Shkeljet që Inspektorati i Punës i gjeti në një biznes mobilierie në Vushtrri

Në emisionin “Kallxo Përnime”, u transmetua reportazhi për inspektimet e Inspektoratit të Punës në biznese të ndryshme.

Kësaj radhe një fabrikë e mobileve në rajonin e Vushtrrisë është denoncuar se nuk i respekton të drejtat e punëtorëve dhe nuk i respekton rregullat e shëndetit dhe sigurisë në punë.

Pas ankesës në platformën KALLXO.com, ekipet e gazetarëve kanë dalë në terren për të verifikuar këtë informacion, e më pastaj raportin e kanë dërguar në Inspektorat të Punës.

Inspektorati i Punës në rajonin e Mitrovicës ka inspektuar këtë biznes.

Inspektorët fillojnë me mbledhjen e ID-ve të punëtorëve të cilët i hasin në ambientet e kësaj mobilerie.

Këto materiale kërkohen për të verifikuar se a janë punëtorët e regjistruar.

Inspektorët kanë vërejtur që në këtë biznes, shenjat sinjalizuese mungojnë, biznesi nuk kishte as dalje emergjente e as kuti për ndihmë të parë në rast të lëndimit të ndonjë punëtori.

Certifikatat e punëtorëve që kanë përfunduar trajnimin për përdorimin e aparatit për fikjen e zjarrit, dhe një varg dokumentesh i kërkohen pronarit të biznesit që t’i dorëzoj në afatin e paraparë në Inspektorat.

Pas pranimit të këtyre dëshmive Inspektorati do të vendos për gjobën apo ndëshkimin ndaj këtij biznesi.