Rruga 'Deshmoret e Ponoshecit'/Kalabria

Raportimi nga KALLXO.com, komuna e Prishtinës nis procedurat për ndërtim të rrugës 'Dëshmorët e Ponoshecit' në 'Kalabri'

Komuna e Prishtinës ka nisur procedurat për ndërtim të rrugës ‘Dëshmorët e Ponoshecit’ në lagjen ‘Kalabria’.

Punimet në këtë rrugë ka më shumë se një vit që janë ndërprerë pas një ankese të ndërmarrjes hidroekonomike ‘Ibër Lepenci’ në Ministri të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës sa i përket trasesë së rrugës nën të cilën gjendet një gyp që lidh liqenin e Badovcit me atë të Ujmanit.

Për pasojë, banorët e kësaj rruge me gjatësi rreth 1 kilometër kanë qarkulluar në gropa e baltë.

Kallxo.com ka raportuar dy  herë për problemin e banorëve që kanë me gjendjen e kësaj rruge, derisa komuna e bartte përgjegjësinë tek qeveria si pronare e tokës.

Më 30 janar komuna e Prishtinës ka shpallur tender për ndërtim të rrugës ‘Dëshmorët e Ponoshecit’, ku përfshihen edhe ndërhyrje në rrugën ‘Sylejman Vucitërna’ dhe rikonstruktim i rrugës ‘Ilir Konushevci’.

Vlera e këtij tenderi  është 356 mijë euro të ndarë në dy pjesë (llote).

Pjesa e parë ku përfshihet ‘Rikonstruktim i rrugës Ilir Konushevci’ ka vlerë 226 mijë euro dhe pjesa e dytë 130 mijë euro.

Rruga ‘Dëshmorët e Ponoshecit’ parashihet të përfundojë për 60 ditë pune pas nënshkrimit të kontratës.

Kallxo.com ka tentuar të marr përgjigje nga komuna e Prishtinës nëse ndërtimi i kësaj rruge do ketë devijim sa i përket trasesë apo do vazhdojë e njëjta që ka mbetur e papërfunduar, por deri në momentin e publikimit nuk është dhënë përgjigje.