Gjykimi për grabitje - Foto: KALLXO.com

I akuzuari: Nuk ia grabita unë zinxhirin nga qafa të dëmtuarës

Sabit Rashiti nga Gjilani ka dalë para Gjykatës për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë, e cila e ngarkon me veprën penale të grabitjes.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i Prokurorisë së Gjilanit, Isuf Sadiku, i akuzuari Rashiti tha se nuk e pranon fajësinë sepse konsideron që veprën penale nuk e ka kryer ai, raporton KALLXO.com.

Shqyrtimi më pas vazhdoi me fjalën hyrëse të palëve, ku prokurori i shtetit theksoi se qëndron pranë aktit akuzues, kurse i akuzuari dhe mbrojtësi i tij, avokati Abdullah Ismajli, theksuan se e kundërshtojnë aktin akuzues dhe se gjatë shtjellimit të provave e dëgjimit të dëshmitarëve do të vërtetohet pafajësia.

Në këtë akuzë akuzohet edhe i mituri Sh.R., për të cilin është veçuar procedura penale, dhe ndaj tij do të zhvillohet procedurë tjetër në Departamentin për të mitur në Gjilan, raporton Kallxo.com.

Meqenëse në këtë seancë nuk ishin prezentë dëshmitarët dhe e dëmtuara e rastit, trupi gjykues në përbërje nga gjyqtarët Islam Thaqi kryetar, Rilind Sermaxhaj dhe Gazmend Ajvazi anëtarë, komunikuan se shqyrtimi gjyqësor shtyhet për më 11 mars 2019.

Në aktakuzën e përfaqësuar nga prokurori Isuf Sadiku thuhet se Sabit Rushiti më 5 korrik 2012, rreth orës 21:50, në oborrin e Spitalit Regjional të Gjilanit, te shkallët e Spitalit Gjinekologjik, pasi që janë marrë vesh me të miturin Sh.R. nga Gjilani kanë kryer veprën penale të grabitjes në dëm të dëmtuarës Selvije Bilalli.

Sipas akuzës, të akuzuarit nga qafa ia grabisin me forcë zinxhirin e arit në vlerë prej 500 euro të dëmtuarës në fjalë dhe ikin në drejtim të panjohur.

Më pastaj, pas punës operative të Policisë në Gjilan, të njëjtit hetohen dhe arrestohen.