Mësimet e nxjerra nga dështimi i Kosovës në Interpol

Dështimi i Kosovës i së martës që të anëtarësohet në Interpol duhet të shërbejë si një shembull në politiken e Kosovës. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndryshojë, dhe politikanët duhet të ndërtojnë një momentum të ri të brendshëm për unitet.

Kërkesa e Kosovës që t’i bashkohet Interpol-it ka dështuar pasi që nuk arriti mbështetje nga anëtarët e rrjetit më të madh të shkëmbimit të informacionit kriminal në botë. Kjo është humbja e dytë për Kosovën në politikën e jashtme që nga dështimi për të siguruar anëtarësim në UNESCO në vitin 2015.

Ndryshe nga UNESCO, anëtarësimi në Interpol është konsideruar si një proces thjesht teknik i udhëhequr nga Policia e Kosovës përmes grupit teknik të punës në mënyrë aktive duke përgatitur aplikimin, duke bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë, duke informuar shtetet anëtare dhe duke promovuar globalisht propozimin e Kosovës në Interpol. Përndryshe, votat do të siguroheshin nëpërmjet kanaleve diplomatike të Kosovës dhe vendeve mbështetëse të saj.

Në parim, me Kosovën në Interpol, përfitimet do të ishin të shumëfishta. Kosova do të përfitonte nga shkëmbimi proaktiv i informacionit për të luftuar më sukses krimin e organizuar, terrorizimin dhe kërcënime të tjera të sigurisë.

Vërtet, ky dështim diplomatik shënon një pengesë të rëndësishme për Kosovën, duke kërkuar një rishqyrtim serioz të politikës së jashtme të Kosovës, por gjithashtu edhe në funksionimin e brendshëm të vendit.

Rezultatet e votimit në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit pasqyrojnë gjëra për të cilat ne  – si qytetarë të Kosovë – kemi qenë dëshmitarë viteve e fundit: pengesat diplomatike, mungesa e njohjeve të reja, numrat shqetësues të tërheqjeve të njohjeve prej vendeve që kanë rishikuar vendimin e tyre, dhe në përpjekjet për t’u bashkuar me mekanizmat multilateralë.

Dështimi i antarësimt në UNESCO dhe Interpol, mungesa e progresit për liberalizimin e vizave dhe perspektivat joekzistuese për anëtarësimin në BE ose në Këshillin e Evropës janë tregues të qartë se Kosova nuk ka një strategji të qartë dhe koncize të politikës së jashtme dhe, më e rëndësishmja, nuk ka kapacitetet për të përmbushur me sukses objektivat e saj të politikës së jashtme.

Përveç përpjekjeve të dështuara të diplomacisë, ka edhe faktorë të tjerë të rëndësishëm prapa debatit të Interpolit në Dubai, dhe tre elemente kryesore kanë luajtur role vendimtare në procesin e votimit.

Së pari, shikoni gjeopolitikën dhe realitetet e reja në nivel global. Prania më e dobët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në platformat multilaterale ka pasur ndikim të rëndësishëm në këtë proces – veçanërisht në rastin e Interpolit, ku SHBA-ja ka udhëhequr procesin e sigurimit të votave. Forca kundërshtuese e Rusisë dhe e aleatëve të saj vjen si përgjigje ndaj asaj që Rusia nuk mundi ta bllokojë ndërkombëtarisht në vitin 1999, përkatësisht vendimin për ndërhyrje ushtarake në Serbi dhe më pas në 2008 shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Së dyti, konsideroni elementin e shtetit të vogël. Pothuajse pa prani në organizatat ndërkombëtare dhe me kapacitete të dobëta ekonomike dhe financiare, Kosova s’mund të ofrojë shumë në këmbim të votës. Kjo bëhet veçanërisht e rëndësishme kur kihen parasysh metodat e Serbisë, anëtare e OKB-së me gjendje më të fortë ekonomike dhe ndikim politik, për të ulur numrin e vendeve që votojnë në anëtarësimin e Kosovës.

