Alicia Kearns, Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Cili shtet i jashtëm po kryen hetime për sulmin terrorist në Banjskë? - VIDEO

Deputetja britanike, Alicia Kearns në një intervistë për “Kallxo Përnime”, ka folur rreth sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke shtuar se një shtet i jashtëm është duke kryer hetime për sulmin.

E pyetur se cili shtet është ai, Kearns ka thënë se nuk mund të japë më shumë detaje.

“Me sa kam kuptuar njëra prej shteteve të jashtme është duke bërë vetë hetim dhe kjo do të bëhet publike, dhe natyrisht Qeveria e Kosovës është duke e zhvilluar hetimin e vet po ashtu. Qeveria e Kosovës do të shohë drejtësi, do t’i shohë njerëzit në gjyq, si dhe ata që e kanë mbijetuar sulmin, ata që kanë humbur por edhe ata që kanë qenë dëshmitarë e meritojnë ditën në gjyq ku Millan (Radoiçiq) duhet me qenë aty në gjyq duke dhënë llogari”.

“Nuk jam e sigurtë a është kjo e ditur publike kështu që do të përmbahem prej komentimeve të mëtutjeshme lidhur me këtë”- shtoi ajo.

Kearns ka thënë se disa herë ka tërhequr vërejtjen se do të ketë eskalim të situatës në Kosovë, duke shtuar se gjatë vizitës në Kosovë ka dashur të shoh edhe armët që janë konfiskuar në veri të vendit.

“Jam shumë e brengosur, e di që është duke u zhvilluar hetim lidhur me atë që ka ndodhur më 24 shtator por desha të shoh me sytë e mi çfarë armë janë gjetur saktë, sidomos pasi që unë kisha alarmuar shumë përpara që ka me ndodh. Gjithashtu kam pas dëshirë me u taku me familjen e policit të vrarë dhe isha e privilegjuar që më pritën në shtëpinë e tyre dhe më dhanë rastin me i shpreh ngushëllimet e mia për faktin që babai i tyre, ishte vrarë”, tha deputetja Kearns.

Sipas saj armët e konfiskuara janë të rangut ushtarak.

“Ato janë armë të rënda ushtarake, kanë mbishkrim serb, këto nuk janë armë prej kohës së Millosheviqit, s’janë armë antike, disa janë por grantat ishin të datuara prej 2021 dhe kjo nuk është sasi e vogël e armëve që një grup i krimit të organizuar mund ta sigurojë. Këto janë armë të rangut ushtarak, shumë serioize të cilat nuk janë për kriminalitet të nivelit të ulët. U ndava mjaft e brengosur prej asaj që pash”, thotë ajo.

Ajo në “Kallxo Përnime”, ka shtuar se po pret konkluzionin e hetimit ndërkombëtar për atë se çfarë ka ndodhur në Bansjkë, duke e konfirmuar kështu se një hetim ndërkombëtar është duke u zhvilluar për këtë dhe sipas saj nuk mund të ndodh dialog politik përderisa ka pikëpyetje për sigurinë themelore për njerëzit në veri të vendit dhe në gjithë Kosovën.

“Kështu që për mua ai hetim duhet të përfundojë shpejt dhe ky do ta formësojë të ardhmen e dialogut politik. Realiteti është që hetimi duhet të konkludohet sepse e vërteta ka peshë. Ende ka mjaftueshëm njerëz që tentojnë ta mohojnë historinë e Kosovës, të mohojnë krimet e luftës që kanë ndodhur këtu. S’mundemi tash të presim që të mohohet edhe një krim tjetër, edhe pse vetëm një jetë është humbur atë ditë e plotë jetë në fakt janë shpëtuar atë ditë. Është me rëndësi që bota ta kuptojë që kjo nuk është një ngjarje që është duke ndodh si e izoluar. Pra, 24 (shtatori) ndërron gjithçka por është pjesë e një trendi të eskalimit”, ka thënë deputetja angleze.

