Emin Jemini: Prej që më vdiq djali më asgjë nuk është e njëjtë në familjen tonë - LIVE

Në emisionin #KallxoPernime, po transmetohet reportazhi për tragjeditë në vendet e punës.

Krenar Jemini vdiq në vendin e tij të punës, më 24 shkurt 2019.

Babai i tij, Emini ka rrëfyer për #KallxoPernime, momentin kur e kuptoi për vdekjen e djalit të tij që ishte 22 vetwm 22 vjeç.

Ai thotë që kushtet ekonomike e kanë shtyrë Krenarin që të punësohej pasi që vetëm me një pagë të tij nuk ishte e mundur t`i shkollonte të gjithë fëmijët.

Andaj Krenari ishte punwsuar që t`i financonte studimet e veta dhe ti ndihmonte babait.

“Më 24 shkurt, jam kanë në orar të punës edhe vëllau më ka thirrë në telefon më ka tregu që Krenari është lënduar, jam nis për Prishtinë me gjithë të, edhe kur shkum për fat të keq kish ndërru jetë”, rrëfen me një gjysmë zëri babai i Krenarit.

Ai tregon edhe për incizimet që i kishte parë ku tregonin për mënyrën e vdekjes së djalit të tij nga aksidenti në vendin e punës.

“Don me kap diçka dhe në moment e ka kap traka edhe e ka ngulfat. 17 minuta nuk është 1 minutë, askush se ka pa me i dhanë ndihmë”, thotë Emin Jemini.

Janë bërë 4 vjet nga vdekja e Krenarit, por babi i tij, Emini thotë që askush nuk e ka telefonuar për asgjë.

“As ata të kompanisë kurrë as s`më ka thirrë në telefon as asgjë s’më kanë vet, përveç kur ka vdekur Krenari na ka ndihmuar financiarisht. Kur kam dalë në media ka çu njerëz se pse ke dalë në media, se si me ja bo, por unë kam thënë që nëse më ka borxh diçka le të merret dikush tjetër me të”, ka vazhduar më tej rrëfimi i babait të viktimës.

Ai ka shtuar se do të bëjë padi ndaj kompanisë në të cilën humbi jetën djali i tij, Krenari.

Ndryshe në ditën e punëtorëve, pra më 1 maj është protestuar në kryeqytet, ku janë kërkuar kushte më të mira të punës.

Pagë minimale 450 euro, implementim të ligjeve në fuqi, nënshkrim të marrëveshjes kolektive, trajtim i barabartë i sektorit publik, rritja e numrit të inspektorëve të punës, fond për punëtorët që humbin jetën dhe lëndohen në vendin e punës janë disa nga kërkesat që Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat po kërkon nga Qeveria që të plotësohen.

Në hulumtimin e “Trajtimi i rasteve të të drejtave të punëtorëve nga Inspektorati i Punës dhe i Gjyqësorit”, realizuar nga hulumtues të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), shpërfaqet niveli i ulët të sigurisë së punëtorëve në vendin e punës.

Në raport, hulumtimi i BIRN nga gjetur probleme dhe sfida në paaftësinë për të ulur numrin e aksidenteve në punë.

Si pasojë e aksidenteve në punë, nga viti 2011 e deri në gjysmën e vitit 2022 nga aksidentet në punë kanë vdekur 145 punëtorë. Të dhënat tregojnë që veprimet e institucioneve nuk kanë arritur të ndikojnë në uljen e vdekjeve pasi numri i vdekjeve është rritur vit pas viti.

Statistika të luftës, në nëntë vite 145 punëtorë vdiqën në vendin e punës