'Unë pritsha kur po kthehet nga puna', rrëfimi i gruas për vdekjen e bashkëshortit në vendin e punës

Florim Shala vdiq në vendin e tij të punës derisa ishte duke ndërtuar rrugë në Mitrovicë. Ai humbi jetën më 4 nëntor 2022.

Në emisionin #KallxoPernime, ka rëfyer momentin kur e ka kuptuar për vdekjen e Florimit.

“U kanë t`u punu, betonjerët e kanë mytë, u kanë t`u i bajt në Mitrovicë, zinxhirët i kanë ra mbi kry me hez dhe e kanë mbyt”, rrëfen Valentina me lot në sy.

Ajo ka shtuar se ende nuk e ka të qartë komplet ngjarjen.

“Mua kërkush s’më ka kallxu qysh ka ndodh ngjarja, unë pritsha që po vjen prej pune, ata thojshin jo vetëm pak është lënduar, më ka ra të fiktë e m’kanë çu në spital s’kam ditë asgjë deri burri i motrës më ka shprehur ngushllime për vdekjen e Florimit, qatëherë e kam kuptu”, vazhdon rrëfimin Valentina.

Ajo kujton fjalët e baahkëshortit të saj rreth punës së tij.

“Më thoshte kanë me më mytë qito betonjerët sepse shumë të rënd, pak a shumë nashta e ka ditë. Ai lakmojke sepse kishte më shumë pare mbi 500 euro pagë, krejt i thojshim le atë punë”, kujton Valentina, bashkëshortja e viktimës.

Ndryshe në ditën e punëtorëve, pra më 1 Maj është protestuar në kryeqytet, ku janë kërkuar kushte më të mira të punës.

Pagë minimale 450 euro, implementim të ligjeve në fuqi, nënshkrim të marrëveshjes kolektive, trajtim i barabartë i sektorit publik, rritja e numrit të inspektorëve të punës, fond për punëtorët që humbin jetën dhe lëndohen në vendin e punës janë disa nga kërkesat që Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat po kërkon nga Qeveria që të plotësohen.

E në hulumtimin e “Trajtimi i rasteve të të drejtave të punëtorëve nga Inspektorati i Punës dhe i Gjyqësorit”, realizuar nga hulumtues të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), shpërfaqet niveli i ulët të sigurisë së punëtorëve në vendin e punës.

Në raport, hulumtimi i BIRN nga gjetur probleme dhe sfida në paaftësinë për të ulur numrin e aksidenteve në punë.

Si pasojë e aksidenteve në punë, nga viti 2011 e deri në gjysmën e vitit 2022 nga aksidentet në punë kanë vdekur 145 punëtorë. Të dhënat tregojnë që veprimet e institucioneve nuk kanë arritur të ndikojnë në uljen e vdekjeve pasi numri i vdekjeve është rritur vit pas viti.

Statistika të luftës, në nëntë vite 145 punëtorë vdiqën në vendin e punës