Dialogu i vazhdueshëm me Serbinë i lehtësuar nga BE-ja ka rezultuar në varësi të plotë të procesit prej qëndrimit të Serbisë ndaj kërkesës për anëtarësimit. Lëvizjet agresive diplomatike të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol, të shoqëruara me ndikimin e Rusisë dhe Kinës, janë faktorët kryesorë në këtë proces. Kombinimi politik i kësaj tresheje rezultoi në ndikim negativ në disa vende të Amerikës Latine, aziatike dhe afrikane.

Interpoli është rezultat i pastër i mungesës së strategjisë së qartë dhe qasjes së dobët ndaj dialogut me Serbinë.

Nëse në vitin 2011 Kosova kishte administruar një politikë të jashtme të pavarur në të cilën dialogu me Serbinë përfaqësonte vetëm një faktor, sot suksesi i Kosovës në politikën e jashtme varet plotësisht nga marrëdhëniet e saj me Serbinë dhe nga rezultatet e dialogut të lehtësuar nga BE.

Është e domosdoshme që udhëheqja politike në Kosovë të kthehet një hap prapa, të analizojë me kujdes rrethanat aktuale dhe të krijojë një platformë të përbashkët që do të përbëhet nga një sërë kushtesh për procesin e dialogut.

Ekziston nevoja për ndryshim të qasjes, edhe nëse kjo përfshin ndryshimin e kryenegociatorit. Është e rëndësishme të mendojmë përtej tri alternativave – status quo, Asociacionit të Komunave me shumicë serbe pas skenarit të Republika Srpska, dhe ndarjes ose shkëmbimit të kufijve – të cilat u janë shërbyer qytetarëve për të krijuar perceptimin se nuk ka zgjidhje përtej këtyre alternativave.

Nëse Kosova vazhdon të mbajë kufijtë e saj në diskutimdhe t’i trajtojë në Bruksel, do të ketë pak ose aspak mundësi që Kosova të ketë sukses në arenën ndërkombëtare. Arritja e zgjidhjes me Serbinë është domosdoshmëri politike, por kjo nuk nënkupton që Kosova duhet të nënshkruajë një marrëveshje tjetër “të paqartë” të shtyrë nga BE-ja pa ndonjë strategji të qartë zbatimi ose garancion ndërkombëtar që marrëveshja do të sigurojë njohje të plotë të ndërsjellë.

Mundësia për korrigjim kufijsh që ka qarkulluar muajt e fundit mund të ketë ndikuar në uljen e mbështetjes për anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Pas votimit, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi menjëherë la të kuptohej se pa një marrëveshje me Serbinë, hyrja në organizatat ndërkombëtare do të mbetet sfidë.

Meqenëse përgjegjësia për dështimin në anëtarësim  lidhet me qeverinë e Kosovës, zgjidhja e Thaçit për dialogun mund të forcohet nga ky dështim dhe të legjitimohet nga ana e tij.

Ndërsa Kosova është njohur nga më shumë se 100 vende dhe mbështetja për kërkesën e saj për anëtarësim nuk arriti as 70 vota pro, duket se mbështetja për Kosovën si lojtar në arenën ndërkombëtare po venitet.

Në këto rrethana, çdo gjë veç njohjes do t’i japë Serbisë mjetet dhe fuqinë politike për të bllokuar edhe më tej pjesëmarrjen e Kosovës në mekanizmat multilateralë – platformat e vetme ku Kosova si shtet i vogël mund të tregohet ndërkombëtarisht.

Në të vërtetë, Serbia është renditur si arsyeja kryesore për këtë dështim. Megjithëse kjo është pjesërisht e vërtetë, është gjithashtu e vërtetë se ky argument është përdorur gjerësisht si mburojë politike për ata që dje, pas procesit te votimit, duhet të kishin dhënë dorëheqjen dhe të kishin marrë përgjegjësinë e plotë për dështimin.

Ky rezultat duhet t’i zgjojë të gjitha institucionet në Kosovë të cilat ndajnë barrën e dështimit, dhe duhet të pranojnë përgjegjësi në procesin e dialogut me Serbinë.