Ndikimi gjigant në Brezovicë, lumit iu ndryshua emri në rrjedhë ujore

Prokurori i rastit “Brezovica” ka rrëfyer në emisionin “Kallxo Përnime” për hetimin disavjeçar.

Rasim Maloku ka folur edhe për ndryshimin e emrit të lumit nga lumë në rrjedhë ujore për të mundësuar ndërtimet afër tij.

“Në vitin 2016 është ndërmarrë një operacion nga Policia, Drejtoria e krimeve të rënda në Prishtinë dhe janë konstatuar parregullsi të shumta. Një prej kushteve të ndërtimit që është dashur të respektohet ka qenë distanca nga lumi që në bazë të Ligjit për ujërat e Kosovës ajo distancë ka qenë 30 metra dhe duke e pa këtë gjendje është formuar një komision brenda Ministrisë dhe kanë nxjerrë një udhëzim administrativ dhe këtë lumë e ka drejtuar si rrjedhë dhe në disa raste edhe si përroskë dhe distancën e kanë zvogëluar në 5 metra me arsyetim se ky është lumë i vogël dhe nuk duhet të trajtohet si lumenjtë e mëdhenj, megjithatë Ligji është shumë i qartë”- theksoi Maloku.

“Ne ende nuk kemi informacione që ka pasur ryshfet për këtë ndërrim mirëpo se është menaxhuar nga struktura udhëheqëse të Ministrisë nuk është kontestuese sepse ai komision nuk ka mundur të dalë në mënyrë arbitrare të veprojë por ka marrë udhëzime prej organeve kompetente”- thotë Maloku.

Në emisionin “Kallxo Përnime” është transmetuar dëshmia e një dëshmitari i cili ka rrëfyer për aferat e korrupsionit që mundësuan ndërtimet në Brezovicë, duke mos përfillur as kursyer asgjë, shkatërrimin e pyllit, prishjen e kodrave e deri te devijimi i shtratit të lumit për të ndërtuar më pas në të.

“Asnjë leje ndërtimi nuk ka mundur të merret pa u dhënë 10 mijë euro. Kemi pagu deri në 200-250 mijë euro për një leje. Ne kemi qenë zot të Brezovicës, kemi bo çka kemi deshtë, kemi arritë me e ndryshu emrin e lumit prej lumë në rrjedhë ujore. Kemi pre male e kemi rrëzu lisa qindra vjeçarë…”- këto janë vetëm disa nga fjalitë e thëna nga dëshmitarët e rastit ‘Brezovica’.

Prokurori Maloku ka theksuar gjithashtu se as distanca prej 5 metrave me udhëzimin e ri nuk është respektuar sepse atje ka objekte në bregun e lumit por ka objekte që kanë kaluar edhe mbi lumë, është ndryshuar rrjedha e lumit.