Statuja e Ibrahim Rugovës në qendër të Prishtinës | Foto: Atdhe Mulla

Heshtje Institucionale në Ditën e Vdekjes së Rugovës

Përveç LDK-së e AAK-së, institucionet dhe subjektet tjera politike nuk planifikojnë aktivitete në 11 vjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës.

KALLXO.com kontaktoi këshilltarin e Presidentit, Artan Behrami,për ta pyetur në lidhje me aktivitetet e mundshme të Presidencës në ditën e vdekjes së Ibrahim Rugovës, por Behrami edhe pse u dakordua për të njoftuar rreth kësaj çështjeje, më pas nuk iu përgjigj thirrjeve telefonike.

As Zyra e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës nuk ka në plan të bëjë homazhe për Ibrahim Rugovën gjatë dites së sotme. Këtë e ka konfirmuar këshilltari për media i Kryetarit Veseli, Valmir Klaiqi.

Aktivitete për sot në kujtim të ish-Presidentit nuk ka paraparë as partia që u krijua nga presidenti aktual Hashim Thaçi.

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Basri Musmurati për KALLXO.com e ka konfirmuar se si kryesi nuk kanë në agjendë ndonjë aktivitet përkujtimor për Rugovën.

“Brenda Kryesisë së PDK-së s’ka ndonjë agjendë të caktuar për nesër, por të gjithë njerëzit tanë janë në institucione dhe ata do bëjnë homazhe,” tha Musmurati për KALLXO.com.

Presidenti Hashim Thaçi tri ditë më parë organizoi akademi përkujtimore dhe e dekoroi me urdhrin “Hero i Kosovës” Haki Imerin, ish-aktivistin e LDK-së të vrarë pas luftës.

Në këtë ceremoni nuk morën pjesë përfaqësues të LDK-së.

http://kallxo.com/thaci-takon-deshmitarin-e-gjykates-speciale-ia-dekoron-vellane-e-vrare/

http://kallxo.com/ldk-flet-per-mungesen-ne-akademine-per-haki-imerin/

Lidhja Demokratike e Kosovës, partia që u krijua nga Ibrahim Rugova planifikon sot homazhe te varri i ish-Presidentit, takim i kryetarit dhe anëtarëve të kryesisë më familjarë të Rugovës dhe një akademi përkujtimore për të.

Homazhe për Ibrahim Rugovën do të bëjë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia që kishte postin e Kryeministrit në qeverinë e koalicionit me LDK-në në vitin 2004.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Jahja Lluka konfirmoi homazhet për Rugovën që do t’i bëjë ky subjekt politik, edhe pse tregoi se AAK-ja sot do të jetë pjesë e protestës së ish-ushtarëve të UÇK-së për lirimin e Ramush Haradinajt.

“Vizitë tek familja Rugova ndoshta s’do të kemi mundësi me ba, për shkak të protestës që është thirre nga veteranët, por për homazhe tek varri, si çdo vit, tradicionalisht, një delegacion i Aleancës do të shkojë,” tha Luka për KALLXO.com.

Në anën tjetër zëdhënësi i Lëvizjes “Vetëvendosje” Shkodran Hoti, tha se kjo çështje i takon Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë të “Vetëvendosjes”, që udhëhiqet nga Boiken Abazi, i cili nuk gjendet në Kosovë.

KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Nisma për Kosovë, por ata nuk kane qenë të gatshëm të përgjigjën rreth kësaj çështjeje.

Kryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Presidenti i parë i Kosovës Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar 2006, pas një sëmundje të rëndë.