Falsifikimi i Notave në Drenas

Në fund të vitit shkollor 2013/2014, mësuesi Fehmi Ramaj mori ditarin dhe falsifikoi notat e disa nxënësve duke përfshirë edhe notat e djalit të tij, në rubrikën e lëndës së biologjisë ku profesor ishte Hysen Halilaj.

Sipas kolegëve të tij këtë veprim e tregoi vetë Ramaj ditën e nesërme, gjatë pushimi të gjatë në sallën e arsimtarëve.

Këtë veprim të bërë me vetëdije, Ramaj e kishte pranuar para arsimtarëve të tjerë, Drejtorit të Shkollës, madje edhe Drejtorit të Arsimit pasi që ishte siguruar se një veprim i tillë nuk do t’i kushtonte me vendin e punës.

Këtë pranim e kishte dëgjuar edhe Ramadan Ramaj, gjithashtu mësues i ciklit të ulët në këtë shkollë, i cili menjëherë kërkoi nga drejtori i shkollës që të ndërmerren masa ndaj këtij akti.

Sokol Ramaj,  drejtor i shkollës  dhe njëkohësisht vëllai i Ramadanit i kishte shqiptuar vërejtje me shkrim mësuesit Fehmi Ramaj vetëm pas kërkesës së Ramadanit.

Duke mos u mjaftuar me kaq, Ramadani kërkoi masa edhe nga Drejtori Komunal i Arsimit në Drenas, Sadik Tahiraj, i cili gjithashtu lëshoi vetëm një vërejtje me shkrim ndaj mësuesit Fehmi.

ramaj
Ramadan Ramaj, kallxuesi i falsifikimit të notave në Tërdec të Drenasit. Foto: Kallxo.com

Kallëzuesi (Ramadani) që tentoi ta vënte në pah këtë rast u shantazhua e stigmatizua, madje i prishi edhe marrëdhënie me dy vëllezërit e tij që ishin bashkëpunëtorë në vargun e mbulimit të këtij falsifikimi. Njëri vëlla i kallxuesit (Ramadanit) ishte drejtor i shkollës në të cilën kishte ndodh falsifikimi, ndërsa tjetri Kryeauditor në Komunën e Drenasit. Të tre vëllezërit ishin të përfshirë në këtë falsifikim të mësuesit Fehmi për shkak të kompetencave që kishin.

Falsifikimi i dhjetëra notave të rreth 12 nxënësve nga mësuesi Fehmi Ramaj në një shkollë të Drenasit u amnistua nga një varg institucionesh, për të cilët kjo vepër dënohet me një vërejtje me shkrim.

Beteja e Kallxuesit

Ramadan Ramaj, mësues në shkollën fillore ‘Shotë Galica’, në Fshatin Tërdec të Drenasit për dy vite pa ndërprerë nuk i’u nda linjës së trenit Drenas-Prishtinë me një dosje dokumentacioni çdo ditë e më të rëndë me të cilën mundohej të raportonte një vepër që ai e quan ‘krim ndaj suksesit të nxënësve’.

Raportimi në KALLXO.com dhe më pas hulumtimi i emisionin ‘Jeta në Kosovë’, dëshmoi se në këtë histori kishte më shumë keqpërdorime nga sa dukej fillimisht.

Në fundin e vitit shkollor 2013/2014, Fehmi Ramaj, mësues i ciklit të ulët në këtë shkollë mori ditarin e klasës së nëntë dhe përfundoi disa nga notat  e nxënësve, përfshirë djalit të tij në rubrikën e lëndës së biologjisë ku profesor ishte Hysen Halilaj.

Duke mos u mjaftuar me kaq, Ramadani kërkoi masa edhe nga Drejtori Komunal i Arsimit në Drenas, Sadik Tahiraj, i cili gjithashtu lëshoi vetëm një vërejtje me shkrim ndaj mësuesit Fehmi.

Ky mësues që nga kolegët e tij përshkruhet si njeri me fuqi të madhe politike që nuk i frikësohet as organeve të drejtësisë, sepse sipas tij ‘përtej vërejtjes s’ka ku shkon’.

