Foto: REL/Shutterstock

Hartohet Udhëzimi Administrativ që Rregullon Çmimet e Barërave nga Lista Esenciale

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka njoftuar se Ministria që e drejton ai ka hartuar draftin e udhëzimit administrativ që rregullon çmimet e produkteve nga Lista e Barnave Esenciale.

Sipas këtij udhëzimi administrativ përcaktohet çmimi maksimal i blerjes (tavani i çmimit) për produkte medicinale, duke ndaluar blerjen e barnave me çmime shumëfish më të larta.

Po ashtu, udhëzimi administrativ sipas ministrit Ismaili cakton çmimin për rimbursim nga Fondi për Sigurim Shëndetësor për secilin produkt medicinal.

Ministri ka paralajmëruar se nesër do të mbahet një diskutim publik, në të cilin do të flitet për këtë udhëzim administrativ para se ta dërgojnë në Qeveri.

“Ngadalë po përmbushim tërë infrastrukturën ligjore për rregullimin e furnizimit të qëndrueshëm me barna me çmime kost-efikase, pa dëmtuar buxhetin e shtetit dhe duke mënjanuar çfarëdo keqpërdorimi të mundshëm”, ka shkruar Uran Ismaili në profilin e tij në “Facebook”.