IKShPK thirrje qytetarëve: Kujdes ku po ushqeheni!
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) u ka bërë thirrje qytetarëve të vendit që të kenë kujdes se ku po ushqehen dhe çka po hanë.
Këtë apel IKShPK e ka bërë me rastin e ardhjes së stinës së verës, kur, sipas Institutit, duhet pasur kujdes gjatë gatimit, ruajtjes dhe shpërndarjes së ushqimit.
Instituti tërheq vërejtjen se pakujdesia mund të rezultojë me rrezik për jetën e qytetarëve.
Ky është njoftimi i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës :
“Jemi në sezonin e verës! Kujdes gjatë gatimit, Ruajtjes dhe shpërndarjes së ushqimit!
MOS HANI USHQIM KUDO!
PAKUJDESIA SHKAKTON EPIDEMI ME RREZIK PËR JETÊN E QYTETARËVE!
Çdo minutë sëmuren 44 persona, sot në botë sëmuren 23 milion persona në vit nga ushqimi jo i sigurtë dhe 4700 persona në vit vdesin nga ushqimi jo i sigurtë!
Këto të dhëna të OBSh janë vetëm maja e ajsbergut! Të dhënat e sakta nuk dihen! ».