Si u transformua ish-shtëpia e mallrave "Gërmia" në hapësirë kulturore për ekspozitën “Reporting House?

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet reportazhi që flet për punën e madhe që është bërë për shndërrimin e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” në hapësirë kulturore, në të cilën do të hapet ekspozita “Reporting House” apo “Shtëpia e Gazetarëve”.

“Reporting House” do të jetë e hapur për afro tre muaj.

Realizuesja e kësaj ekspozite, Jeta Xharra, theksoi se këtë hapësirë ua ka dhënë Komuna e Prishtinës për shfrytëzim.

“Komuna është duke e bërë gati këtë objekt që ta shndërrojë në Galerinë e Qytetit dhe kur jemi shku me e kërku një hapësirë për ekspozitën tonë ata na thanë që merreni këtë objekt dhe testojeni për me i ekspozu arkivat. Ka qenë sfidë dhe kënaqësi me e përcjellë renovimin e kësaj ndërtese”- tha Xharra.

Xharra kishte përmendur se një punë kolosale për shndërrimin e ish-shtëpisë së mallrave në muze po e bëjnë punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore.

Arton Berisha, drejtor i Ndërmarrjes Publike Banesore, rrëfeu në emisionin “Kallxo Përnime” sfidat gjatë kësaj periudhe.

“Kur kemi fillu na ka dalë problem pasi që në një pjesë ka pasur mbetje të azbestit por jo shumë. Së pari nuk është ditur se çfarë ka brenda sepse këtu janë bërë renovime të ndryshme kush qysh ka dashtë, nuk kemi pasë plan se çfarë kabllo, insitalimi ka… por ia kemi dalë” – tha ai.

Gëzim Kastrati nga Komuna e Prishtinës tha se objekti i ish-shtëpisë së mallrave ndër vite është degraduar nga institucione që e kanë pasur në shfrytëzim.

Kastrati tregoi nostalgji për këtë objekt.

“Objekti pas luftës mund të them se është degradu nga ndërtimet e egra që kanë ndodhë brenda objektit, ne jemi duke i pastru hapësirat nga këto degradime që janë bërë nga UNMIK e më pas nga ATK. Të gjithë që kemi lindur në Prishtinë e kemi një kujtim nga e kaluara jonë si fëmijë për këtë objekt këtu, janë edhe  shkallët e para lëvizëse në Kosovë. Është një krenari që kemi mundësinë, që jemi duke jetu në kohë dhe kemi këtë mundësi me ia dhuru qytetit përsëri atë që ka qenë dikur”- tha Kastrati.

Ekspozita “Reporting House”, e cila do të hapet më 10.06.2024, prezanton vepra të artistëve që vijnë prej vendeve të ndryshme dhe emra të njohur nga bota e artit si Anri Sala nga Shqipëria, Adrian Paci nga Shqipëria, Goncalo Mabunda nga Mozambiku, Lala Meredith Vula nga Anglia, Zhana Kadyrova nga Ukraina, Lana Cmaijcanin nga Bosna dhe Hercegovina, Olafur Eliasson nga Islanda-Danimarka, Laura Imami nga Anglia dhe Besa Llugiqi e deri te artistët e rinj si Vullnet Jakupi dhe Vita Kasapolli nga Kosova.

Kontribuesit në këtë ekspozitë janë Jeremy Bowen, Ben Brown, Ilaz Bylykbashi, Thomas Dvorzak, Alan Chin, Donika Shahini, Paul Lowe, Max Stahl, Ridvan Slivova, David Loyn, Jehona Lushaku, Besnik Mehmeti, Nik Millard, Andrew Testa, Pal S. Refsdal, Flaka Surroi, Hazir Reka, Marija Ristiq, Fred Scott, Eliza Hoxha, Vaughan Smith, Nora Weller, Sean Whelan, Goran Tomaseviq, Sami Mustafa, Alban Bujari, Linda Gusia, Eki Rrahmani, Gazmend Avdiu, detektor.ba, Srebrenica Memorial Center, Anibar, Koha Ditore, RTK dhe Oral History Kosovo.

Më 10 qershor në Prishtinë lansohet ekspozita ‘REPORTING HOUSE’