Ramadan Ramaj, thotë se Fehmiu i ka përdorë lidhjet e tij politike që të jetë i ‘paprekshëm’ edhe në shkollë. Lidhjet politike i ka pranuar Fehmiu në intervistën e dhënë për Emisionin Jeta në Kosovë. Ai disa herë i kishte thënë autorës së Emisionit Jeta në Kosovë, Jeta Xharra se librezën e PDK-së e kishte në xhep.

Megjithëse Ramadani dërgoi shkresa edhe në inspektorat të arsimit, polici e prokurori, të gjithë zyrtarët e kthyen sërish tek Drejtoria Komunale e Arsimit.

“Sadiku (Drejtori Komunal i Arsimit) ka kërku me u mbulu ky rast. Unë u çudita shumë dhe menjëherë reagova, thash se ky rast nuk bën të mbulohet. Ky rast është krim kundër suksesit të nxënësve”, thotë Ramadani.

Pas kësaj Ramadani vendosi që t’i dërgojë shkresë zyrtare edhe vetë Kryetari të Komunës në atë kohë, Nexhat Demakut, nga i cili kërkon masa ndaj Fehmi Ramës, vetë vëllait të tij, Sokol Ramës dhe Drejtorit Komunal të Arsimit, Sadik Tahirajt.

Shkresa e Ramadanit kishte përfunduar te vëllai i tij që ishte Kryeauditor në Komunën e Drenasit. Kjo ia kishte vështirësuar punën Ramadanit.

Shkeljet ligjore

Ramadani ka rrëfyer për presionin që kishte pasur nga vëllezërit me pozita të larta në shkollën ku ishte bërë falsifikimi dhe në Komunën e Drenasit. Ai thotë se vëllai i vogël Kameri kishte shkuar në vizitë së bashku me familjarë të tjerë së bashku me letrën që ai e kishte dërguar tek kryetari i Komunës, Nexhat Demaku.

Mysafiret e paftuar kishin shkaktuar tensione të mëdha në shtëpinë e Ramadanit. Ai rrëfen se pas tensioneve në këtë takim, vëllai i vogël (kryeauditor në Komunën e Drenasit) e shqeu dhe e dogji shkresën zyrtare të cilën Ramadani e kishe dërguar në adresë të Kryetarit të Komunës.

Për shkak të këmbënguljes së tij për drejtësi, Ramadani tani më nuk flet as me këtë vëlla, ndërkaq ndaj Kryetarit të Komunës i adresoi edhe disa shkresa të tjera.

Ditari i Shkollës si dhe Libri i Amzës konsiderohen dokumente zyrtare dhe falsifikimi i tyre, rrjedhimisht do të thotë falsifikim i dokumentit zyrtar.

Kodi Penal i Kosovës, më saktësisht neni 343 për këtë rast parasheh dënim deri në 5 vjet.

“Personi zyrtar i cili në dokumentin zyrtar, në regjisor ose në shkresën zyrtare shënon të dhëna të rreme ose nuk shënon të dhëna të duhura apo me nënshkrimin e tij ose me vulën zyrtare vërteton dokumentin zyrtar, regjistrin apo shkresën zyrtare e cila përmban të dhëna të rreme ose mundëson përpilimin e dokumentit, regjistrit ose shkresës së tillë me përmbajtje të rreme, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”, thuhet në këtë nen të Kodit Penal.

Dënimi i Fehmi Ramës nuk është as afër asaj që parasheh ligji nga organet e drejtësisë. Përveç kësaj organet e drejtësisë refuzuan ta pranojnë si rast duke e deleguar tek Drejtoria Komunale e Arsimit që megjithatë nuk pranoi të shqiptojë më shumë se vërejtje dhe nuk informoi Inspektoratin e Arsimit në Prishtinë.

Këta të fundit gjithashtu i informoi Ramadani të cilin e këshilluan të drejtohej në polici.

