Gjykata Speciale u garanton mëditje komandantëve të UÇK-së të ftuar në Hagë

Zyra e Prokurorit të Specializuar komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ftuar për t’u paraqitur në Hagë, u premton heqjen e shpenzimeve të udhëtimit, akomodimit dhe mëditje.

Kështu thuhet në thirrjen për t’u paraqitur në Hagë që i është dërguar së paku njërit prej komandantëve emrat e të cilëve janë bërë publikë.

“Në mënyrë që të kryhen procedurat logjistike përkatëse duhet të kontaktoni sa më parë Zyrën e Prokurorit të Specializuar në këtë numër telefoni: XXX ose adresë email: XXX. Shpenzimet tuaja të udhëtimit, akomodimit dhe mëditjet do t’ju paguhen”, thuhet në thirrjen për t’u paraqitur në Hagë që i është dërguar njërit prej 6-7 eprorëve të UÇK-së, emrat e të cilëve tashmë janë bërë publikë.

Po ashtu të ftuarve për intervistë u është kërkuar që të marrin me vete edhe dokumente e çfarëdo lloj informacioni që tregon vendndodhjen e tyre fizike dhe gjeografike nga 1 janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor të vitit 2000.

Gjatë këtyre ditëve Gjykata Speciale ka ftuar për intervistë në Hagë, Rrustem Mustafën të njohur si komandant ‘Remi’, Remzi Shalën i njohur me pseudonimin “Molla e Kuqe”, Sami Lushtakun, Sokol Dobrunën, Nazif Mehmetin i njohur si komandant ‘Dini’, Safet Syla.

https://kallxo.com/te-ftuarve-nga-gjykata-speciale-u-kerkohen-dokumente-te-uck-se/

www.kallxo.com