Lëndimet që ia ndërprenë ëndrrën gjimnastes 

Karrierra e shkurtër e gjimnastes 17-vjeçare, Berta Gashi, është shoqëruar me shumë ulje-ngritje. Çdo herë që ajo besonte se ishte rikthyer për të triumfuar në gjimnastikë, pësonte një lëndim i cili e linte jashtë palestrave për disa muaj. Kjo u përsërit disa herë ndër vite. Ndërsa mosmbajtja e garave për shkak të pandemisë ishin një arsye më shumë që çuan në braktisjen e gjimnastikës si një sportiste aktive.

Me gjimnastikë ajo ka filluar të merret që kur ka qenë 10 vjeç. Fillimisht u stërvit për një vit dhe më pas e ndërpreu për shkak se kushtet nuk ishi të përshtatshme. Gjimnastikës iu rikthye përsëri në moshën 14-vjeçare.

Gjithçka ishte duke shkuar mirë në gjimnastikë kur ajo ra dhe lëvizi unazën e tretë të shpinës. 

“Në ato momente nuk kisha shpresa që do të mund ta vazhdoja gjimnastikën”, ka thënë vajza nga Prishtina.

Berta ishte konsultuar me mjekun dhe ai kishte kërkuar që ajo të bënte një pushim të gjatë dhe të ndërprente ushtrimet. Për 4 muaj me radhë ajo nuk u stërvit deri në rikuperim të plotë. 

“Gjatë gjithë atyre 4 muajve, prej fillimit deri në fund e kam pas ëerkrahjen e familjes së ngushtë dhe ekipit bashkë me trajnerin tim. Ata më shtynë të kem besim në vete dhe t’i kthehem gjimnastikës më e fortë se sa që isha më herët. Kur fillova e ndjeva veten më të sigurtë edhe ëndrra ime në ato momente ka qenë me marrë pjesë të paktën në një garë të gjimnastikës”, ka treguar Berta.

Pas 6 muajsh stërvitje të palodhshme, ajo arroti të merrte pjesë në garat e gjimnastikës në Kosovë, në Ligën B, ku edhe e fitoi vendin e parë në dy disiplina. 

“Ai ka qenë momenti më i gëzueshëm sepse e dija që më është shpërblyer mundi që e kam bërë me arritë deri në atë pikë”, ka rrëfyer 17-vjeçarja.

Hovin në gjimnastikë ia ndali përsëri një lëndim serioz në ligamentin e boshtit kurrizor.

“Mjeket më thanë që duhet të pushoja. Pushova për disa muaj dhe iu ktheva gjimnastikës”, tha ajo.

Kur Berta ishte gati t’i kthehej stërvitjeve, kishte filluar pandemia dhe masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19 kishin pamundësuar mbajtjen e çfarëdo gare. Gjatë pandemisë ajo u stërvit në kushte shtëpie por më nuk u kthye në palestër.

Edhe pse ajo e ka braktisur gjimnastikës si sportiste, Berta thotë se këtë sport do ta ketë gjithmonë në zemër.

“Pavarësisht kur, e di që do t’i kthehem gjimnastikës si hobi dhe gjithmonë gjimnastika ka me pas një vend special në zemrën time”, ka përfunduar ajo. 

Autorja Eida Maxhuni është nxënëse e gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.