A po shkon Ukraina drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës?

Shefi i Komisionit Parlamentar në Ukrainë, Oleksandar Merezhrkon ka folur rreth mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga Ukraina.

Ai në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se momentalisht ka disa argumente politike në favor të mosnjohjes, të paktën siç thotë ai, tani për tani.

“Besoj se pikërisht tani, në këto rrethana, kur ne luftojmë për mbijetesën tonë gjatë luftës, ka disa argumente politike në favor të mosnjohjes, natyrisht, të paktën tani për tani. Sepse argumenti bazë është se, tingëllon kështu: që nëse ne e njohim pavarësinë sigurisht, mund të ketë ndikim negativ në argumentimin tonë ligjor kundër të ashtuquajturës DNR and LNR, e të cilat nuk janë gjë tjetër veçse territore ukrainase e që janë pushtuar nga rusët dhe nuk janë asgjë më shumë se kaq, mirëpo, në të njëjtën kohë për të, për mua…” – ka thënë Merezhrkon.

Ai ka shtuar se pos kësaj për të ka disa dimensione: dimension politik, dimensionin moral dhe dimensionin juridik ndërkombëtar.

“E shikoj nga perspektiva e së drejtës ndërkombëtare sepse gjatë gjithë jetës sime para se të bëhesha politikan, unë kam qenë profesor i së drejtës ndërkombëtare. Për mua ka argumente të forta, argumente juridike ndërkombëtare, në favor të njohjes së Kosovës. Fillimisht ne e kemi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë” – ka thënë ai.

“Së dyti, kur flasim për konflikt ndërmjet të së drejtës për vetëvendosje dhe integritetit territorial, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se ekziston një përjashtim nga parimi i integritetit territorial. Kur dikush kryen gjenocid kundër kombit, krijon këtë përjashtim nga perspektiva juridike, nga ajo ligjore në të njëjtën kohë, udhëheqësia jonë duhet të jetë shumë e kujdesshme tani gjatë luftës dhe ndoshta ka ndonjë shqetësim për pozicionin e Serbisë dhe për qëndrimin e Vuçiqit, i cili…” – shtoi tutje ai.