Ambasadori suedez në Kosovë: Incidentet në veri - për të ardhur keq

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka thënë se incidentet në veri të vendit janë për të ardhur keq.

Ai në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime” ka shtuar se i dënon këto sulme që kanë ndodhur atje.

“Tani nuk është koha e duhur për t’u fokusuar në veri të Kosovës. Por është koha e duhur që të fokusohemi në zbatimin e Marrëveshjes së normalizimit. Kështu që unë vetëm mund të mbështes atë që kanë thënë kolegët nga kryeqytetet e tjera të vendeve evropiane. Kjo po ashtu do të thotë që ne dënojmë sulmet ndaj personelit të EULEX-it dhe të KFOR-it dhe të bëjmë thirrje për përpjekje për ta shtendosur situatën” – ka thënë Westerlund.

Ai gjithashtu ka shtuar se Kosovës i duhet një marrëveshje e përkohshme politike për veriun.

“Unë nuk po flas për një qasje shumë afatshkurtër, pra qasje që do të jetë afatshkurtër në dy ditët e ardhshme, ne duhet të kemi një lloj zgjidhjeje të përkohshme. Unë nuk do të përshkruaj ndonjë zgjidhje këtu dhe tani, apo jo, por unë mendoj se ka një sërë masash për krijimin e besimit e që mund të përdoren dhe të balancojnë interesat e të dyja palëve… dhe që të keni një lloj marrëveshjeje për këtë pikë” – thotë tutje ai

Ambasadori ka folur edhe për kryetarët e zgjedhur të katër komunave në veri të vendit.

“Ju gjithmonë mund të keni qasjen ligjore që thotë se kryetarët e komunave kanë të drejtë të kenë qasje në ndërtesat e komunave. Dhe kjo është e saktë, ata kanë këtë të drejtë. Por ju gjithashtu duhet ta balanconi atë me atë që po ndodh në terren dhe duhet t’i shikoni zgjedhjet ku pati vetëm më pak se 1% të votuesve, ju duhet të keni këtë parasysh dhe të keni një qasje ku ju i balanconi të gjithë këta faktorë, pra ju nuk mund të keni vetëm një qasje ligjore. Pra, nuk dua të përshkruaj saktësisht se çfarë lloj masash, por mendoj se këtu ka vend për një lloj marrëveshjeje të përkohshme” – tha tutje ai.

Ndryshe, protestat e qytetarëve serbë kanë hyrë në ditën e 11 të tyre.

Ata po protestojnë në Leposaviq e Zveçan pasi nuk po i pranojnë kryetarët e sapozgjedhur.

Përderisa gjatë këtyre 11 ditëve janë shënuar incidente të ndryshme, janë sulmuar ushtarë të KFOR-it dhe u tentua nga protestuesit që të sulmohen edhe gazetarët.

https://kallxo.com/lajm/zhvillimet-ne-veri-kurti-takohet-me-ambasadorin-e-frances-dhe-zv-ambasadorin-e-gjermanise/