Telekomi flet për ultimatumin e dytë për borxhin milionësh ndaj Z-Mobile

Tre ditë i kanë mbetur Telekomit të Kosovës për të dalë me një zgjidhje lidhur me pagesën e borxhit rreth 26 milionë euro që e ka ndaj kompanisë Dardafon (Z Mobile)

Në maj të këtij viti, kompania private i kishte dhënë afat ndërmarrjes shtetërore deri më 15 qershor që të prezanton një plan për pagesën e borxhit.

Megjithatë, Telekomi i Kosovës ende nuk ka bërë publik ndonjë plan se si do ta trajtojnë këtë situatë.

“Telekomi i Kosovës ka angazhuar, përveç resurseve të brendshme, edhe ekspertizë të jashtme, legale dhe financiare për të vlerësuar se cila është rrugëzgjidhja më e arsyeshme që të dyja palët të gjejnë interesin e përbashkët. Një vendim përfundimtar lidhur me këtë çështje, do të jetë transparent dhe publik”, thuhet në përgjigjen e Telekomit për KALLXO.com.

Tutje në përgjigjen e Telekomit thuhet se Komisionet e brendshme janë duke shqyrtuar çdo formë e cila do të ishte e përballueshme për Telekomin dhe konform një projeksioni më afatgjatë duke analizuar gjendjen në të cilën gjendet Telekomi.

Tani për tani ekziston  një marrëveshje parimore e dakorduar mes Telekomit të Kosovës dhe Dardafon dhe me ndërmjetësim të MZHE-së dhe Këshillit Ndërministror, marrëveshje kjo që ka skadencën 15 Qershor 2019.

Kjo marrëveshje ishte arritur pasi në fillim të muajit maj, kompania kishte dërguar ultimatum dy javor për pagesën e borxhit, nën kërcënim të përmbarimit.

Rreth 26 milionë euro të ndërmarrjes shtetërore i takojnë Dardafon-it sipas një vendimi të Gjykatës së Arbitrazhit që thotë se kontrata mes këtyre dyjave nuk ishte zbatuar nga Telekomi.

Në të njëjtën kohë Telekomi i Kosovës ka hyrë në negociata me kompaninë “Dardafon.net L.L.C”, pronë e Blerim Devollit, për vazhdimin e kontratës për operator virtual- ‘Z-Mobile’. Telekomi nuk i është përgjigjur pyetjeve të fundit lidhur me këto negociata.

Sipas kryesueses së bordit të Telekomit, vazhdimi i kontratës po kushtëzohet nga borxhi rreth 26 milionë euro që Telekomi ia ka kompanisë së Blerim Devollit, pasi kjo e fundit kishte fituar arbitrazhin. 

Muaji korrik i këtij viti do të shënojë fundin e kontratës 10 vjeçare mes Telekomit dhe ‘Z-Mobile’, por vazhdimi i kësaj kontrate po negociohet në të njëjtën kohë me borxhin 26 milionësh.

Nga ana tjetër, Komisioni Hetimor për krizën në Telekomin e Kosovës, ka miratuar listën e personave të cilët pritet t`i intervistojë lidhur me kontratën me kompaninë ‘Z-Mobile’.

Në mbledhjen e fundit të këtij komisioni, u intervistua ish-Kryeshefi i kësaj ndërmarrje, i cili tha se nuk kishte ‘njeri të gjallë që mund të ndalte nënshkrimin e kësaj kontrate’.

Arbitrazhi 

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Përgjigjja e “Z-Mobile”  

Sipas “Z-Mobile”, gjatë gjithë kohës kanë zhvilluar takime me Telekomin e Kosovës për të gjetur një zgjidhje miqësore me qëllim të parandalimit të ekzekutimit të vendimit të Arbitrazhit por gjithmonë ka pasur mospërmbushje të kushteve të marrëveshjes.

“Telekomi dhe Z Mobile gjatë gjithë kësaj kohe kanë zhvilluar takime me qëllim të kërkimit të zgjidhjes miqësore, me qëllim të parandalimit të ekzekutimit të vendimit të Arbitrazhit. Ne gjithmonë jemi deklaruar se nuk kemi interes që Telekomi të ketë vështirësi. Për këtë qëllim kemi iniciuar biseda për zgjidhen e një modusi, i cili ruan të dyja palët dhe paraqet një zgjidhje të qëndrueshme përpara”, thuhet në deklaratën e “Z-Mobile”.

“Z-Mobile” ka potencuar se atyre nuk i është lënë asnjë hapësirë për të shpresuar se në të ardhmen Telekomi i Kosovës do t’i respektojë detyrimet e veta. 

“Në këtë situatë neve nuk na është lënë asnjë hapësirë për të shpresuar se në periudhën në vazhdim Telekomi do t’i respektojë detyrimet e veta, të ripotencuara qartë edhe në vendimin e Arbitazhit, kështu që jemi detyruar të thirremi në vendimin e njëjtë të ICC-së për ekzekutim të kompensimit të humbjeve të shkaktuara shkaku i neglizhencës së njërës palë kontraktuale, Telekomit të Kosovës”, theksohet në deklaratën e “Z-Mobile”.

Reagimet për gjendjen e Telekomit të Kosovës  

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri ka thënë se gjendja e Telekomit të Kosovës nuk ka qenë kurrë më e rëndë se tani. Sipas Ymeri, kjo gjendje e ka një histori pasi qeverisjet e Kosovës kanë pasur të njëjtën qasje ndaj kësaj ndërmarrje publike.

“Kontratat me palët e treta, sikur ajo për krijimin e operatorit virtual Z Mobile, si dhe me kompanitë tjera që kryejnë shërbime për Telekomin, qartazi kanë shërbyer si mekanizëm për kanalizimin e të mirave publike në xhepa privat. Ky, për mua është definicioni i korrupsionit – vendimet e zyrtarëve publik të cilat i shërbejnë (vetëm) interesave partikulare”, ka shkruar Ymeri.

Në kohën kur Telekomit të Kosovës i ka mbetur edhe pak kohë për të paguar borxhin prej 25 milionë euro ndaj “Z-Mobile”, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, njoftoi për dy nisma emergjente “për ta ndalur krimin që ka gjunjëzuar gjyqësorin, prokurorinë dhe qeverinë”.

E para ka të bëjë me thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvend, dhe e dyta ka të bëjë me një nismë ligjore, së cilës nëse ia ngushtojmë kuptimin siç tha Konjufca në konferencë për media, i bie që t’i ndalohet veprimtaria kompanisë Z-Mobile.

Federata Sindikale e Pavarur e PTK-së ka reaguar pas paralajmërimit të Z-Mobile ndaj Telekomit të Kosovës së do se do ta dërgojnë borxhin prej më shumë se 25 milionë euro në përmbarim. Punëtorët e PTK-së kanë paralajmëruar se nuk do të rrinë duarkryq duke shtuar se duhet ditur të mbrohet Telekomi dhe nuk i frikësohen “shantazheve nga korrupsioni dhe krimi i organizuar”.

“Lidhur me kërcënimin e Z-Mobile ndaj Telekomit të Kosovës për ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit, ju bëjmë me dije edhe pronarëve të Z-Mobile por edhe qeverisë se ata do të jenë përgjegjës për kaosin social që mund të shkaktojë ekzekutimi i këtij vendimi. Ne tashmë nuk do të rrijmë durakryq përballë të drejtës sonë për ta mbrojtur kompaninë. Opinioni publik tashmë e di mirë se kush janë shkaktarët e vërtetë të dëmtimit të Telekomit”, thuhet në reagimin e tyre në “Facebook”.