Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Duhet të krijohen trupa të veçantë për demarkacion me Malin e Zi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se janë marrë disa veprime pas votimit të Ligjit për Ratifikim të Marrëveshjes mes Kosovës dhe Malit të Zi për çështjen e demarkacionit.

“E para, Komisioni ynë shtetëror ka përgatitë një bazë të koordinatave, në bazë të cilave synohet korrigjimi. Me këtë bazë të koordinatave, kemi pas mundësi në nivelin politik t’i informojmë autoritetet e Malit të Zi.  Në nivelin politik është vazhduar komunikimi për domosdoshmërinë dhe rëndësinë e korrigjimit në dy drejtime të cekura në Ligjin që ka ratifiku Kuvendi, pra në drejtim të Qakorrit dhe të Kullës”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se duhet të bëhet edhe krijimi i trupave të veçanta që do të bëjnë punë të përbashkët rreth çështjes së demarkacionit.

“Veprimet tjera që janë krijimi i trupave veç e veç dhe i punës së përbashkët, duhet të pasoj tani por edhe Kosovës ju ka nevojitur një kohë përgatitore për shkak se kjo nuk mund të jetë edhe njëherë e ri-diskutueshme”, tha Haradinaj.

Ai tha se institucionet e Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm për çdo të dhënë, çdo koordinatë dhe çdo materie që e përfaqësojmë për korrigjim në rastin e demarkimit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Kryeministri Haradinaj paralajmëroi edhe publikimin zyrtar të të gjeturave të Raportit të Komisionit Shtetëror.

“Bazuar në ato të dhëna dhe në koordinata që politikisht tash kemi pas mundësi t’i diskutojmë ka filluar puna rreth korrigjimit. Në të ardhmen grupet punuese kur të ulen me siguri ata do të raportojnë periodikisht për të arriturat e tyre”, deklaroi Haradinaj.

Këto përgjigje, Haradinaj i dha në Kuvendin e Kosovës, pasi që deputetja e subjektit të tij politik Time Kadrijaj e pyeti se çfarë ka bërë qeveria një muaj pas votimit të Ligjit për ratifikim të Marrëveshjes mes Kosovës dhe Malit të Zi.