“Me sa kam kuptuar njëra prej shteteve të jashtme është duke bërë vetë hetim dhe kjo do të bëhet publike, dhe natyrisht qeveria e Kosovës është duke e zhvilluar hetimin e vet po ashtu. Qeveria e Kosovës do të shoh drejtësi, do t’i shoh njerëzit në gjyq, si dhe ata që e kanë mbijetuar sulmin, ata që kanë humbur por edhe ata që kanë qenë dëshmitarë e meritojnë ditën në gjyq ku Millani duhet me qenë aty në gjyq duke dhanë llogari”, përfundoi ajo.

Më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Sekuestrimi i armëve të tjera po vazhdon që nga 24 shtatori, të cilat janë braktisur nga grupi terrorist në Banjskë dhe në zonën përreth.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Është ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.

Radoiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar. Këto pretendime i njëjti i bëri përmes një letre të cilën e lexoi të premten pasdite avokati i tij i autorizuar, Goran Petronijeviq.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.

Kearns kundër sanksioneve ndaj Kosovës

Deputetja angleze, Alicia Kearnes, është shprehur kundër sanksioneve që BE-ja i kishte vënë Kosovës kohë më parë.

Ajo ka thënë se rasti i 24 shtatorit (ngjarja në Banjskë), ka ndërruar komplet situatën.

“Vuçiqi ka shpallur dy ditë zie për terroristët që erdhën në Kosovë dhe e vranë dikë. Kjo duhet të kishte qenë mjaftueshëm për t’i vendosur masat e menjëhershme negative ndaj Serbisë, ata s’kanë pasur nevojë të votojnë për këtë. Realiteti është që 24 shtatori e ndërron situatën, por edhe ajo që ka ndodh në maj dhe krejt ato veprime që kanë ardhur para kësaj situate”, tha ajo.

Ajo ka insistuar që para se të vazhdohet me dialogun Kosovë-Serbi, duhet të dihen rezultatet nga hetimi ndërkombëtar që po bëhet për rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

“Llajçaku pati sugjeruar që në dialogun politik nuk ndryshon asgjë por kjo nuk është realiteti sepse duhet me pas siguri për me pas dialog politik. Kështu që po, Kosova ende duhet t’i plotësojë obligimet e saja ndërkombëtare që ka thënë që do t’i bëjë, por kjo duhet të bëhet në një klimë të së vërtetës, sinqeritetit dhe transparencës. Mu për këtë për mua është me rëndësi të shohim konkluzionet e hetimit para se të shkojmë para se të shkojmë tutje me dialog politik”, tha deputetja angleze.

Deputetja e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka thënë se Britania e Madhe duhet të jetë e zëshme ndaj miqve si Bashkimi Europian e SHBA-të, kur ka mospajtime, përderisa vetë si shtet nuk është pjesë e bisdimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ka opsione që i ka në dispozicion shteti që mund të përdoren si në këto bisedime që i pati Kosova këtë fundjavë. Mund të jesh (si shtet) brenda në dhomë dhe mund të ndikosh në rezultate, ose mund të zgjedhësh të mos të jesh breda (bisedimeve) dhe të ndikosh nga jashtë”- tha ajo.

“Britania e Madhe e ka përforcuar prezencën ushtarake me dërgimin e regjimentit të ushtarëve të Princit të Uellsit, disa prej tyre ishin në aeroplan me mua kur erdha në Kosovë. Unë jam krenare për shpejtësinë me të cilën Britania reagoi, nuk kemi pritur me javë të tëra, brenda 48-72 orëve kemi reaguar duke dërguar ushtarë shtesë për t’i mbrojtur kufijtë e Kosovës. Kjo është detyra jonë. Është detyra jonë si Britani të sigurohemi jo vetëm që Kosova mbijeton, por që Kosova është e suksesshme. Dërgimi i këtyre trupave është një formë për të treguar që jemi të përkushtuar për këtë”, ka thënë Kearns.

