Kryeministri Haradinaj shtron darkë për komandantë të NATO-s, KFOR-it dhe Gardës Kombëtare të Iowas - Foto: Facebook/ RamushHaradinaj

Haradinaj pret në shtëpinë e tij oficerë të lartë të NATO-s

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sonte në shtëpinë e tij oficerë të lartë të NATO-s si dhe ambasadorët e vendeve të Quintit.

Haradinaj ka treguar se një “darkë miqësore” ka pritur nënadmiralin amerikan Colin J. Kilrain, komandant i Operacioneve Speciale të NATO-s bashkë me komandantin italian të KFOR-it gjeneral Salvatore Cuoci, kolonelin amerikan nga kampi Bondsteel, Nick Ducich, si dhe komandantin e Gardës Nacionale të Iowa-s gjeneralin Timothy Orr.

“Në këtë darkë miqësore, ku të pranishëm ishin edhe ambasadorët e Kuintit, shpreha mirënjohjen e popullit të Kosovës për rolin e pazëvendësueshëm të vendeve euro-atlantike në rrugën tonë të konsolidimit si shtet”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka shtuar se populli i Kosovës do t’i jetë përherë mirënjohës NATO-s për ndihmën në luftë dhe në paqe.