Çmimi i AGK-së dhe GIZ-it që iu nda gazetares së KALLXO.com, Doruntina Baliut - Foto: KALLXO.com
Gazetarja e Emisionit ‘Jeta në Kosovë‘ Fiton Çmim për Hulumtimin për Falsifikim të Notave
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, AGK, dhe organizata gjermane GIZ kanë ndarë çmimin për storien më të mirë me temë në fushën e arsimit.
Çmimi për gazetarë të rinj iu nda gazetares së emisionit “Jeta në Kosovë“, Doruntina Baliut, për hulumtimin dhe zbulimin e skandalit të falsifikimit të notave në Drenas.
Ndërsa çmimi për gazetar profesionist në arsim iu nda Edona Kutleshit nga “Koha Ditore”.
Sipas hulumtimit të emisionit “Jeta në Kosovë“, i cili u transmetua në janar të këtij viti, Fehmi Ramaj, mësues i ciklit të ulët në shkollën “Shotë Galica” në fshatin Tërdevc të Drenasit, ndryshoi dhe përfundoi notat e 12 nxënësve të klasës së nëntë të kësaj shkolle.
Në fund të vitit shkollor 2013/2014, Ramaj mori ditarin dhe falsifikoi notat e disa nxënësve duke përfshirë edhe notat e djalit të tij, në rubrikën e lëndës së biologjisë ku profesor ishte Hysen Halilaj.
Sipas kolegëve të tij këtë veprim e tregoi vetë Ramaj ditën e nesërme, gjatë pushimit të gjatë në sallën e arsimtarëve.
Këtë veprim të bërë me vetëdije, Ramaj e kishte pranuar para arsimtarëve të tjerë, drejtorit të Shkollës, madje edhe drejtorit të Arsimit pasi që ishte siguruar se një veprim i tillë nuk do t’i kushtonte me vendin e punës.
Këtë pranim e kishte dëgjuar edhe Ramadan Ramaj, gjithashtu mësues i ciklit të ulët në këtë shkollë, i cili menjëherë kërkoi nga drejtori i shkollës që të ndërmerren masa ndaj këtij akti.
Sokol Ramaj, drejtor i shkollës dhe njëkohësisht vëllai i Ramadanit i kishte shqiptuar vërejtje me shkrim mësuesit Fehmi Ramaj vetëm pas kërkesës së Ramadanit.
Duke mos u mjaftuar me kaq, Ramadani kërkoi masa edhe nga drejtori Komunal i Arsimit në Drenas, Sadik Tahiraj, i cili gjithashtu lëshoi vetëm një vërejtje me shkrim ndaj mësuesit Fehmi.
Kallxuesi (Ramadani) që tentoi ta vinte në pah këtë rast u shantazhua e stigmatizua, madje i prishi edhe marrëdhënie me dy vëllezërit e tij që ishin bashkëpunëtorë në vargun e mbulimit të këtij falsifikimi. Njëri vëlla i kallxuesit (Ramadanit) ishte drejtor i shkollës në të cilën kishte ndodh falsifikimi, ndërsa tjetri Kryeauditor në Komunën e Drenasit. Të tre vëllezërit ishin të përfshirë në këtë falsifikim të mësuesit Fehmi për shkak të kompetencave që kishin.
Falsifikimi i dhjetëra notave të rreth 12 nxënësve nga mësuesi Fehmi Ramaj në një shkollë të Drenasit u amnistua nga një varg institucionesh, për të cilët kjo vepër dënohet me një vërejtje me shkrim.
Beteja e Kallxuesit
Ramadan Ramaj, mësues në shkollën fillore ‘Shotë Galica’, në Fshatin Tërdec të Drenasit për dy vite pa ndërprerë nuk i’u nda linjës së trenit Drenas-Prishtinë me një dosje dokumentacioni çdo ditë e më të rëndë me të cilën mundohej të raportonte një vepër që ai e quan ‘krim ndaj suksesit të nxënësve’.
Raportimi në KALLXO.com dhe më pas hulumtimi i emisionin ‘Jeta në Kosovë’, dëshmoi se në këtë histori kishte më shumë keqpërdorime nga sa dukej fillimisht.
