Apeli e kthen në rigjykim rastin e mësuesit nga Drenasi që akuzohet se falsifikoi notat e nxënësve

Në mars të këtij viti, Gjykata e Prishtinës e kishte shpallur fajtor mësuesin Fehmi Ramajn për falsifikimin e notave të 12 nxënësve nga Drenasi.

Nën akuzat për kryerje të veprave penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare si dhe falsifikimit të dokumentit zyrtar, Gjykata e Prishtinës, përkatësisht gjyqtari i çështjes Vesel Ismajli, Ramajt i kishte shqiptuar dënim me burgim prej nëntë muajve.

Mirëpo pas ankesës së mësuesit, Gjykata e Apelit në kolegjin e përbërë nga gjyqtarët Kreshnik Radoniqi kryetar, me anëtarët Xhevdet Abazi dhe Abdullah Ahmeti, ka vendosur që rastin ta kthejë në rigjykim.

Mësuesi nga Drenasi u ballafaqua me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve, pas transmetimit të hulumtimit të emisionit “Jeta në Kosovë”.

Në mars të këtij viti, në shqyrtimin fillestar, pasi që mësuesit i ishte lexuar akuza, i njëjti menjëherë e kishte pranuar fajësinë.

” Qysh ditën e parë e kam pranu fajin me ditar në dorë para shkollës, para hetuesisë, para mediave,  edhe sot e pranoj para trupit gjykues”, kishte deklaruar Ramaj.

Madje Fehmi Ramaj i kishte premtuar Gjykatës se do të përmirësohej në të ardhmen.

“Më vjen keq që sot ndodhem këtu, dhe premtoj se në të ardhmen nuk do të ketë lëshime etike, pedagogjike dhe tashmë ligjore  nga ana ime”, kishte thënë ai.

Mirëpo pasi që e kishte pranuar fajësinë, i pakënaqur me vendimin e Gjykatës së shkallës së parë, Fehmi Ramaj përmes mbrojtësit të tij, avokatit Ramë Dreshaj, ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Avokati Ramë Dreshaj, tashmë mbrojtësi i të akuzuarit, i cili e ka ushtruar ankesën ndaj aktgjykimit të Themelores, ka konsideruar se Gjykata Themelore pranimin e fajësisë së të akuzuarit e ka bërë në mungesë të provave e duke e shfrytëzuar rastin e panjohurisë së të akuzuarit lidhur me këto procedura.

Sipas avokatit Dreshaj, Gjykata me rastin e pranimit të fajësisë nga i akuzuari ka shfrytëzuar mungesën e avokatit mbrojtës, mosnjohuritë e tij dhe mungesën e përvojës.

Sipas avokatit, në rastin konkret Gjykata e shkallës së parë me rastin e marrjes së vendimit, nuk ka marrë për bazë fare deklaratat e inspektorëve të Arsimit të cilët kanë konstatuar se me rastin e kontrollimit të ditarëve është vërejtur ndryshimi i notave të 12 nxënësve por që më pas përsëri ishte bërë kthimi i notave në gjendje të mëparshme si dhe faktin që në rastin konkret nuk është dëmtuar askush si dhe nuk ka përfituar askush, gjë për të cilën ka konsideruar se nuk ka pasur kushte për aprovimin e fajësisë nga ana e Gjykatës, prandaj Gjykatës së shkallës së dytë i është kërkuar që aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë ta anulojë, ndërsa çështjen ta kthej në rivendosje.

Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të ankesës ka vendosur që të aprovojë pretendimet e mbrojtësit të të akuzuarit.

Apeli ka vlerësuar se aktgjykimi i Gjykatës së Prishtinës duhet që të anulohet, kjo pasi që sipas kësaj Gjykate, aktgjykimi i Gjykatës së shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale. Gjykata e Apelit ka gjetur se emërtimi ligjor i veprave penale nuk përkon me përmbajtjen e dispozitivit të aktgjykimit, gjegjësisht me figurën e veprës penale.

Apeli ka konstatuar se ndonëse i akuzuari Ramaj e ka pranuar fajësinë, Gjykata e Prishtinës me rastin e pranimit të fajësisë nga i akuzuar nuk i ka respektuar dispozitat procedurale për pranimin e fajësisë, prandaj ka vendosur që çështjen ta kthej në rigjykim.

Aktakuza për këtë rast u ngrit më 27 dhjetor të vitit 2019, thuajse 6 vite pasi që pretendohet se është kryer kjo vepër dhe tre vite pasi emisioni “Jeta në Kosovë”, kishte transmetuar hulumtimin lidhur me dyshimet për falsifikimin e notave.

Kolegu i Fehmi Ramajt, mësuesi Ramadan Ramaj ishte kallëzuesi që kishte bërë raportime lidhur me këtë rast tek të gjitha organet kompetente, përfshirë edhe policinë dhe prokurorinë.

Aktakuza e Prokurorisë ka marrë për bazë kallëzimin penal të bërë nga Ramadan Ramaj më 6 janar të vitit 2017, ndërsa si provë ka marrë edhe hulumtimin e emisionit “Jeta në Kosovë”.

Prokuroria po e ngarkon Fehmi Ramajn për keqpërdorim detyre për shkak të ndryshimit të notave të 12 nxënësve të klasës së nëntë, duke përfshirë edhe djalin e tij.

Ai po ashtu po akuzohet për falsifikim të dokumentit nën akuzën se falsifikoi notat në ditarin e shkollës.

Pas aktakuzës, vetë Fehmi Ramaj në intervistën e dhënë në Prokurori e kishte pranuar se e ka bërë ndryshimin e notave mirëpo sipas tij këtë e ka bërë “në afekt”.

Ai kishte shtuar se ndjente keqardhje për atë që kishte ndodhur dhe e pranonte se kishte gabuar.

Lidhur me këtë hulumtim, “Jeta në Kosovë” ishte shpërblyer me çmimin për storien më të mirë në arsim për vitin 2017.