Fehmi Ramaj, mësues në shkollën e Tërdecit. Site: Kallxo.com
Fehmi Ramaj, mësues në shkollën e Tërdecit. Site: Kallxo.com

Zhvillimet pas gjetjes së shkeljes

Ditari i shkollës së lartcekur si dhe libri amzë nuk kanë konsistencë në të dhëna si dhe kanë shkarravitje dhe korrigjime pa vërejtje ose shënim për përmirësimet që janë bërë.

Në analizën e detajuar të notave, në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, u dokumentua se të paktën 3 nota në librin amë janë të dyshimta meqenëse përputhen me notat e mbyllura nga mësuesi Fehmi Ramaj.

Madje në këtë dokument zyrtar ka gabime të tilla si nota e shkruar ‘mjaftueshëm (3)’, ndërkaq pikërisht nota e djalit të Fehmiut është e përmirësuar me korrektor.

Fehmi Ramaj që ka kryer ndërhyrjen në ditar për ngritjen e notave të 12 nxënësve  e quan këtë akt si ‘stimulim’ si dhe pretendon se nuk ka kryer vepër falsifikimi meqenëse notat janë kthyer në ato të profesori të lëndës.

Përveç në rastin e falsifikimit të notave, Ramaj ishte dërguar në gjykatë të krimeve ekonomike  për dhënien e deklaratës së rrejshme nën betim rreth përvojës së punës gjatë viteve të luftës 1998/99.

Megjithëse kolegu i tij, Sejdi Haxhimulaj kishte vërtetuar se për një vit, Fehmi Ramaj kishte qenë jashtë shtetit, ai ka deklaruar përvojë të pandërprerë të punës gjatë viteve 90, duke marrë kështu rrjedhimisht, shtesa në pension.

Ai në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, rreth kësaj çështjeje ndërroi deklaratat e tij disa herë nëpër intervista të ndryshme.

Përderisa një herë pohoi se kishte qenë i dënuar nga Gjykata e Krimeve Ekonomike, 3 muaj me kusht, në intervistën e dytë të realizuar pretendon se nuk ka kurrfarë dënimi nga gjykata.

Kështu kishin besuar edhe Drejtori i Shkollës, Drejtoria e Arsimit dhe të gjitha institucionet tjera.

Ndërkaq, edhe për notat e ndryshuara në ditar , sipas institucioneve vepra nuk është kryer deri në fund dhe në librin amë nuk ka falsifikim.

Megjithatë, filmimet dhe fotografime e emisionin ‘Jeta në Kosovë’, tregojnë qartë se notat nuk përputhen dhe në libër amë ka korrigjime të dyshimta edhe me korrektor. Këto korrigjime janë bërë edhe tek notat djalit të mësuesit Fehmi Ramaj.

Drejtori i Shkollës për këtë e fajëson kujdestaren e klasës përkatëse, Besarta Jetullahu e cila gjithashtu konsideron se nuk ka ndodhur falsifikimi, por ka shkarravitje dhe gabime teknike.

Sokol Ramaj, drejtor i shkollës në Tërdec. Foto: Kallxo.com
Sokol Ramaj, drejtor i shkollës në Tërdec. Foto: Kallxo.com

Pas transmetimit të emisionit ‘Jeta në Kosovë’, Kryetar i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, shkarkoi nga pozita e tij, Drejtorin e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Sadik Tahiraj.

Ndërkaq për mësuesin falsifikues dhe personat e tjerë përgjegjës ende nuk është ndërmarrë ndonjë masë konkrete. Edhe pas dy vitesh ende është duke u pritur një mendim nga Inspektorati i Arsimit të cilin e ka njoftuar rishtas ish- Drejtori i Arsimit.

E deri më sot, Fehmi Ramaj vazhdon të dalë me ditar në dorë para nxënësve të ciklit të ulët.

Pas transmetimit të hulumtimit ‘Heshtja e Falsifikimit të Notave’, në redaksinë e KALLXO.com kanë arritur dhjetëra raporte të tjera rreth abuzimeve të tilla në arsimin e Drenasit dhe komunave të tjera.

Ndërkaq, kallëzuesi, Ramadan Ramaj fitoi mirënjohje për guxim në Asamblenë Komunale të Drenasit nga disa asamblistë.