Ajo ka shtuar se udhëheqësit e Britanisë së Madhe duhet të vendosin që ky shtet “të paraqesë veten si një zë tjetër kundërshtues, si zë që i sfidon miqtë e saj kur e sheh që miqtë tanë nuk e kanë mirë dhe në anën tjetër”.

“Ai zë kundërshtues çon peshë sepse Kosovës i duhet të ketë zëra të pavarur sepse kur ke një pajtueshmëri masive prej një institucioni ashtu siç është bërë BE-ja dhe SHBA-ja, nuk përfundon gjithmonë me rezultatin më të mirë. Kështu që kemi nevojë për zëra të ndryshëm që të prezantojnë argumentin tjetër në mënyrë që të kemi zgjidhjen më të mirë për gjithë Ballkanin”, tha deputetja e parlamentit anglez.

Cilat janë ‘masat kufizuese’ që Bashkimi Evropian i vendosi ndaj Kosovës

‘Pse Millan Radoiçiq po qëndron në Serbi dhe s’po ekstradohet në Kosovë?’

Deputetja në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns është shprehur e shqetësuar për faktin që lideri i grupit që kreu sulm terrorist në Banjskë më 24 shtator, Millan Radoiçiq po qëndron ende në Serbi dhe nuk gjendet në burg.

Ajo shtoi se Radoiçiq, duhet të ekstradohet në Kosovë dhe të përballet me institucionet e drejtësisë.

“Pse ai është ende në Serbi? Pse nuk po mbahet në burg derisa t’i nënshtrohet një lloj drejtësie? Komuniteti i BE-së, komuniteti i SHBA-së, Britania e Madhe, nuk ka qenë mjaftueshëm të zëshëm për faktin se Milan se… mua nuk më intereson nëse Radoiçiqi nuk i njeh gjykatat e Kosovës, por ne i njohim si bashkësi ndërkombëtare, dhe ai duhet të dërgohet në Kosovë për t’u përballur me drejtësinë sapo Qeveria e Kosovës të jetë e gatshme për të nisur ndjekjen penale”- tha ajo.

Ndonëse ka thënë që e mbështet vazhdimin e dialogut, deputetja Alicia Kearns ka shtuar se shpreson që bashkësia ndërkombëtare do t’i thotë ‘mjaftë më’, Beogradit.

“Unë gjithmonë do të mbështes vazhdimin e dialogut, sepse ne duhet të parandalojmë llogaritjet e gabuara. Dhe në fakt, frika ime e madhe është se për shkak se ne e kemi lejuar Beogradin të përshkallëzojë, të përshkallëzohet dhe të vazhdojë të përshkallëzohet gjatë vitit të kaluar pa ndonjë pasojë, ne nuk e dimë se nga mund të vijnë llogaritjet e gabuara. Ajo që unë shpresoj se do të shohim tani, është që bashkësia ndërkombëtare të thotë mjaft më, gjithçka ka ndryshuar, gjendja e sigurisë ka ndryshuar, dhe duhet të ketë përgjegjësi dhe duhet të ketë drejtësi, sepse të gjithë e dimë se nuk mund të ketë pajtim pa pasur drejtësi. Nuk mund të ketë dialog politik që sjell ndryshim të mirëfilltë drejt asaj që duam para se të ketë përgjegjësi”- ka thënë Kearns.

Alicia Kearns, Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Deputetja angleze: Vuçiqi më kërcënoi

“Ai (Vuçiq), më ka kërcënuar mua dhe për këtë duhet të më kërkoj falje”, ka thënë deputetja e Parlamentit Anglez për emisionin “Kallxo Përnime”.

Ajo tregoi se presidenti serb, Aleksander Vuçiq e ka quajtur atë ‘lobiste myslimane’.

“Ai tha se unë isha lobiste myslimane dhe se do të më hetonte. Le të jemi shumë të qartë, kjo është retorikë e rrezikshme. Përdorimi i fjalës musliman si një term që përdoret si armë kundër dikujt, dhe kjo është pikërisht ajo që ne duhet të mbajmë një qëndrim të qartë kundër kësaj”, tha ajo.