Ramadan Ramaj, thotë se Fehmiu i ka përdorë lidhjet e tij politike që të jetë i ‘paprekshëm’ edhe në shkollë. Lidhjet politike i ka pranuar Fehmiu në intervistën e dhënë për Emisionin Jeta në Kosovë. Ai disa herë i kishte thënë autorës së Emisionit Jeta në Kosovë, Jeta Xharra se librezën e PDK-së e kishte në xhep.
Megjithëse Ramadani dërgoi shkresa edhe në inspektorat të arsimit, polici e prokurori, të gjithë zyrtarët e kthyen sërish tek Drejtoria Komunale e Arsimit.
“Sadiku (Drejtori Komunal i Arsimit) ka kërku me u mbulu ky rast. Unë u çudita shumë dhe menjëherë reagova, thash se ky rast nuk bën të mbulohet. Ky rast është krim kundër suksesit të nxënësve”, thotë Ramadani.
Pas kësaj Ramadani vendosi që t’i dërgojë shkresë zyrtare edhe vetë Kryetari të Komunës në atë kohë, Nexhat Demakut, nga i cili kërkon masa ndaj Fehmi Ramës, vetë vëllait të tij, Sokol Ramës dhe Drejtorit Komunal të Arsimit, Sadik Tahirajt.
Shkresa e Ramadanit kishte përfunduar te vëllai i tij që ishte Kryeauditor në Komunën e Drenasit. Kjo ia kishte vështirësuar punën Ramadanit.
Shkeljet ligjore
Ramadani ka rrëfyer për presionin që kishte pasur nga vëllezërit me pozita të larta në shkollën ku ishte bërë falsifikimi dhe në Komunën e Drenasit. Ai thotë se vëllai i vogël Kameri kishte shkuar në vizitë së bashku me familjarë të tjerë së bashku me letrën që ai e kishte dërguar tek kryetari i Komunës, Nexhat Demaku.
Mysafiret e paftuar kishin shkaktuar tensione të mëdha në shtëpinë e Ramadanit. Ai rrëfen se pas tensioneve në këtë takim, vëllai i vogël (kryeauditor në Komunën e Drenasit) e shqeu dhe e dogji shkresën zyrtare të cilën Ramadani e kishe dërguar në adresë të Kryetarit të Komunës.
Për shkak të këmbënguljes së tij për drejtësi, Ramadani tani më nuk flet as me këtë vëlla, ndërkaq ndaj Kryetarit të Komunës i adresoi edhe disa shkresa të tjera.
Ditari i Shkollës si dhe Libri i Amzës konsiderohen dokumente zyrtare dhe falsifikimi i tyre, rrjedhimisht do të thotë falsifikim i dokumentit zyrtar.
Kodi Penal i Kosovës, më saktësisht neni 343 për këtë rast parasheh dënim deri në 5 vjet.
“Personi zyrtar i cili në dokumentin zyrtar, në regjisor ose në shkresën zyrtare shënon të dhëna të rreme ose nuk shënon të dhëna të duhura apo me nënshkrimin e tij ose me vulën zyrtare vërteton dokumentin zyrtar, regjistrin apo shkresën zyrtare e cila përmban të dhëna të rreme ose mundëson përpilimin e dokumentit, regjistrit ose shkresës së tillë me përmbajtje të rreme, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”, thuhet në këtë nen të Kodit Penal.
Dënimi i Fehmi Ramës nuk është as afër asaj që parasheh ligji nga organet e drejtësisë. Përveç kësaj organet e drejtësisë refuzuan ta pranojnë si rast duke e deleguar tek Drejtoria Komunale e Arsimit që megjithatë nuk pranoi të shqiptojë më shumë se vërejtje dhe nuk informoi Inspektoratin e Arsimit në Prishtinë.
Këta të fundit gjithashtu i informoi Ramadani të cilin e këshilluan të drejtohej në polici.
Për shkak të heshtjes rreth skandalit të falsifikimit të notave ishte shkarkuar drejtori i Arsimit të Drenasit, Sadik Tahiraj.
http://kallxo.com/heshtja-e-falsifikimit-te-notave-shkarkohet-drejtori-arsimit-ne-drenas/
Ndërsa, kallxuesi Ramadan Ramaj kishte marrë mirënjohje nga asamblistët.