Kryeshefi i KEK-ut shpjegon pse Kosova u përball me krizë energjetike në mes të verës

Kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, ka shpjeguar se përse Kosova u përball me krizë energjetike në mes të verës.

Krasniqi në emisionin “Kallxo Përnime” ka deklaruar se kriza energjetike është e përgjithshme pasi, sipas tij, çmimet e energjisë janë duke u rritur në të gjitha tregjet evropiane.

“Në fakt, kriza energjetike është duke vazhduar jo vetëm në verë por që nga viti i kaluar. Kështu që kriza është e përgjithshme sepse çmimet e energjisë janë duke u rritur në të gjitha tregjet evropiane” -ka thënë Krasniqi.

Krasniqi tha se askund në Evropë nuk ka pasur mungesë investimesh si në Kosovë, duke shtuar se duhet dalluar investimet në zgjerime të kapaciteteve të reja  dhe investimet në mirëmbajtje dhe operim.

“Duhet me dallu investimet në zgjerime të kapaciteteve të reja  dhe investimet në mirëmbajtje dhe operim. Do të thotë ato dallojnë. Që nga viti 1984, është viti i fundit kur është investu në kapacitete prodhuese në KEK, është blloku B2” – thotë Krasniqi.

“Por duhet me e kuptu atë që në të gjithë botën dhe në gjithë Evropën janë bërë investime në kapacitete të reja, sepse një termocentral nuk e ka jetëgjatësinë mbi dyzet vite. Domethënë, sado që ti bën remonte dhe investime në mirëmbajtje apo në modernizim eventual, ai nuk e zgjat sigurinë e operimit dhe jetëgjatësinë sikur të jetë investimi i një kapaciteti të ri”-shton ai.

Më tej kryeshefi i KEK-ut shpjegon arsyen se përse ka rënë blloku A3.

“Në kaldanë e çdo blloku ekzistojnë mbi 100 kilometra gypa, mbi 100 kilometra dhe ata gypa aty nxehet uji i cili shndërrohet në avull. Ata gypa datojnë ga viti i prodhimit të termocentralit, disa prej tyre janë ndërru” – thekson Krasniqi.

Krasniqi tregon se gypat datojnë që nga viti 1963 dhe se janë diku rreth 100 kilometra.

“Një pjesë është ndërru por janë 100 kilometra dhe tani nga vjetërsia e tyre ata, presioni e bën të veten, se ata punojnë në presion, në temperaturë 800 e 900 gradë dhe ata pëlcasin. Kur pëlcasin ata, ky është problemi”- tha Krasniqi.