Minatori që vdiq nga shembja në Minierën e Novobërdës

Në emisionin #KallxoPernime, po transmetohet reportazhi për tragjeditë në vendet e punës.

Idriz Gërbeshi vdiq në vendin e tij të punës më 2 qershor 2020.

Nga shembja që ndodhi atë kohë në Minierën e Novobërdës, bashkë më Idrizin vdiq edhe një minator tjetër.

Vëllai i Idrizit, Ademi ka rrëfyer ngjarjen për emisionin #KallxoPernime.

“Atyne ju ka ra pjesa e epërme tavanore edhe i ka zënë. Dmth shkëmb i madhë, guri që ju ka rënë”, rrëfen vëllai i viktimës.

Nxjerrja e trupave të tyre zgjati 12-13 orë.

“Unë kam qenë në punë se edhe unë punoj minator, e kam pas informatën se çka ka ndodh, paataj i kemi lajmëruar familjarët, shoqen e fëmijët. Janë ardh ekipet e shpëtimit edhe ka ora 1-2 të mëngjesit i kanë nxierr”, rrëfen vëllai i viktimës.

Adem Gërbeshi thotë se vëllai i tij ishte ndër xehtarët më të mirë.

“Aty nuk ishte vendi i tij i punës, u largu prej vendit, ku u kanë t`u punu dhe u dalë 3-4 metra t`u bisedu me inxhinierin për një tjetër punë m`u kry edhe në atë moment i ka zënë guri”, vazhdon rrëfimin Adem Gërbeshi.

Idrizi la pas vetës gruan dhe tre fëmijët.

“Menaxhmenti i minierës e ka punësu djalin e vëllait, tash jetojnë me qat pagë. Ai po punon në depo”, thotë Adem Gërbeshi.

Ai ka shtuar se Idrizi në momentin e vdekjes i ka pasur të gjitha pajisjet mbrojtëse të punës.

“Unë jam kujdestar aty dhe e di që i kanë pasur të gjitha pajisjet të vendosura, nuk mund ta fajsoj askë. Zoti e ka shkru me ndodh, nuk është faji i pajisjeve”, thotë ai.

Ndryshe në ditën e punëtorëve, pra më 1 maj është protestuar në kryeqytet, ku janë kërkuar kushte më të mira të punës.

Pagë minimale 450 euro, implementim të ligjeve në fuqi, nënshkrim të marrëveshjes kolektive, trajtim i barabartë i sektorit publik, rritja e numrit të inspektorëve të punës, fond për punëtorët që humbin jetën dhe lëndohen në vendin e punës janë disa nga kërkesat që Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat po kërkon nga Qeveria që të plotësohen.

Nëse kërkesat nuk plotësohen, punëtorët gjatë protestës së sotme, paralajmëruan se do të largohen nga vendi.

Në hulumtimin: “Trajtimi i rasteve të të drejtave të punëtorëve nga Inspektorati i Punës dhe i Gjyqësorit”, realizuar nga hulumtues të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), shpërfaqet niveli i ulët të sigurisë së punëtorëve në vendet e punës.

Hulumtimi i BIRN ka faktuar probleme dhe sfida në paaftësinë për të ulur numrin e aksidenteve në vendet e punës.

Si pasojë e aksidenteve në punë, nga viti 2011 e deri në gjysmën e vitit 2022 nga aksidentet në punë kanë vdekur 145 punëtorë. Të dhënat tregojnë që veprimet e institucioneve nuk kanë arritur të ndikojnë në uljen e vdekjeve pasi numri i vdekjeve është rritur vit pas viti.

 

 

Statistika të luftës, në nëntë vite 145 punëtorë vdiqën në vendin e punës