Ish-ministri i jashtem grek Nikos Kotzias dhe ish- ministri shqiptar Ditmir Bushati - Burimi i Foto Fcb D.Bushati

Ish-ministri i Greqisë: Ditmir Bushatin e liruan nga pozita për shkak të qëndrimeve të tij ndaj Kosovës dhe Greqisë

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias në një interviste në radion e News 24/7 ka deklaruar se nuk mendon që është e drejtë që politika greke e jashtme të konkurrojë me atë turke dhe shqiptare.

Sipas tij, ka dallime kulturore mes asaj greke dhe turke, sepse siç u shpreh ai ‘Turqia ka një kulturë të politikës së jashtme me tone të larta, të zhvatjes, të paralajmërimeve, ndërkaq ne kemi një politikë të jashtme të paqes’.

“Këtë e them edhe për Shqipërinë sepse gjatë dy muajve të fundit tonet u rriten tej mase shumë. Pashë Kyriakos Mitsotakis të bërtiste në Parlament se ne, Demokracia e Re nuk do të lejojmë që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Së pari, kjo nuk thuhet publikisht. Sepse nëse e thua publikisht, ti krijon një çarje tek tjetri, kështu që edhe ai ngrenë tonet”, ka deklaruar ish-ministri.

Deklarata të tilla sipas Kotzias, duhen bërë në mënyrë të sjellshme, tek Komisioni Evropian, konkretisht tek komisionari Hahn, apo Mogherini, për të bërë një punë diplomatike më serioze dhe në mënyrë që të mos krijojë përçarje fqinjësore.

Ai gjithashtu theksoi se kjo parti pa asnjë kusht e bëri Shqipërinë pjesë të NATO-s, si dhe e pranuan si shtet kandidat në Bashkimin Evropian pa marrë në këmbim asgjë.

“Të gjithë ata që lejuan që të bëhen këto dyja pa asnjë këmbim prapa (anëtarësim në NATO dhe vend kandidat në BE). Domethënë janë hipokritë. Nuk bëhet kështu politika e jashtme, me hipokrizi. I futën në NATO pa kushte, dhe tani thotë sesi do i fuste (në BE) nëse ishte në Qeveri”, ka deklaruar ai.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, deklaroi se Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati ishte ndër ministrat më racional dhe më luftarak rreth bindjeve të tij.

Edhe pse i ri në moshë, thotë Kotzias, ai (Ditmir Bushati) ishte shumë i pjekur dhe njeriu më serioz që ka pasur ndonjëherë Shqipëria për negociata dhe arsyeja e largimit të tij, nuk është ajo që thuhet në Shqipëri thekson ai, por arsyeja e vërtetë është qëndrimi i tij ndaj çështjes së Kosovës dhe përpjekja për një marrëveshje me Greqinë.

“Nuk ishte dakord domethënë për ndryshimin e kufijve dhe së dyti, sepse kishim bërë këtë përpjekje, të bëjmë një marrëveshje-paketë. Dhe duhet t’ju them se paketa e marrëveshjes kishte përfunduar. Por kishim dy probleme”, vazhdoi tutje ai.

Në Shqipëri nuk ka pasur Gjykatë Kushtetuese për të ratifikuar ndryshimet që u bënë në një serë çështjesh, deklaroi Kotzias sepse siç thotë ai, pala shqiptare ka vetëm 2 nga 11 gjykatës pasi shpërbën Gjykatën e tyre Kushtetuese.

Dhe së dyti, sa i përket Shqipërisë, në Greqi ekziston një shtet i thellë i cili sipas tij, nuk njeh më disa truqe ligjore të paligjshme si kufijtë dhe nuk është i gatshëm, që të njohë me mjete ligjore përfundimin e luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë që shpërtheu para disa dekadave.

“Greqia duhet të bëhet serioze. Dhe kjo lidhet kryesisht me forca të djathta dhe të ekstremit të djathtë të cilat paraqesin vetën si patriotë, ndërkohë që janë këto forca të cilat e dini shumë mirë se ku na çuan në Qipro. Nuk kam frikë për një Shqipëri të Madhe për deri sa nuk jemi të pamend, dhe për deri sa ne ndërmarrim iniciativat dhe zgjidhim problemet e rajonit”, përfundoi ish-ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë.

 

06 Janar 2019 - 16:39

Përgatiti: Liridona Ademaj - KALLXO 06/01/2019 - 16:39
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend