Kolë Puka e Pranon Fajësinë

Në Gjykatën Themelore në Pejë, këtë javë, u mbajt seanca gjyqësore ndaj ish-gjyqtarit Kolë Puka dhe Avdulla Robajt, të cilët akuzohen se kanë kryer veprën penale “shpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimit”, nga neni 422, paragrafi 1, i Kodit Penal të Kosovës (KPK).

Kjo seancë u mbajt ne nën drejtimin e trupit gjykues, të përbërë nga Jonathan Carrol kryetar dhe Nushe Kuka Meka e Cernela Peck – anëtare.

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ali Rexhaj, të akuzuarit Kolë Puka dhe Avdulla Robaj i ngarkon me veprën penale të “shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe autorizimit”, nga neni 422, paragrafi 1, të cilët e kanë kryer duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare (të gjyqtarit dhe të përfaqësuesit të kompanisë).

Kryetari i trupit gjykues që në fillim të seancës pyeti të akuzuarin Puka se a i qëndron ende marrëveshjes së arritur mes tij dhe prokurorisë, e cila parashihet edhe me nenin 233 të KPPP-së. “Po ende i qëndroj asaj marrëveshjeje dhe e pranoj fajësinë për veprën e cila me ngarkohet”, u përgjigj Puka.

Ndërsa, i akuzuari tjetër Avdulla Robaj, në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues se a e pranon fajësinë me të cilën e ngarkon prokuroria, u përgjigj se nuk e pranon fajësinë.

Pas pranimit te fajësisë nga ana e Kolë Pukës, prokurori i rastit kërkoi që Puka të shpallet dëshmitar bashkëpunues, në bazë të nenit 236, të KPPK-së.

Por, reagoi avokati i Robajt, Tmava, i cili tha se Puka mund ta pranojë fajësinë dhe të arrijë marrëveshje me prokurorinë për pranim te fajësisë. “Mirëpo assesi prokurori nuk mund ta shpallë atë dëshmitar bashkëpunues, sepse kjo mund të bëhet vetëm para se te konfirmohet aktakuza, dhe për këtë ka kaluar afati”.

Pas reagimit të avokatit Tmava, prokurori kërkoi që pasi i akuzuari e pranon marrëveshjen, atëherë kjo marrëveshje të pranohet edhe nëse Puka nuk shpallet dëshmitar bashkëpunues, dhe të bëhet veçimi i procedurave në mes të akuzuarit Puka dhe Robaj.

Lidhur me këtë propozim te prokurorit, u pajtuan te gjitha palët dhe gjykata mori aktvendim me të cilin e veçoi procedurën mes dy të akuzuarve.
 
Pas kësaj, procedura vazhdoi vetëm për të akuzuarin Robaj. Prokurori bëri deklarimin e aktakuzës, sipas se cilës Robaj në vitin 2005 ishte i përfshirë në një rast të aksidentit në komunikacion. Sipas aktakuzës, Robaj në bashkëpunim me Pukën, lidhur me këtë rast i kanë nxjerrë dy aktvendime, njëri në vlerë prej 13 000 eurosh, e tjetri në shumë prej 71 000 eurosh.

Këtë akuzë të prokurorit e kundërshtoi sërish avokati Tmava, cili deklaroi se i mbrojturi i tij kurrë nuk ka nënshkruar ndonjë aktvendim lidhur me këtë raste, por vetëm ujdi gjyqësore.

Në këtë seancë u procedua dëshmitari Brahim Elshani, i cili ishte i propozuar nga prokuroria. Ai deklaroi se pas një aksidenti komunikacioni që kishte pasur në vitin 2004, kishte pësuar lëndime te rënda trupore. Ai tregoi se Kolë Puka ia kishte kryer të gjitha procedurat lidhur me kompensimin e dëmit, duke i thënë se nuk kishte nevojë të merrte avokat, sepse te gjitha do t’i kryente ai. “Vetëm ti duhet të më japish një përqindje”, i kishte thënë Puka, sipas këtij dëshmitari.

Ndërsa të akuzuarin Robaj, dëshmitari Elshani tha se kurrë nuk e ka parë, e as që ka dëgjuar ndonjëherë për të.