Kosova i Vendos Tarifë Miellit të Importuar nga Serbia

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka vendosur taksë për miellin e importuar nga Serbia, pasi i njëjti po hyn në Kosovë me çmime dumping apo nën koston e prodhimit.

Ky vendim i MTI-së vjen pas ankesave që janë bërë nga kompania “M&Sillosi”, e mbështetur nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka gjetur se importuesit e miellit nga Serbia nga 23 tetori do të obligohen të paguajnë tarifë prej 0.04 centë për kilogram të miellit, që i bie 4 euro për 100 kg.

“Vendoset masa përfundimtare lidhur me importin e miellit që importohet nga Republika e Serbisë në Republikën e Kosovës me tarifa prej 0.04 centë”, thuhet në vendimin e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, që është marrë më 19 tetor 2017.

Kjo masë tarifore është vendosur duke u bazuar në një hetim preliminar të Komisionit për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe, pasi që kishte dyshime se ka të bëjë me çmime dumping për miellin e importuar në Kosovë.

Në vendimin e MTI-së thuhet se Dogana e Kosovës udhëzohet që të ndërmarrë të gjitha masat për mbrojtjen e prodhuesve të miellit për të aplikuar tarifën në masë prej 0.04 centë.

“Gazeta Jeta në Kosovë” e ka siguruar ‘Memon shpjeguese’ të këtij vendimi, në të cilin jepen arsyet e vendosjes së tarifës për importuesit e miellit nga Serbia. Fillimisht ishte ankuar kompania “M&Sillosi” më 7 prill, ndërsa më 2 qershor ishte ankuar edhe Shoqata e Mullisëve të Kosovës, e cila ka kërkuar të mbrohet prodhimi vendor, konkretisht mielli.

Në “Memon shpjeguese” të këtij vendimi thuhet se mielli importohet nga Serbia në Kosovë me çmime më të ulëta se vlera reale e çmimit të tregut, respektivisht nën koston e prodhimit.

“Kjo po e rrezikon industrinë prodhuese të miellit në Kosovë në përgjithësi”, thuhet në Memon shpjeguese.

Komisioni vlerëson dyshimet për dumping

Pas pranimit të kërkesë në MTI nga kompania “M&Sllosi” dhe Shoqata e Mullisëve të Kosovës, ishte krijuar Komisioni për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe për identifikim të gjendjes reale.

Hulumtimi është bërë duke hulumtuar koston e prodhimit dhe vlerën reale në treg në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi.

Në dokument thuhet se Serbia nuk ka qenë bashkëpunuese.

Krijimi i këtij Komisioni parashihet me Ligjin anti-dumping, ku në nenin 26 paragrafin 2.1 thuhet se ky komision përbëhet nga përfaqësuesit e MTI-së, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Dogana e Kosovës.

Në Memon shpjeguese të siguruar nga “Gazeta Jeta në Kosovë“ thuhet që ky Komision ka përfunduar një hulumtim me qëllim të identifikimit të gjendjes reale të importit të miellit nga Serbia dhe për të konstatuar se ka dumping në këtë produkt.

“Bazuar në hetimin preliminar, analizave dhe dëshmive të grumbulluara kishte dyshime të bazuara se kemi të bëjmë me çmime dumping”, thuhet në Memon shpjeguese të vendimit të MTI-së.

Ndër të tjera, aty thuhet se anëtarët e Komisioni për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe në takimin e mbajtur më 18 tetor 2017, kanë propozuar vendosjen e një mase përfundimtare për importuesit e miellit.

“Pas analizës së lartcekur dhe dëshmive të grumbulluara, Departamenti i Tregtisë në bashkëpunim me Komisionin për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe, i rekomandojnë ministrit të MTI-së vendosjen e masës përfundimtare  prej 0.04 centë për kilogram”, thuhet në Memo.

Mielli i Importuar nga Serbia më lirë se mielli i prodhuar në Kosovë

Në dokumentin shpjegues të MTI-së janë përshkruar edhe çmimet e miellit nga Kosova, Serbia dhe Shqipëria.

Nga të dhënat e ofruara në këtë dokument shihet se çmimi i miellit të importuar nga Serbia është më i lirë se kostoja prodhimit të miellit në Kosovë.

Në dokumentet mbi të cilat është marrë vendimi për vendosjen e taksës për miellin e importuar nga Serbia është bërë kalkulimi i kostos së prodhimit të miellit në Kosovë si dhe të hyrat nga shitja e miellit.

Kostoja e prodhimit të miellit dhe krundeve në Kosovës është 217 euro për ton, ndërsa të hyrat nga shitja e miellit dhe krundeve janë 160 euro, pra një humbje prej 57 euro.

Ky kalkulim është bërë bazuar në dokumentet e paraqitura nga kompania “M & Sillosi”. Në dokument janë bërë vizita edhe nëpër kompani të tjera të mullisëve. Humbjet për prodhimin e një toni të miellit janë nga 53 deri në 57 euro.

“Mesatarja e humbjeve (raporti në mes të çmimit shitës së produkteve finale dhe kostos së prodhimit) për këto kompani (mullinjtë) është 53.46 euro”, thuhet në raportin e MTI-së.

Tutje në dokument thuhet se çmimi i miellit të importuar në Kosovë është nën koston e prodhimit të miellit, apo me çmime dumping.

“Hulumtimi i kryer në lidhje me çmimet e deklaruara me rastin e importit të miellit në Kosovë nga Serbia, tregon se çmimi mesatar i deklaruar është 0.19 centë për kg (bazuar në koston reale të prodhimit të miellit dëshmohet se çmimi eksportues i miellit nga Serbia, është më i ulët se sa kostoja e prodhimit në Kosovë për rreth 31.8 për qind”, thuhet në dokumentin shpjegues.

Po ashtu, në Memon shpjeguese thuhet se në tregun e Serbisë një pako 25 kg e miellit shitet për 8 euro e 60 centë.

Madje në këtë dokument shihet edhe dyshimi që Komisioni për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe ka dhënë për çmimin e miellit të ofruar nga Serbia.

“Është e pamundur që me çmimet e tregut të lëndës së parë bazike (grurit) në Serbi, çmimi i produktit final të miellit, të jetë ai që deklarohet me rastin e eksporteve në Kosovë. Po ashtu duke  pasur parasysh se të gjitha kalkulimet e kostove të prodhimit tregojnë se kompanitë vendore prodhuese punojnë me humbje, mund të konstatohet se kemi të bëjmë me çmime të nënvlerësuara të importit nga Serbia dhe në këtë drejtim Serbia është duke eksportuar në Kosovë miell të T-500 me çmime të dampuara (nën vlerën e kostos së prodhimit)”, thuhet në Memon shpjeguese.

Është analizuar edhe tregu i miellit në Shqipëri.

“Konstatimi nga vizita hulumtuese e zhvilluar në Shqipëri është si vijon: ekipi hulumtues është njoftuar për se afërmi me koston e prodhimit të miellit dhe është vërtetuar se çmimet e kostos së prodhimit janë të përafërta me koston e prodhimit të produkteve të cilat prodhohen në Kosovë”, thuhet në dokumentin mbështetëse të vendimit të MTI-së.

Kuvendi i Kosovës kishte formuar një komision hetimor për hetimin e importit të miellit, në të cilin ishte përfshi kompania M&Sillosi. Kjo e fundit ishte gjobitur nga Dogana e Kosovës, ndërsa rasti ka përfunduar në Gjykatë pas ankesës së kompanisë.