PDK dorëzoi në Kushtetuese Ligjin për zyrtarët publikë

Partia Demokratike e Kosovës e ka dorëzuar sot Ligjin për zyrtarët publikë në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo parti ka paraqitur kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë në katër nene të këtij ligji.

Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku ka thënë se sipas tyre Kushtetuesja ka bazë të mirëfilltë të shfuqizojë këtë ligj.

“Kemi ardhur në Gjykatën Kushtetuese për të paraqitur kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë në Ligjin për zyrtarët publikë. Ne mendojmë që kanë bërë një shkelje të radhës së Kushtetutës. Kemi menduar që në katër pika të shkeljes së këtij ligji ti paraqesim kërkesën Gjykatës Kushtetuese. Mendojmë që ka bazë të mirëfilltë që Gjykata Kushtetuese të shfuqizojë Ligjin për zyrtarët publikë”-ka thënë Lushtaku.

Ndërsa, koordinatori i Departamentit për Drejtësi në PDK, Përparim Gruda ka thënë se kërkesa e tyre adreson një varg shkeljesh të Kushtetutës që kanë të bëjë me të drejtat e njeriut që i takojnë zyrtarëve publikë.

Po ashtu ai tha se ky ligj është në kundërshtim me marrëveshjen e Stabilizim Asociimi dhe se për këtë ligj ka pasur kritika nga Zyra e Bashkimit Evropian.

“Specifikisht kemi të bëjmë me nenin 19 të Kushtetutës i cili thotë që marrëveshjet e ratifikuara ndërkombëtare kanë epërsi ndaj ligjeve të Kosovës. Në këtë rast marrëveshja për Stabilizim Asociimi është marrëveshje e ratifikuar me 2/3 e votave në Kuvend dhe është mbi ligjet dhe mendoj që ne nuk duhet të hymë në polemikë me Zyrën e Bashkimit Evropian”- ka thënë Gruda.

Sipas tij, Zyra e BE-së e ka kundërshtuar ashpër këtë ligj, duke thënë që është shkelje e standardeve, e parimeve të administratës publike për vendet kandidate për BE.

“ Është e papranueshme dhe e pakuptimtë që në njërën anë Qeveria të aplikojë për anëtarësim në BE, ndërsa në anën tjetër të mos marrë parasysh asnjë nga kërkesat që i ka dërguar Zyra e BE-së” – theksoi Gruda.

Ky ligj u miratua para një jave në Kuvendin e Kosovës ku mori shumicën e votave të deputetëve në lexim të dytë.

Partia më e madhe opozitare në Kuvend, nuk ka marrë pjesë në votimin e dytë të këtij ligji. As LDK dhe AAK nuk kanë marrë pjesë në votim.

Deputetët opozitarë janë deklaruar kundër disa neneve të këtij ligji.

Pas miratimit të Ligjit për zyrtarët publikë Bashkimi Evropian ka reaguar duke thënë Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik në lidhje me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita.

“Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik në lidhje me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita që mund të menaxhojë efektivisht burimet njerëzore, pasi shton lirinë e tepruar në procedurat e rekrutimit, transferimit dhe disiplinës së nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të pambrojtur ndaj politizimit”- thuhet në ragimin e BE-së.

BE ka thënë se ky ligj u miratua pa marrë parasysh komentet e tyre.

Ky ligj ka për qëllim rregullimin e marrëdhënies së punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht përcaktimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë pranimin, klasifikimin e pozitave, ndryshimin, përfundimin e marrëdhënies së punës, të drejtat dhe detyrimet në raport me marrëdhënien e punës, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës.