Momneti i dorëzimit të gjashtë shtetasve turq në Aeroportin Ndërkombetarë të Prishtinës

Jashari: Gjashtë shtetasit turq është dashur të nxirren para gjykatës në Kosovë

Avokati i Popullit Hilmi Jashari në intervistën e tij dhënë për emisionin “Drejtësia në Kosovë”, ka deklaruar se nuk janë më rëndësi personat që kanë marrë veprime dhe vendime lidhur me arrestimin e gjashtë shtetasve turq, por janë institucionet shtetërore.

I pyetur se kush janë zyrtarët e shtetit që kanë përgjegjësi në gjithë rastin e arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq, ai ka thënë se  e rëndësishme është autoriteti dhe vendimi që nxjerrë ai autoritet shtetëror.

“Në fakt neve nuk na ka interesuar se kush e ka udhëhequr operacionin se kush kanë qenë policët të cilët kanë marrë pjesë. Neve na kanë interesuar vendimet që këto autoritete i nxjerrin, mbi bazën e të cilave këta individë pastaj kanë pasur këto reperkusione juridike, ose faktike. Edhe kjo ka qenë arsyeja që ne iu kemi referuar në raport kësaj situate si analizë juridike. Për neve është me rëndësi autoriteti shtetëror, tani cili ka qenë personi i autorizuar atje për neve është pak e rëndësishme sepse me rëndësi është vendimi që kanë nxjerrë këto autoritete nëse ka nxjerrë dhe nëse nuk ka nxjerrë atëherë detyrim i cilit autoritet ka qenë me nxjerrë atë vendim”, ka thënë Jashari.

Ai ka treguar se gjatë hetimit të institucionit të Avokatit të Popullit kanë vlerësuar një situatë kur prokurori special ka deklaruar që ka pranuar dy kërkesa nga Ministria e Drejtësisë e të cilat i janë dorëzuar Prokurorisë Themelore. Pastaj siç ka thënë Jashari ato kërkesa Prokuroria Themelore i ka përcjellë në Prokurori Speciale.

“Është një nisme e një procesi të ekstradimit në rrethanë normale edhe i cili kryhet nëpërmjet departamentit për bashkëpunim ndërkombëtarë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Mirëpo, ndërkohë ka filluar një proces tjetër me urdhër dëbimi, kryesisht është udhëhequr nga një ministri tjetër që është Ministria e Punëve të Brendshme, e që duket nuk ka pasur asnjë koordinim të ndërsjellë, ose eventualisht ka mundur me pasë. Mirëpo në anën tjetër i kemi vetëm dy persona që janë përfshirë në këtë tentim. Mirëpo, këto vendime janë përcjellë afërisht një muaj më herët se sa që ka ndodhur atë nëse mund me quajt dëbim siç interpretohet nga autoritetet publike apo sipas vlerësimit tonë ekstradim”, ka deklaruar Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

I pyetur se kush ka vendosur ta marrë ligjin në dorë në rastin e arrestimit dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq, Jashari ka deklaruar se ka patur një vlerësim nga AKI-ja se personat në fjalë paraqesin rrezik nacional. Mirëpo ka theksuar se përkundër kësaj ata është dashur të nxirren para gjykatës.

“Tek AKI-ja është një proces i zakonshëm të jem i sinqertë me ju. Çdo shtet bënë një vlerësim të situatës së rrezikut nacional çfarë ka mandat edhe AKI-ja. Tani pa dashtë me hy në kompetencën e AKI-së për të vlerësuar nëse vërtetë kanë përbërë një rrezik për sigurinë kombëtare, apo jo, megjithatë AKI-ja ka vlerësuar që po. Edhe del që AKI-ja ka potencuar që paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare. Megjithatë këtu pastaj gjithçka është përcjellë tek Ministria e Punëve të Brendshme. Edhe kjo Ministri e ka udhëhequr gjithë këtë proces nga vlerësimet tona”, ka thënë ai.

Jashari ka thënë se pa marrë parasysh nëse kanë përbërë rrezik për sigurinë apo jo gjashtë shtetasve turq është dashur dhe ka qenë obligim i institucioneve publike që atyre t`u sigurohej qasja në gjykatë.

“Këtyre personave është dashur t`u sigurohet qasja në gjykate dhe ata duhet të vlerësohen me një procedurë të rregullt par asnjë  gjykate të pavarur dhe të paanshëm., por eventualisht për t`u mbrojtur për pretendimet që shteti i ka theksuar në këtë rast rrezikim i sigurisë kombëtare”, ka thënë Jashari.

Ai ka treguar se praktika e Gjykatës Evropiane të Strasburgut ka plot raste të cilat pikërisht e kanë trajtuar situatë të njëjtë.

“Në raportin tonë kemi vlerësuar dy më tipike. Njëra është rasti “Qehal” kundër Britanisë dhe është rasti “Sadi” kundër Italisë. Janë po të njëjtës situatë kur këta persona akuzohen se paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare dhe marrin urdhëresa administrative të një organi që mund të jetë ministri e punëve të brendshme apo një autoritet tjetër. Mirëpo mbi bazën e kësaj ata kanë pasur të drejtë të paraqiten në gjykatë për të pretenduar që nuk paraqesin rrezik. Edhe përfundimisht për të lejuar gjykatën që të vendos që nëse me të vërtetë paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare apo jo. Në të dyja këto raste Gjykata Evropiane ka theksuar edhe përkundër vendimit të plotfuqishëm të gjyqësorë, është detyrim i shtetit për t`u siguruar që nëse këta persona nëse do të ekstradoheshin ose do të dëboheshin në shtetin e origjinës, a mund të paraqitet rrezik për këta persona si liria e keqtrajtimit nga autoritetet e shtetit përkatës dhe a mund të paraqet rrezik për jetën e tyre”, ka deklaruar Avokati i Popullit.

Ai ka shtuar se nëse personat paraqesin rrezik, atëherë ata detyrimisht duhet të ndalohen nga ky proces dhe nuk guxojnë t`i ekspozohen një rreziku të tillë që është e ndaluar në mënyrë apsolute me nenin 3 të Konventës Evropiane për liritë dhe të Drejtat e Njeriut që flet për keqtrajtimin e këtyre personave.

“Për derisa kemi këso vendime dhe për derisa kemi nenin 53 të Kushtetutës së vendit e cila thotë gjithashtu  që këto raste të praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane të Strasburgut  janë të detyrueshme dhe kanë supermaci ndaj çdo ligji vendor, atëherë është evidente që po kemi pas shkelje të këtij standardi, sepse këta persona nuk kanë pasur asnjë mundësi për të sfiduar në një procedurë gjyqësore të rregullt pretendimet që nuk paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare”, ka thënë Jashari, transmetoi “Drejtësia në Kosovë”.