Foto: Leon Axhemi

Mozaikë me rubikonë (FOTO)

Mozaiku është një nga format më jetëgjatë të artit dekorativ që ka mbijetuar që nga antikiteti. Mozaikët janë përdorur që në lashtësi për të zbukuruar dyshemetë dhe muret.

Më këtë lloj të artit ka filluar që një vit të merret edhe Leon Axhemi, 16-vjeçari nga Gjakova, art të cilin e mësoi përmes internetit. 

Foto: Leon Axhemi

Ai është i vetmi në Kosovë që e praktikon krijimin e mozaikut përmes rubikonëve.

Përgjatë një viti, punimet që i ka realizuar janë Skenderbeu, Michael Jackson, Ismail Qemali, Ibrahim Rugova, Ilir Soba dhe se fundmi Madeleine Albright.

Foto: Leon Axhemi

Portretin e Skenderbeut ai e ka krijuar nga 375 kuba rubiku. Ai është i gjatë 141 cm dhe i gjerë 85 cm. Qëllimi kryesor i këtij punimi ishte shënimi i ditëlindjes së 616-të të Skendërbeut.

Leonit i duhen dy deri në katër orë që ta përfundojë një mozaik.

Foto: Leon Axhemi

“Çdo kub duhet të “zgjidhet” në një mënyrë që kur bashkohen të gjithë të realizojnënje portret. Koha që më duhet për krijimin e mozaikut (në këtë kapacitet) është prej 2 deri në 4 orë”, tregon ai. 

“Krijimi i mozaikëve më pëlqen sepse është një mënyrë kreative dhe unike e realizimit të portreteve, dhe po ashtu më pëlqen të bëj gjëra që kanë të bëjnë me hobin tim – zgjidhjen e rubikonëve”, thotë ai. 

Ëndrra e tij është që në të ardhmen të krijojë një ekspozitë të tij dhe që të popullarizojë këtë lloj të artit. 

Autorja Ilda Kaqi është nxënëse e gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.