Visar I. Arifaj

Lexhendari 

Visar Arifaj drejton subjektin më të ri në vend, Partinë e Fortë, e regjistruar më 20 qershor dhe e përbërë nga të rinj pa përvojë politike, që kritikojnë situatën aktuale në Kosovë përmes satirës. 

“Problemi nuk është pse 40 për qind janë të papunë, por pse ky 60 përqindëshi ende duhet të punojë”, është një prej deklarimeve të mëhershme të kryetarit të Partisë së Fortë. 

Ndërsa në një deklaratë tjetër PF-ja ankohet se “çmimi i votave për mendimin tonë është shumë i standardizuar dhe kjo është kundër rregullave të tregut të lirë”.

Kandidati për Prishtinën është 26 vjeçar dhe vetëquhet “kryetar lexhendar”. “Për dallim prej legjendarëve të tjerë unë jam me xh të fortë”, thotë ai.

“Partia e ka pa potencialin tek unë si njeri i duhur për ndryshime në Prishtinë dhe për t’i sjellë përfitime partisë”, vazhdon lexhendari. 

Thotë se zgjohet në orën 5 të mëngjesit për të lexuar gazetat, ndërsa pjesën tjetër të ditës e kalon duke i qajtur hallet e qytetarëve. 

Ai do të zbatojë tri projekte nëse zgjidhet kryetar komune. Do të ndërtojë autostradë që lidh lagjet Arbëria dhe Bregu i Diellit, do të ndërtojë shtëpinë e kryetarit si dhe do të mbyllë shkollat e mesme në Prishtinë, pasi që i sheh si të panevojshme për edukim. 

“Asnjë problem nuk e shohim si të hekurt, por edhe nëse është problem i hekurt, ai mundet me u shkri e me u laku” thotë ai.

Thotë se gjëja më e dashur në Prishtinë për të ka qenë një katror [i betonit] ku është tash statuja e Bill Clinton-it, afër të cilit e ka kaluar fëmijërinë. 

“Te katrori kemi nejt sa kemi qenë fëmijë dhe kemi luajtur aty. Tash aty është një statujë, por nuk mërzitem shumë, se për veti e kam mbaruar fëmijërinë. Nuk mërzitna shumë për brezat tjerë që po vijnë”, shton ai.

Arifaj ka lindur në Prishtinë dhe ka mbaruar shkollën fillore në lagjen e tij në Dardani. Ka vazhduar të mesmen në drejtimin matematikë-informatikë në gjimnazin “Sami Frashëri”. Ka studiuar në Fakultetin e Arteve të Universitetit të prishtinës për dizajn grafik. Në vitin 2005 bashkëthemeloi kompaninë e dizajnit “Trembelat” dhe që prej atëherë punon në këtë kompani. 

Pasuria e Arifajt është biçikleta dhe një vizatim i klasës së parë që e vlerëson një miliard euro. Banesa në të cilën jeton është e nënës së tij, ndërsa është bashkëpronar në kompaninë Trembelat. 

Kuptimi i hyjneshës në fron Me duart te beli i bie që nuk ka çka me ba, veç me kqyr seri.

Libri i fundit i lexuar Jeta Nga Sfida në Sfidë, e Behxhet Pacollit. 

Këngëtari i preferuar Nuk po i përmend se u mbetet hatri

Filmi që mund ta shihni çdo ditë Braveheart dhe filmat e Halil Budakovës

Mediat Sociale Interneti mundëson që qytetarët të jenë të lidhur direkt me vendimmarrjen. 

A do të fitoni Është e padiskutueshme. 

Çfarë nuk mund të ndryshoni në Prishtinë S’do të ketë asnjë problem që Partia e Fortë nuk mund ta zgjidhë.