Ajo shtoi se pavarësisht gjithë kësaj duhet të punojnë me Serbinë.

“Ne duhet të punojmë me Serbinë, dhe unë do të punojë me Serbinë. Nëse Vuçiq dëshiron të takohet me mua për të diskutuar se si të arrijmë përparim në këtë drejtim, dera ime është e hapur për të. Por ndryshimi është se ne nuk duhet të kemi një qasje të përqendruar vetëm në Beogradin”, tha Kearnes.

 “Dhunimet seksuale ndaj grave duhet të dënohen”

Deputetja angleze, Alicia Kearns ka folur për dhunën seksuale ndaj grave në Ukrainë, Bosnje e Kosovë.

Ajo ka thënë se ata që e kryejnë këtë krim po mendojnë që do të shpëtojnë pa u dënuar.

“Ata mendojnë se mund të shpëtojnë edhe pse e bëjnë këtë. Sepse aftësia për të provuar krimet seksuale të luftës dhe besoj se ka pasur një ndjekje penale në Kosovë edhe për këtë, mirëpo është kaq e vështirë sepse provat humbasin kaq shpejt, por edhe për shkak të turpit dhe fajit që u vëhet grave. Kjo është dhunë seksuale nga meshkujt. Nuk është dhunë ndaj grave dhe vajzave, është dhunë seksuale nga meshkujt”, tha ajo.

Ajo thotë se ka nevojë që të ketë një bisedë kombëtare në mbarë botën që në baza ditore, gratë po dhunohen, po shfrytëzohen seksualisht dhe po sulmohen seksualisht.

“Nuk e dija se do të më pyesnit për këtë, por këtë ma dha një grup i grave këtu në Kosovë. Aty kishte serbë të Kosovës në dhomë dhe kishte shqiptarë të Kosovës. Dhe kjo u krijua nga një grua që i mbijetoi përdhunimit dhe dhunës seksuale. Problemi më i madh këtu është… dhe unë e kam takuar ministren tuaj të drejtësisë dhe ajo është shumë e pasionuar për këtë temë. Ne normalizojmë çdo ditë në shumë shoqëri, dhunën ndaj grave dhe dhunën seksuale ndaj grave. Ne kemi nevojë për një bisedë kombëtare në mbarë botën që në baza ditore, gratë po dhunohen, ato shfrytëzohen seksualisht dhe ato sulmohen seksualisht. Ne duhet të ndryshojmë bisedën në kohë paqeje ashtu që dhe biseda në kohë lufte të bëhet më e lehtë”, shtoi ajo.

“Por mbi të gjitha, ne duhet të heqim fajin dhe turpin. Asnjë grua apo burrë nuk është përgjegjës për përdhunimin. Është vetëm autori i krimit dhe ne duhet të çojmë më shumë ndjekje penale”, tha më tej Kearns.

Ajo foli edhe për situatën në Gaza ku tha se javën tjetër do të udhëtojë për në Lindjen e Mesme.

“Ne duhet të sigurohemi që t’i shikojmë këto imazhe dhe t’i shikojmë videot, sado e vështirë që të jetë kjo. Unë do të jem në Lindjen e Mesme javën e ardhshme. Unë do të shkojë të shoh se çfarë mund të bëjë më shumë Mbretëria e Bashkuar. Prioriteti im ka qenë që të sigurohemi që ndihmat humanitare të mund të hyjnë atje. Sigurisht, duke u siguruar që shtetasit britanikë të dalin jashtë. Ne duam që pengjet të lirohen plotësisht. Por unë që nga fillimi, që nga e diela pas krimit të tmerrshëm kundër njerëzimit që ishte sulmi ndaj popullit izraelit, kam bërë thirrje për respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar. Ky duhet të jetë një operacion kundër terrorizmit, nuk duhet të jetë një luftë”, thotë ajo.

Lufta Izrael – Hamas, zhvillimet e fundit