Kreshnik Gashi tregon kush ishin personat e arrestuar si anëtarë të grupit 'AlbKings'

Shtatë persona, pjesë të grupit ‘AlbKings’ në rrjetin social “Telegram” janë arrestuar më 30.05.2024.

Kreshnik Gashi, kryeredaktor i Kallxo.com, në emisonin “Kallxo Përnime” ka treguar se dy nga këta persona ishin ngacmues të një gazetareje të Kallxo.com si dhe tre të tjerë ishin themelues të grupit.

“Për mua është shqetësuese që njëri prej ngacmuesve të koleges sime ka fakultet të kryer, llogaritet që është person me nivel të lartë intelektual. Atë nuk e ka pengu shkolla dhe edukimi që me marrë një numër në një grup dhe me ngacmu seksualisht një vajzë” – deklaroi Gashi.

Gashi tregon se personat e arrestuar thoshin se “nuk kam bërë asgjë”.

Sipas tij, për të arrestuarit konsiderohej normale që të thërrisnin dhe ngacmojnë në telefon vajza.

“Familjet e tyre duhet me e kuptu se çfarë pasoja kanë lënë te vajzat dhe gratë kosovare këta njerëz” – shtoi Gashi.

Ai thotë se njerëzit në Kosovë duhet ta kuptojnë që nuk lejohet që të thërrasin njerëz në telefon pa autorizim nga ta.

“Nëse pala ju thotë që numrin e keni pa autorizim timin, ju nuk keni të drejtë me vazhdu me thirrë, kjo është vepër penale pastaj. Secila vajzë që ka marrë telefonatë dhe telefonata ka pasë ngacmime seksuale, thirrësit duhet të shkojnë në përgjegjësi penale” – deklaroi Gashi.

Një hulumtim i KALLXO.com pati zbuluar se në vend ishte krijuar një grup i cili në kohë rekorde ka arritur të mbledhë mbi 112 mijë anëtarë.

Në grup shpërndaheshin të dhëna personale, emra, mbiemra, numra të telefonit si dhe video e fotografi intime, denigruese kryesisht të vajzave dhe grave.

Pjesë e publikimeve në grup janë edhe fotografi të montuara që njihen si “Deep fake”, të personave, fytyrave publike të cilët kanë reaguar apo raportuar për këtë grup.

“A ka ndonjë foto, qysh me pa ma shumë foto”- shkruan njëri nga anëtarët me emrin e koduar si “Private Account”.

“Sa ke çmimi dhe e kahit?”- është një pyetje tjetër e “Bafto Baftjari” që është pjesë e këtij grupi.

“Rregullat” e grupit dërgohen disa herë që anëtarët të kujdesen që mos t’i shkelin ato.

Në Kosovë, shpërndarja e paautorizuar e fotografive apo pamjeve të tjera është vepër penale e dënueshme me Kodin Penal.

Shënim: Redaksia e KALLXO.com ka vendosur që për shkak të sigurisë kibernetike të gazetarëve të mbulojë emrin e gazetarëve.