Hulumtimi i "Jeta në Kosovë": Gjykata dënon mësuesin nga Drenasi për falsifikim të notave të nxënësve

Gjykata në Prishtinë e ka gjetur fajtor mësuesin Fehmi Ramaj, i cili po akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Ramaj, u dënua me 9 muaj burgim efektiv

Fehmi Ramaj, fillimisht e kishte pranuar fajësinë në seancën e kaluar.

Aktakuza ndaj Ramajt u ngrit më 27 dhjetor 2019, gati 6 vite pasi ishte kryer kjo vepër dhe tre vite pasi emisioni “Jeta në Kosovë”, kishte transmetuar hulumtimin lidhur me falsifikimin e notave që e kishte bërë ky mësues.

Kolegu i Fehmi Ramajt, mësuesi Ramadan Ramaj, ishte kallëzuesi që kishte bërë raportime lidhur me këtë rast te të gjitha organet kompetente, përfshirë edhe policinë dhe prokurorinë.

Aktakuza e Prokurorisë ka marrë për bazë kallëzimin penal të bërë nga Ramadan Ramaj më 6 janar të vitit 2017, ndërsa si provë ka marrë edhe hulumtimin e emisionit “Jeta në Kosovë”.

Prokuroria e ngarkonte Fehmi Ramajn për keqpërdorim detyre për shkak të ndryshimit të notave të 12 nxënësve të klasës së nëntë, duke përfshirë edhe djalin e tij.

Ai po ashtu akuzohej për falsifikim të dokumentit për shkak se falsifikoi notat në ditarin e shkollës.

Fehmi Ramaj, mësues në shkollën e Tërdecit. Site: Kallxo.com

Prokuroria megjithatë ka pushuar hetimet lidhur me akterë të tjerë në këtë rast, duke përfshirë edhe tre inspektorë të arsimit që kishin inspektuar rastin në Drenas, pas publikimit të hulumtimit nga “Jeta në Kosovë”.

Sipas aktvendimit për hedhjen e pjesshme të kallëzimit penal të datës 27 dhjetor 2019 të siguruar nga Kallxo.com, thuhet se për të dyshuarit Sokol Ramaj, Kamer Ramaj dhe Sadik Tahiraj nuk ka dyshim të arsyeshëm se kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen.

Pas aktakuzës, vetë Fehmi Ramaj në intervistën e dhënë në Prokurori e kishte pranuar se e ka bërë ndryshimin e notave mirëpo sipas tij këtë e ka bërë “në afekt”.

Ai ka shtuar se ndjen keqardhje për këtë që ka ndodhur dhe e pranon se ka gabuar.

Kallëzuesi (Ramadan Ramaj) që tentoi ta vënte në pah këtë rast u shantazhua e stigmatizua, madje i prishi edhe marrëdhënie me dy vëllezërit e tij që ishin bashkëpunëtorë në vargun e mbulimit të këtij falsifikimi. Ai në kallëzimin e tij penal i ka përmendur të dy vëllezërit.

Njëri vëlla i kallëzuesit (Ramadanit), Sokol Ramaj ishte drejtor i shkollës në të cilën kishte ndodhë falsifikimi, ndërsa tjetri Kamer Ramaj, Kryeauditor në Komunën e Drenasit.

Ai gjithashtu kishte përmendur ish-Drejtorin e Arsimit në Drenas, Sadik Tahiraj i cili nuk kishte ndërmarrë asgjë tjetër lidhur me këtë rast përpos vërejtjes me shkrim ndaj mësuesit Fehmi Ramaj.

“Punë nuk është kry se në aktakuzë mungojnë edhe tre persona që u dasht me u akuzu: Sokol Ramaj, Kamer Ramaj dhe Sadik Tahiraj”, thotë Ramadan Ramaj për KALLXO.com

Lidhur me këtë hulumtim, “Jeta në Kosovë” ishte shpërblyer me çmimin për storjen më të mirë në arsim për vitin 2017.