gashi.

Gashi ka shtuar se në vitin 2018 derisa kanë përfunduar procedurat e pronës, e ka humbur një projekt që e kishte për biznesin e saj.

“M`u dashke patjetër me marr lejen e ndërtimit dhe shkuan një vit dhe u dasht me u tërheq, por pata fatin prapë me komunën e Prishtinës që tash e kemi fabrikën e përpunimit dhe konservimit të pemëve dhe perimeve”, shton më tej Gashi.

Kjo shoqatë që udhëhiqet nga Gashi numëron 75 anëtare.

Produktet e Gashit, shiten edhe nëpër marketet brenda Kosovës por një pjesë e tyre shkon edhe në Evropë.

Balton Dërguti, Drejtor i Zhvillimit Ekonomik nga Komuna e Ferizajt, tha se së bashku me komunën e Prishtinës dhe organizatën Ëomen for Women do ti trajnojnë mbi 500 gra do të trajnohen dhe do të fitojnë grante.

“Po presim që gjatë këtij viti edhe viteve të ardhshme ti stimulojmë gratë që edhe në këtë program të kenë qasje që të kenë mbështetjen e komunës së Ferizajt por edhe në komunat e tjera”, ka thënë Dërguti.

Edi Gusia, nga Agjencia për Barazi Gjinore, ka përmendur dy masa afirmative që Qeveria e Kosovës i ka ndërmarr gjatë vitit 2021.

“Në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike, masa specifike për ti mbështetur gratë, masa 1-mbështetja e punësimit, pra qeveria ka subvencionuar për 3 muajt e parë 50%”, masa tjetër është që gjatë vitit 2022, Qeveria ka hapur një dritare specifike për bizneset në pronësi të grave”, ka thënë Gusia.

Sipas saj ka mungesë të theksuar të njohurive mbi këto masa afirmative.

“Vetëm 21% e grave janë aktive në tregun e punës, kjo do të thotë që vetëm këto do të kenë kontribute pensionale”, ka thënë Gusia.